Ejup Ajdini: Grua…

Ti je arsyeja pse kam ardhur në këtë botë
në botën e padashjeve, e dashura grua
pa ty nuk di se si do më bëhej jeta
pa plagët dhe dëshirat që vet i krijuam.

I krijuam plagë të lehta njëri -tjetrit
me dashje e pa dashje ne bëmë lumturi
dhe kjo më bën të ndjehem idiot
pse nuk bëmë deri në dehje dashuri.

Nuk ta thash kryefjalën e fjalëve – dashuri
veç doja të flejë etshëm në jetën tënde
dhe ti në jetën time si e dehur me plot magji
ja arsyeja e vetme pse kjo botë ishte bukuri.

Ti dhe unë ishim arsyeja e vuajtjeve të gjata
dhe kjo solli lumturinë deri në fund të jetës.
dikur hëna na ndrinte shtratin në dhomën e vjetër
sot, nga gjumi, me xhezven në dorë na gjen mëngjesi.

Dashuria e jonë u bë edhe hileqare, vetëm në ëndrra,
gjithmonë brenda pragut të oborrit një ferrë çalie
dashurinë e kishim me rrymë e ritme simfonie
jo si sot, i përgjigjemi njëri tjetrit pa fjalor e pa hije.

Me ne qëndronte hana dhe yjet vezullues
deri sa shpirti vdiste midis buzëve dhe flokëve
dhe mëngjesi na gjente të lodhur që të dy
bashkë me buzët dhe flokët një veprim i ri.

Pa këngë dashurie s’rinim dot asokohe
në natën e errët , ty më bëheshe gjysmëhënë
mua më kishe yll, gjithmonë aty pranë
me rrahjet e plota të zemrës, qielli çahej pa zë.

Unë, grua nuk e di se kur do të vdes
pasi kam lindur, e di se edhe i vdekur jam
por ditën a natën që do të ndërroj jetë
dije se yjet a dielli nuk do të ndriçojnë.

Kënaqësi e madhe ishte atëbotë
kur t’i dëgjoja rrahjet e zemrës sate
çdo rrahje ishte kënaqësi më vete
dhe ndjehesha sikur jeta kësisoj s’mjaftonte.

Edhe sot e dashur, e mira ime grua
jetoj për kujtimet e moçme plot mall
e që më bëjnë t’i largoj mërzitë andej
dhe lëpihem me buzëqeshjen tënde si dikur.

Midis plagëve të reja e të vjetra
ishe më e bukur gjatë gjithë jetës, realisht
kur hyje nga dera dhoma na bëhej si ditë
buzëqeshjet tona deheshin si një trëndafil.

Të dua deri në përqafimin tim përshëndetës
të mirat dhe të këqijat i ruajmë si suvenire jete
pasi edhe nëpër ngatërresa jemi dashur njësoj
buzëqeshja ishte ajo që gjithmonë na bashkoi.

Grua, të kam dashur dhe gjithmonë të dua
deri në përqafimin tonë të fundit me pak zë
të desha po si s’të desha dhe të dua, po si s’të dua,
unë për ty isha vërtetë burrë dhe ty për mua grua.

Kur t’i prek buzët edhe yjet më shikojnë
dhe qeshen me lajthitjen e jetës sonë
çfarë do të bëja pa ty e dashura grua
kur xhelozitë do të haheshin në shikimin tonë.

Për xhelozi të yjeve unë e preki hënën
dhe ajo të mbulon ty mbi çarçaf
dhe vetëm atëherë ulem pranë teje
sikur e kam globin për një jetë të tërë.

Në më te mirin gjumë të vëzhgoj ty e dashura grua
dhe rri zgjuar si gjysmëhënë mbi koke
ah, sa jetë e bukur ishte për mua, e dashura ime
Sikur një engjëll na përkëdhelte me lule në duar.

Po e dashur, për ty rri zgjuar një jetë, pse të mos rri
vetëm të t’i puthi buzë e duar me hënën në përqafim
ti ishe më tepër se grua, gjithmonë me një mall të ri
buzëqeshja e parë që na lidhi neve, vetëm ne e dimë.

Dashuritë e mëdha nuk tronditen dot në jetë
edhe mosha le të bëhet sa të dojë, edhe 101
unë pa ty s’do mundja të jetoja në këtë botë
Pasi ti ishe arsyeja pse ishte e bukur kjo jetë.

Rrugët nuk i patëm shtruar me lule malësie
as lekun nuk e patëm mjaftueshëm e me bollëk
dashurinë e patëm tejet te madhërishme
dhe ëndrrat e jetës na e bënë të bukur këtë botë.

ObserverKult

Lexo edhe:

Ismail Kadare: Dashuria