Poezi nga Bardhyl Zaimi
Kam jetuar gjatë nën rrënoja konceptesh
Frymën ma kanë zënë, më kanë tkurrë
Shiun nuk e kam dëgjuar, as brofjen e pëllumbave
Kam menduar se kjo është jeta, domosdoshmëria
Dhe lehtësisht kam ra në ftohtësi mendimi
gërryerjesh fatale e idhëtish pelin
Jam robnue në sipërfaqësi urgjencash
dhe kam harruar të jetoj me gjithë qenien time
me dritën e brendshme, me dritën e përshpirtshme
që ledhaton krizantemat e përtej kohës,
kohës së dashurisë që është kohë e kulluar
Nuk e kam vërejtur se jam ba thjesht skemë e realitetit
nuk e kam vërejtur se gjithçka e bukur përrethe meje
ka pritur përgjumjen time, atë tik-tak të hollë zemre
që dridhet përpara qenieve të vockla,
siç janë lulet e bardha, kujtimet, dashuritë
Paskam harruar të jetoj në plotninë time
Pa thikat vrastare të realitet banal
pa kujdesin e tepruar për gjërat,
pa vnerin e mbijetesës që vret si bishë e etur
Kam radhitur kaq numra asgjësie
dhe në të çarat e kuvlisë i kam marr erë kurmit të jetës
si një çasti të fundëm që po jep shpirt
Si një Sizif kam rrokullisur gurin e dëshpërimit pa u dëshpëruar
drejt majave të purpurta të ëndrrës sime
Kam jetuar dhe kam harruar të jetoj
Me gjithë mushkëritë e ekzistencës sime
Kam mëkuar lirinë time me copa mishi
si në legjendën me shkabën
Kam mbërritur deri këtu, në këto maja vetmie
me dashuritë të lëvarura si pesha të rënda mbi shpinë
për t’i afruar në majat e kulluara dhe të përndritura
Nga kjo maje vetmie po e ndjej së thelli gjithë qenien time
po e ndjej gjithë gjithësinë si shpaloset brenda meje
Dhe kjo tashmë me mjafton.
*Titulli i origjinalit: “Qeniet e vockla të frymës së jetës”
ObserverKult
Lexo edhe: