Festivali i RTSH: Qarje e vuajtje për drama personale, deformim fjalësh e tekste të varfëra!

festivali fest

Festivali i RTSH

Së pari, gjatë interpretimit këngëtarët i hanë e deformojnë fjalët si pleqtë kur u lëvizin protezat e dhëmbëve. Tekstet bëhen bezdisëse me ngjashmërinë në shumë pikëpamje, sidomos nga tematika dhe fabula që bëhet bosht i thurjes.

Nga Muharem Jakupi


Ato janë denotative, pra tepër të thjeshta e të drejtpërdrejta, pa figura e imazhe poetike origjinale; ato duket se janë pa gjetje e strukturë artistike befasuese, u mungon intriga e fantazisë krijuese. Situatat jetësore të evokuara përgjithësisht paraqiten të rëndomta, personale, private.

Rezulton se në masë të madhe tekstin ta ketë shkruar vetë këngëtari, i cili është njëkohësisht kantautor ose atij/asaj ia ka shkruar motra, vëllai, kushëriri, ortaku, familja, veçse jo poeti, sepse ky, pra, na del se është festivali i kantautorëve!

Ja disa nga fjalët e zgjedhura prej shqipes së varfër të këngëve, të cilat mbushin pothuajse të gjitha tekstet:
Edhe pse tani ndihem vetëm, s’ka lagësi të na ndajë, ti je gjysma e zemrës sime; ëndërroj, për ty kujtoj, se të desha me gjithë zemër; flokët e mia era i ngre ngadalë, por kërkoj një shenjë nga ti, s’di ku të të kërkoj etj.

Tekstet e bëra nga vetë këngëtarët kanë prirjen të bien në montoni për arsye se këngëtari niset nga imazhet e veta të mëparshme poetike e muzikore, të cilat atij vërtet i japin lehtësi krijimi, por gjithashtu edhe montoni.

Nëse jeta dhe bota e këngëtarëve ngjason me atë të kolegëve/kolegeve të tjera, teksti i një poeti më të afirmuar dhe kompozimi i një muzikanti tjetër do të krijonte premisa për të futur tjetër metrikë dhe këndvështrim ndaj jetës, çka do të ndikonte mbi melodinë e brendshmen të mëparshme që rri në kujtesën e këngëtarit-autor-kompozitor dhe do të deformonte artistikisht muzikën, duke ndikuar pozitivisht në krijimin e parakushteve për më shumë shprehësi dhe risi.

Është gjë e njohur dhe e natyrshme që këngët e reja nuk arrijnë dot të na tronditin fort që në dëgjimin e parë. Por monotonia e këtij festivali nuk lidhet aq shumë me risinë, sesa me njëanshmërinë tematike të teksteve, me ngjashmëritë melodike me njëra-tjetrën dhe me ato të mëparshmet.

Por përgjegjësi kryesor këtu është redaksia e pranimit të këngëve për festival, që nuk ka ndërhyrë për të shmangur monotonitë.

Prandaj edhe meloditë janë të ngjashme: qarje për vuajtje e drama personale, të vakëta, të përjetuara së brendshmi, me zë të ulët, pa mundësi për shpërthime e larmi ritmesh; pa kthesa melodike a të zërit, pa ule ngritje që ndihmojnë kompleksitetin e krijimit muzikor.

Janë përgjithësisht në të tilla tone muzikore ku paraqiten, kryesisht, këngëtare si vajza në hall, por që ia zbulojnë publikut botërisht privatësinë!

ObserverKult

lexo edhe:

REVOLTA E BUJAR KAPEXHIUT: “Festivali PO HUMB ATE QË ËSHTË SHQIPTARE”