Kozma Dushi është këngëtar i njohur, i cili qysh kur për herë të parë mori pjesë në festivalin e 15-të RTSH-ës, thotë se atje zuri fill rrugëtimi i tij me skenën e bukur, festivalet dhe ankthin.
“Në skena të tilla prestigjioze duhet të jesh dinjitoz. Dështimi në raste të tilla t’i heq shanset për të ardhmen. Është shumë e vështirë të ngjitesh sërishmi aty ku ke humbur radhën e parë. Fati dhe zëri ishin me mua.”
Ngaqë është nga qyteti i bukur i Beratit, qyteti i gurtë, i dritareve të shumta, ndaj thotë se është i dashuruar marrëzisht me këngën. Ndër të tjera ai shton: ky qytet më fali zërin. Jam aktivizuar me Shtëpinë e Pionierit që ishte në ato vite. Kam punuar në Estradën Profesioniste të Beratit. Kam mbaruar shkollën e mesme për zootekni-veterineri. Pastaj fitova të drejtën e studimit në Akademinë e Arteve. Jeta ime në qytetin e Beratit është mbushur me aktivitete dhe mbresa të pashlyeshme. Është një qytet me tradita, ku në çdo kohë mëson diçka të re. Për këtë qytet janë thurur dhe thuren legjenda dhe nga zemra e tij kanë dalë intelektualë potencialë. Vetëm të ngrihesh në mëngjes dhe të shohësh madhështinë e kalasë, merr me vete besim, forcë, dëshirë për të jetuar, emocion që të relakson.