Poezi nga Nizar Qabbani
1
Vdesim rastësisht…
si qen rrugësh,
pa i mësuar emrat e ekzekutorëve të vërtetë.
Vdesim…
pa e shtruar për diskutim si vdesim?
dhe ku vdesim?
Një ditë vdesim nga shpata e të djathtës
ditën tjetër nga shpata e të majtës..
Një ditë vdesim nga lufta
e ditën tjetër nga paqja..
Nuk i mbajmë mend emrat e vrasësve
as të pjesëmarrësve në funeral.
2
Vende
që ua kanë marrë dorën elegjive
që shtrihen mes lotit e lotit
Vende…
ku çdo qytet është Qerbela më vete…
3
Vende…
Që qeverisen me thembër çizmeje
ku mungojnë të urtët..
profetët…
dhe librat e shenjtë.
Vende..
ku popujt kanë formë mize!!
4
Vende..
të rrethuar nga frika
ku patriotizmi është ndëshkim…
ku prostitucioni është dëlirësi
ku humbja është fitore…
5
Parime me kilogramë, të flakura
mbi qerre perimesh…
të cilat garantojnë lirinë e mendimit…
e që ekspozohen si rrepka
në karro perimesh.
Poezi lakuriqe
që flenë çdo natë me nga një qeveritar
dhe u bëjnë qejfin ushtarëve të tyre.
e mëngjeseve hidhen si coftina
mbi qerret e perimeve…
6
Vende…
ku pemët rreken
nga dëshpërimi
të gjejnë një vizë udhëtimi…
Vende…
të cilat bëjnë gati valixhet për tu larguar.
7
Ku shkojnë të vdekurit e atdheut?
Pasuritë e tij të paluatshme?
dhe të gjitha ata që fërkojnë me vaj manushaqeje
kraharorin e udheheqesit
shpinën dhe barkun e tij?
8
Nëse do të vdisnim
për një çështje madhore
do vdisnim duke qeshur.
Nëse do të vdisnim për një kauzë nderi
si fjala vjen,
çlirimi i një territori
çlirimi i një populli
do u paraprinim në parajsë të gjithë besimtarëve.
Por ata vendosën të vdesim..
që të jetoj regjimi…
dhe idhujt prej brumi të regjimit.
9
Vdesin miliona prej nesh
e liderit tonë
nuk i lëviz fija e flokut..
Përktheu: Elmaz Fida
ObserverKult
Lexo edhe: