Aktori Timo Flloko ka ndërtuar një portret të pangatërrueshëm në kinematografinë shqiptare. E nisi me role episodike për të shkuar te rolet psikologjike, të thella, emocionale. Tregon se si e nisi karrierën e tij si aktor dhe si u bë i famshëm për rolet e luftës.
Në një intervistë dhënë për emisionin “Përballë”, i transmetuar në “Dixhitalb”, tregon se si e nisi karrierën e tij si aktor dhe si u bë i famshëm për rolet e luftës.
Timo Flloko tregon se kishte qejf të bëhej pilot, ndërsa prindërit donin që ai të bëhej doktor.
Ai tregon se si e fitoi konkursin për Akademinë e Arteve dhe kritikat që ka marrë në fillim nga regjisorët. Flloko tregon se si e ka ndryshuar emrin për shkak të titrimit nga kinezët, ndërkohë që zbulon dhe diskutimet me Saimir Kumbaron, i cili i dubloi zërin në filmin e tij të parë. Në rrëfimin e tij, Timo Flloko tregon se ka mësuar të përdorë të gjitha llojet e armëve, nga pistoleta, automatikë, mitraloza e topi. Me një batutë ai tregon se ka përdorur aq armë në karrierë, saqë meriton të ketë titullin “Gjeneral”.
Flloko tregon edhe emocionet e vështirësisë që ka hasur gjatë xhirimit të filmit “Malet me blerim mbuluar” dhe debatin për skenat ku futet me not në lumin e rrëmbyeshëm. Po ashtu, ai zbulon edhe arsyet pse filmat në Shqipëri gjithmonë kishin personazhe që u dublonin rolet dhe kjo sipas tij vinte për faktin se nuk duheshin heronj që të konkurronin udhëheqësin Enver Hoxha.
Familja
Unë kam ëndërruar që të bëhesha pilot, por në kinemanë përballë shtëpisë sime, në Pejë, shfaqeshin filmat amerikanë, jo si në Shqipëri. Filmat me kauboj dhe them të drejtën u afeksionova pas filmave dhe në embrionin e ëndrrës sime u kristalizua një ndjesi për kinemanë. Kurrë nuk pati një ndjesi të vendosur për veten time, por e shikoja të pamundur që të bëhesha aktor filmi.
Por ëndrra nuk ka gjithmonë lidhje të drejtpërdrejta me një realitet të mundshëm. Prindërit e mi nuk kanë pasur kurrfarë lidhje me artin, babai ka qenë mjek, kurse nëna ka qenë punonjëse e thjeshtë. Babai është gjirokastrit, kurse nëna është nga Mali i Zi. Unë kam lindur në Pejë dhe kam jetuar 8 vjet në Kosovë, në ish Jugosllavi atëherë. Pastaj jam vendosur në qytetin e Vlorës, ku kalova fëmijërinë dhe periudhën e shkollës së mesme.
Në zonën ku jetoja, kisha miqtë dhe shokët e mi dhe organizonin teatrot dhe inskenonim përrallat. Më vëllanë kishim dëshirë të imitonim aktorët e Vlorës. Vëllai im, Aleksandër, ka luajtur një rol në zgjimin e kësaj ëndrre, sepse edhe ai vetë kishte dëshirë një gjë të tillë, madje ishte dhe i talentuar. Unë isha më i shkurtër dhe me takonte të luaja rolin e Sanoços.
Kur shkova në shkollën e mesme, kisha një mësues së gjuhës frënge, Tanush Frashëri. Kam qenë në vitin e 2-të apo 3-të të gjimnazit dhe ishim pjesë e një skene teatrale dhe luaja rolin e një doktori dhe kjo ka qenë provoja ime e parë skenike në jetë.
Duhet të ketë qenë viti ‘63 apo ’64, kam bërë dhe disa recitime. Ndodhi krejt rastësisht një ditë, kur po ktheheshim nga plazhi, unë kisha mbaruar studimet e shkollën së mesme, kisha kërkuar dy herë letërsi sepse isha i apasionuar me letërsinë, shkruaja hartime, kolegu im Vasillaq Godo, sikur e kishte dërguar dora e Zotit, më thotë: “Ore ti, çfarë bën këtu? Pse nuk je nisur për konkursin e shkollës së lartë si aktor?”. Për çfarë?, i them unë -Po të japësh konkurs!
