Romir Zalla, aktori i njohur i humorit është rrëfyer në një intervistë me Ejrona Rusin në “S’e luan topi”, në dimensione të ndryshme të jetës së tij.
Si rrallëherë, Romiri rrëfeu jetën mes skenës dhe jetës personale. Ndër të tjera, ai ndau me publikun edhe ndjesitë që e mbajnë gjithmonë afër tij, ndaj edhe vazhdon të japë kontributin e tij për t’i argëtuar e kënaqur të gjithë.
“Humori më buron, nuk përpiqem. Ka raste që e ‘teproj’ me këtë harenë e madhe që më karakterizon. Jeta është e shkurtër dhe njeriu duhet ta jetojë ditën si të ishte fundit. Dhe të shohë optimizëm edhe atje ku është errësirë totale”.
Këtë vit, aktori ka humbur të atin dhe mes lotësh, ai foli edhe për këtë dhimbje të madhe, të cilën, siç tha, nuk e ka kaluar ende.
“Unë nuk e kam kapërcyer akoma atë moment. Jam në momentin, periudhën që edhe e besoj, edhe nuk e besoj. Jam tek ai momenti që ka çdo djalë për prindin. Nuk e kisha menduar as në ëndrrat e mia më të këqia momentin kur të ikën një prind.
Ky moment vjen dhe të gjen të papërgatitur. Unë vazhdoj të mos e pranoj. Unë rikthej momente nga jeta jonë qysh fëmijë deri tani që flasim. Dhe është pjesa kur njeriu ka një lloj brenge, sepse nuk mund dot t’i plotësojë diçka ose t’i gjendet pranë në momente të caktuara”,– tregoi Romir Zalla.
Nga dhimbja e thellë e humbjes, por edhe nga malli për njeriun e shtrenjtë, Romiri iu drejtua të gjithëve për t’iu dhënë një mesazh: “Jeta është bërë shumë e vështirë. Unë e kam pas thënë shpesh kur im at ishte gjallë, sa herë ke kohë, bëju një telefonatë prindërve. Mos them shko takoi… “, tha ai.
Lexo edhe:
A DO TË KEMI MË AKTORË ME KARAKTER SI KADRI ROSHI, MARGARITA XHEPA APO TINKA KURTI?
ObserverKult