Bekim Lumi: Engjëlli blu

Bekim Lumi

Sot është ditëlindja e regjisorit të mirënjohur Bekim Lumit. Në kujtim të tij, nga përmbledhja e tij me poezi, “Engjëlli blu”, zgjodhëm poezinë e cila është si lajtmotiv i tërë pëmbledhjes.

shi
i mërzitshmi i tejdukshmi i pangjyrshmi i lagshti i ujti i pikshmi
i qullti
shi
bashkë me pik’zat e tij t’pasqyrta
befshëm
si me ‘i film bardh e zi alla chaplin
skaj udhe
‘i engjëll blu
e pikon
i mvrejtun i trembun i drojtun i ambël i këputun
si ‘i carrok i braktisun
në shkallët e mermerta i mbledhun krruspull
me sytë e ullinjtë turbullue nga andrrat e l’byrta
me kufje n’vesh
thue ti “stairvay to heaven musiç” të Led Zeppelin-ëve

asht duke e ndigjue
me duer që i dridhen
me ‘i cigare ndër gishta
me ‘i za të mekun
e ‘i shkrepëse pa zjarm
n’trishtim ma t’zi se korbi i Edgar Allan Poe-së
mugullon
tevona
si n’përrallat e Vllazënve Grimm
dy brina të vogla mbi krye i dalin
po ai edhe ma tutje
engjëll blu asht
deri sa ‘i rr’fe e sertë njerëzore
dreqnisht e rrok
e flatrat e vetullat e qepallat me gërshanë mbasi ia këput’
si delmen në krye e qeth e qeth e qeth e qeth
e njerëzon
e përtokëson
e përçudnon
e tevona
me ‘i bar striptease koketash
engjëllorin blu
e syrgjynon
e unë
kambë e krye i shastisun
me sy të hakërruem
kah qiella vazhdoj me kqyrë

ku pa pra
i mërzitshmi i tejdukshmi i pangjyrshmi i lagshti i ujti i pikshmi
i qullti
shi
pikon
ku je
engjëll blu
engjëll blu
engjëll blu
engjëll blu

© bekim lumi

P.S. Kjo poezi duhet me u lexue duke e ndigjue “Stairway to Heaven Music” te Led Zeppelin-ëve.


Lexo edhe:

BEKIM LUMI: OF NANË…

ObserverKult