Nizar Qabbani: Dashuria jote më mësoi të jem i trishtë…

nizar qabbani
Nizar Qabbani (Source: gli-us.org)

Poezi nga Nizar Qabbani


Dashuria jote më mësoi të jem i trishtë,
dhe unë, prej shekujsh,
kërkoja një grua që do më trishtonte,
një grua,
ndër krahët e së cilës të mund të qaja si harabel,
një grua që do të mblidhte copëzat e mia,
copëzat e mia të kristalta.

Dashuria juaj, zonjë,
më ka shtyrë të bëj të miat zakone të këqija,
duke u rrekur të parashoh të ardhmen në fund të filxhanit tim,
mijëra herë gjatë natës
të provoja barnat e shëruesve dhe të trokisja në portën e falltarëve,
më shtyu të dilja nga shtëpia për të krehur trotuaret e ndiqja kudo fytyrën tënde,
në shi,
në dritat e makinave,
në petkat e të panjohurve,
të ndiqja fantazmën tënde
në afishet trumbetuese,
të mblidhja miliona yje prej sytë të tu,
dashuria jote më mësoi të endem për orë të tëra
në kërkim të një floknajë të egër
zilepsur prej saj gjithë kurbatkat,
të një fytyre, një zëri,
që janë krejt fytyrat dhe zërat …

Dashuria juaj, zonjë,
më ka mirënjohur në qytetin e trishtimit
dhe para dashurisë sate as që e dija se çfarë ishte trishtimi,
kurrë se kam ditur se lotët janë Njeriu
dhe se Njeriu, pa trishtim,
nuk është tjetër çka veçse dukja e një qenieje njerëzore.

Dashuria jote më mësoi të sillem si fëmijë,
të vizatoja fytyrën tënde me shkumës në mure,
në velat e anijeve të peshkimit,
mbi këmbanat e kishës, mbi kryqëzimet.
Dashuria jote më mësoi se harta e kohës mund të ndryshojë,
më lejoi të kuptoja se kur dashuron,
toka ndalon rrotullimin,
dashuria jote më mësoi gjëra që askurrë si kisha përfillur.
Kam lexuar përralla për fëmijë,
hyra në pallatet e mbretërve shkëlqimtarë,
ëndërrova të martohem me vajzën e Sulltanit
sytë e së cilës janë më të kaltër se uji i një lagune,
buzët e së cilës janë më joshëse se lulet e shegës,
ëndërrova ta merrja larg me vete si kalorës
për t’i ofruar gjerdane perlash dhe korali,
dashuria jote më mësoi se ç’ është përçartja,
më mësoi se si harxhohet jeta pa mbërritur vajza e sulltanit.

Dashuria jote më mësoi
si të të dua në të gjitha gjërat,
në pemët e zhveshura,
në gjethet e zverdhura e të thata,
në një ditë me shi,
në stuhi,
në më të voglën kafene ku pimë në mbrëmje kafenë tonë të zezë,
dashuria jote më mësoi
të kërkoja strehim në hotele pa emër,
në kishat pa emër,
në kafene pa emër,
dashuria jote më mësoi
se si nata mund të zmadhojë dhembjet e të huajve;
më mësoi të kundroj Bejrutin,
një grua,
tirane dhe tunduese,
një grua që vesh çdo natë
rrobat më të bukura që zotëron
dhe spërkat parfum në gjirin e saj
për peshkatarin dhe princat,
dashuria jote më mësoi
të qaj pa arsye,
më mësoi makthet,
si një djalë me këmbë të prera
mes rrugëve të Rouche dhe Hamras.

Dashuria jote më mësoi të jem i trishtë,
dhe unë, me shekuj,
kisha kërkuar një grua që të më trishtonte,
një grua ndër krahët e së cilës do mund të qaja si harabel,
një grua që do të mblidhte copëzat e mia,
copëzat e mia të kristalta.

Ujdisi shqip: Rielna Paja

ObserverKult

Lexo edhe:

NIZAR QABBAN: NË BOTË S’KA GRUA VEÇ TEJE…