Nga: Harold Norse
Gjithë jetën e lume kam pritur
që diç e pazakonshme të ndodhë.
Ende mund të më prij fati i papritur,
Dhuratë Kombëtare e Zemrave.
Gjithë jetën e lume kam shpresuar
për një finale madhështore, një zgjim,
që dashuria të shpërthejë në rrugë,
në bare, në klasa,
të mos ruhet askush më
t’i flakin pantallonat, fustanat
policët të qajnë butësisht
derisa të t’i heqin prangat,
bankierët duke i hequr qafe paratë,
politikanët ta thonë të vërtetën,
kritikët letrarë ta pranojnë
se s’marrin vesh gjë
as mbi të shkruarit dhe as mbi jetën.
Gjithë jetën e lume kam pritur
që diç e jashtëzakonshme të ndodhë.
Benidorm, Spanjë, 1956
Përktheu: Fadil Bajraj
ObserverKult
Lexo edhe:
GREGORY CORSO: E SHKRUAR NË PRAG TË DITËLINDJES SIME TË 32-TË