Entela Kasi: Pa ne, perdet bien. Loja mbaron. Ata nuk janë!

entela kasi

Kanë gjuhë muresh,
Flasin gjuhë muresh,
Kanë kolltukë të kuq,
Ulen sall mbi ditët e ngrëna të jetës tonë
Mbi duart tona të plasura si tokë e zhuritur nga thatësira
Të panginjur siç janë, pështyjnë fjalë të ndyta
Prej goje të pisët
Derdhin helm
Mbi plagët tona të vjetra dhe të reja
Hyjnë e dalin në skenë pa maska
Dhe qeshin nëse dikush nga turma e përgjumur zgjohet për të lypur një kore të mbetur buke diku afër mbeturinave ku darkuan zakonshëm
Ata të rendit të parë,
Ata të rendit të dytë,
Ata të rendit të tretë.
Dhe kur bie gongu, kur ora bën punën e vet
Kërcejnë polka, rrëmbejnë mikrofonat dhe i flasin turmave- jemi këtu për ju, nga dashuria për ju,
Ju jeni kuptimi i punës tonë
Pa ju nuk kemi vlerë…
Dhe vërtet,
Pa ne, perdet bien. Loja mbaron. Ata nuk janë!

ObserverKult

Lexo edhe:

ENTELA KASI: AMIDAH- NËNA E ATIT