Vlora Konushevci: Në jetën e kalueme

përkthimin vlora konushevci alternative war

Në jetën e kalueme kam pasë veç dashnorë,
në jug të Francës shtëpinë pranë oqeanit
ngjyrë shampanje me kanate jeshile,
jam kânë trashëgimtarja e vetme e nji fisniku
të vdekun në rini.

Pikturat e mia janë vjerrë në epiqendër
të Pallatit Fontainebleau,
nëpër ballo e festime
burrat janë ba varg e vijë
me ma puthë dorën.

Rilindasit francezë më kanë rrethue
në çdo hap, dashnorët,
s’kam pasë vuejtje as pikëllime
të mëdha, ato të voglat
i kam gjuejtë në oqean,
burrat i kam ba me vaj
lotët e tyne ia shtojshin shijen shampanjës.

Nuk jam plakë asnjiherë, veten e kam vu
n’kornizë, si Dorian Gray, jo si mallkim
por si pranverë!

Kështu duhet ta kem pasë jetën e kalueme
ndryshe kjo e tashmja nuk ka kuptim!