Ismail Kadare: Dashuria

ismail kadare llora

Kanë frikë prej teje. O, sa kanë frikë.
Pleq me fytyra plot rrudha, që s’i trembi as bisha, as plumbi,
Burra me borsalina dhe çanta, që thirren shpesh nëpër mbledhje,
Gra shamizeza, që përballuan trimërisht vdekjet;
Kanë frikë prej teje.
Ç’i tremb,
Mos vallë mjegulla jote e bardhë
Spërkatur anëve me reflekse të çuditshme?
Ngrenë kundër teje
Pushkën, shkopin, mallëkimin. Duan të të shtypin
Me sënduqet e pajave, të të marrin frymën
Me dyshekët e jastëkët e qëndisura. Hedhin
Baltën e zezë të shpifjeve mbi rrobën tënde të bardhë.
Pastaj fillojnë sulmin e fjalëve pa fund.
Dashuria? Ah, dashuria, kush ia pa asaj hairin,
Pardje u zunë dy fqinjët, i dëgjuat? (Janë marrë me dashuri)
Tezja jote zvariset gjyqeve. (Ku shkoi dashuria?)
Para tri javësh një vajzë u hodh nga kati i gjashtë.
E dëgjove, ja, këto bën dashuria.
Aherë, si vjellin çdo gjë, ashtu si artileria,
Që vjell breshëritë e zjarrit mbi fushën e luftës,
Hedhin kundër teje, në sulm të dëshpëruar,
Regjimentet e zes të shkesëve.
Por ti,
Duke shkundur nga supet baltën
E shpifjeve dhe thashethemeve, duke shkundur
Puplat e jastëkëve, naftalinën e sënduqeve,
Ngrihesh para tyre edhe më e bukur
Nga shenjat e kaltra të goditjeve.

1968

ObserverKult


Lexo edhe:

ISMAIL KADARE HAP PANAIRIN E LIBRIT NË PRISHTINË: LETËRSIA SHQIPE DO RIKTHEHET MË E FORTË…

Panari i librit “Prishtina 2023” u çel sot me praninë e një figure të shquar të letërsisë shqipe, shkrimtarin Ismail Kadare. Në panairin e Prishtinës, Kadare është i ftuari i nderit duke u cilësuar në hapjen e eventit si forcë gjigante e ngritjes së gjuhës e kulturës shqiptare, por edhe zë për liri.

Para të pranishmëve, shkrimtari Ismail Kadare teksa shprehu gëzimin për praninë e tij në këtë panair, tha se, ai shpreson se letërsia shqiptare do të rikthehet më mirë e më fortë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult