Do të mbesim t’rinj, poezi nga Enver Gjerqeku



Poezi nga Enver Gjerqeku

Do ia kthej atë peng me një zog në dorë,
Sa herë një pranverë ta mbyll n’zemrën time,
Sa herë trëndafili t’i çelë në udhtime-
Mikut tim të mirë- n’krye pa kurorë.

Pengu im i vjeshtës – lule skalitur,
Mbi një rrasë mermeri një jetë e paepur,
Që në shembllen në flakë në një kohë të tretur,
Ngelu shkëmb n’cikole me sy t’pavenitur.

Po ia kthej shumë lule vatrës sime t’mbarë,
Që me to t’skalisë vet’llen e blozuar.
Ndjesë tash jeta ime s’ka për të kërkuar.

Mëshira brymë mbi lule, kafshatë për mëkatarë.
Me ball t’hapur n’ag, një peng lindi n’dorë’
Një gjerrdan prej këngësh n’zemër lidhë kurorë.

*

Po shndërrohet stina në një luledielli.
Muzgu ka zënë rrënjë mu në këmbën time.
Do të mbesim t’rinj, por me koka t’thime,
Me një dorë në dimër, tjetrën n’lule prilli.

Mjellma e plagosur këngën s’e mbaroi-
Në flatrim t’përgjaku ra një pendë e zeze;
Zogu im i kaltër, që në zjarr është ndezë,
Paska rënë viktimë e stinës që kaloi.

Mbi pullaz t’vetmuar qenka kthyer lejleku
Dhe një buzagaz që kaplon shtëpinë.
Një dorë e paftuar ma dhuroi shkëndinë…

Me fat atij miku, që pragun ma preku,
Do ia kthej peng një zog në dorë-
Një gjerdan prej këngës n’zemër lidhë kurorë.

*Titulli i origjinalit: “Pengu”

*Shkëputur nga përmbledhja me poezi “Pengu”, botim i “Rilindjes” më 1977

Përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

ENVER GJERQEKU: ENDE T’KËRKOJ…

Tejpërtej shtegtove ndër pranvera t’mia
Dhe s’di a je ëndërr, o prani e gjallë,
Që n’damarë më sillesh. Si qiriri n’mall
M’digjesh ndër kujtime, kur më rrok vetmia.

Tejpërtej kalove n’mua plot shtrëngata,
N’krahror disa gjurmë gdhendur m’i ke përherë.
Sikur prore t’ngelshe n’gjakun tim pranverë,
S’do këndonim mallshëm, s’do na ngryste nata

Tejpërtej gjurmove plagëve t’rinisë sime…

POEZINË E PLOTË E GJENI KËTU