Shën Agustini: Vdekja është një hiç

Unë... gratë

Vdekja është një hiç.
Vetëm se kalova nga ana tjetër:
njësoj si t’isha fshehur në odën përbri.
Unë jam gjithëherë unë e ti je gjithëherë ti.
Çka qemë për njëri-tjetrin më parë,
jemi edhe tani.
Thirrmë me emrin tim
siç më ke thirrur përherë, atë që e di.
Folmë po aq ngrohtë siç ke bërë gjithnjë.
Ngjyrën e zërit mos e ndrysho,
mos merr pamje solemne, mos u pikëllo.
Vazhdo qesh me çka të çonte buzën në gaz,
ato gjëra të vogla që të pëlqenin kur rrinim bashkë.
Lutu, qeshu, mendomë!
Qoftë emri im fjala e dashur qysh më parë:
shqiptoje pa grimë gjurme terri a pikëllimi.
Jeta jonë ruan krejt atë kuptim
që ka pasur nga fillimi.
E njëjta është, si më parë,
ka vijimësinë që s’mund të jetë e ndarë.
Pse jashtë mendimeve e mendjes duhet të të jem,
vetëm pse s’e rrok vështrimin tënd?
Nuk jam larg, jam në anën tjetër,
bash mbas atij zgripi.
Dhe një herë ta them, çdo gjë shkon më së miri.
Zemrën time do ta gjesh dhe një herë,
do gjesh dhe gjithë dashurinë e dëlirë.
Fshiji lotët e mos të të shoh në vajtim,
në më do, se buzagazi yt është paqtimi im.

Përktheu: Elvana Zaimi

ObserverKult


Lexo edhe:

ELVANA ZAIMI: E MORËM NË HESHTJE ATË QË ËNDËRRUAM…

Elvana Zaimi vdekja

I mbyllëm flegrat e dritareve të shtëpisë
dhe, në një errësirë të thellë, u zhytëm në gjumë.
Braktisëm botën e huaj në zemër të marrëzisë,
botën tonë të vogël e vumë në dryn.

Kështu deshëm të bënim për vete
atë që bota e huaj kurrë s’na e dha.
E morëm në heshtje atë që ëndërruam,
në gjumin e thellë ku ëndrra nuk ka.

Ëndrrat, prej yjesh e drite kjo materie e brishtë,
ia lamë si gjurmën tonë botës së trishtë.

ObserverKult

Lexo edhe:

FALLACI: VDEKJA E NJË DASHNIE ASHT SI VDEKJA E NJË NJERIU TË DASHTUN!