Lavdi vetes, poezi nga Vlora Konushevci, shkëputur nga libri poetik me të njëjtin titull.
Arkitektura e vetes asht plot
hije e maska që i lamë pas,
simbas Jungut. Për të rilindë në prill
si perëndeshë e pranverës me Pashkët.
Hijen e parë e kam lanë
në albumin e fotografive të shkollës
së mesme, bashkë me dashninë
e zhgënjimin e nji çike të përhumbun.
Lavdi!
Hija e dytë më ka ra shpejt, kohë
sakrilegjesh kur çdo gja e shejt u kthye
përmbys, shkollat u banë shtëpi
e shtëpia nën tytën
e automatikëve mbeti shkret.
Lavdi!
Hija e tretë ishte ma kambëngulëse
e fortë guaskë me sy fantazme të nji lufte civile.
E provoi shijen e mashtrimit të Trojës
e kuptoi që dashnia asht ma e fortë se deka
shpërtheu si flutur krahëhapun.
Lavdi!
Nuk lindim tabula rasa, trashëgojmë
instikte e modele të paraardhësve tanë,
simbas Jungut. Vargu i gjatë i grave të fisit
më buzqesh n’secilin hap!
Tana paraardhëseve,
tana hijeve të vetes
rilindjeve, rilidhjeve,
shtëpisë së tanësisë së qenies
lavdi!
ObserverKult
Kliko edhe:
PROMOVIMI I LIBRT “LAVDI VETES” TË VLORA KONUSHEVCIT (VIDEO)
Lexo edhe:
VLORA KONUSHEVCI: NË JETËN E KALUEME
Në jetën e kalueme kam pasë veç dashnorë,
në jug të Francës shtëpinë pranë oqeanit
ngjyrë shampanje me kanate jeshile,
jam kânë trashëgimtarja e vetme e nji fisniku
të vdekun në rini.
Pikturat e mia janë vjerrë në epiqendër
të Pallatit Fontainebleau,
nëpër ballo e festime
burrat janë ba varg e vijë
me ma puthë dorën.
Poezinë e plotë e gjeni KETU
ObserverKult