Do hysh në shkollë ti apo jo?! -Jo,- i thashë,- unë s’e kam menduar. – Më datë 4 korrik, është dita e fundit e konkursit, nisu mos e zgjat shumë muhabetin,- më thotë.
Më sugjestionoi dhe unë mora një poezi të Gëtes, “Prometeu i Lidhur”, e mësova, u stërvita paksa. Mbaj mend një episod me babain, ku i thashë: Dua të shkoj të jap një konkurs.
-Ku?- më tha.
-Në Tiranë.
-Për çfarë?
-Për shkollën e aktorëve.
Ai ishte mjek, kishte mbaruar shkollën e Sorbonës në Francë, dëshironte shumë që një nga ne djemtë të bëhej mjek, vëllai nuk u bë e më thotë mua: “Në atë profesionin e artit ku do të shkosh ti, ose duhet të shkosh në majë ose s’ia vlen t’i hysh asaj shkolle. Aty ke të bësh me një profesion publik”. Kur fitova konkursin, unë i ktheva përgjigje babait si me humor me thënien e famshëm të Cezarit: “Erdha, pashë, fitova!”
Filmi i parë
Pas mbarimit të shkollës, fillova me Teatrin e Rinisë, më mbajti Kujtim Spahivogli. Isha pjesë e bërthamës artistike të atij teatri. Kjo ka qenë periudha e parë profesionale, kam nisur si aktor teatri dhe më pas ai teatër fatalisht u prish. Hyrja në kinematografi ishte që në kohën shkollore, kam pasur fatin që të kem një nga regjisorët e shquar të kinemasë, siç ishte Pirro Milkani, ai është ai që më zbuloi. Më mori në filmin e tij “Ngadhënjim mbi vdekjen”, ishte filmi i parë, por unë aty kisha një rol modest. Kam qenë në vitin e parë të shkollës, ishte përvojë shumë e bukur. Një fillim shumë i vështirë për mua. Ka diçka interesante në debutimin tim të parë në kinema. Të luaja në filma ishte ëndërr, investova shumë dashuri. Gjirokastra, qyteti i gjyshit, babait, ajo arkitekturë, këto ndikuan, më dukej sikur ecja në ajër.
Erdhi momenti i dublimit, këto që xhiroheshin në eksterier dubloheshin. I pyes se kur do fillonin dublimet, por më thonë se po e dublonte dikush tjetër rolin. Po pse?, i them.
– Po se kështu e ka menduar regjisori i zërit.
– Çfarë nuk shkon me mua?
– E ka zërin më interesant ai tjetri,- më thotë.
Po pse ma dhatë rolin, i them, apo të jem vetë si figurë atje e të mos kem zë?!
Unë e kam mik, e kam koleg, e kam pas shok kursi edhe për humor, filmin e dubloi Saimir Kumbaro. Më thotë Saimiri: “Unë kam dubluar filmin tënd, jam aktor më i mirë se ty”, dhe bënim humor.
Mua më dukej diçka e çuditshme dhe s’e kisha haberin pse… mbase mendova se atëherë kishte një klishe në konceptim e disa krijuesve që kujtonin që aktori duhet të kishte një zë të mbështetur dhe mbase ka ndodhur dhe ndonjë rast tjetër që kanë ardhur në idenë për të bërë ndonjë dublim zëri. I donin zërat e trashë, s’e shikonin zhvillimin e vokalit aktorial në dinamikë, por nga mënyra e impostimit.
Në një bisedë, Pirro Milkani më thotë se është filmi më i parë në Kinë, sepse këtu u ndalua sepse Edi Luarasi nuk kishte më të drejtë që të dilte në ekran.
Ne, për Kinën, ishim Hollivudi për atë periudhë. Më vjen keq që dhe Saimir Kumbaro e humbi shansin se u dublua, jo vetëm unë këtu në Shqipëri që më dubloi Saimiri, por edhe Saimiri u dublua nga kinezët. Kinezët më kishin ndryshuar edhe emrin, unë e kam Timotheo, ndërkohë që kinezët ma kishin bërë Timoleo Flloko. I them mirë që më dubluat zërin, po pse me ndryshuat emrin?!
Më thotë dikush që ashtu ishte menduar se emri është fetar, sepse ajo Timotheo, Theo do të thotë Zot. E di, u them, në nder të Zotit e kam emrin! Ky është emri im, pse s’ma thatë?
– Timoleo, Leo është luan! Dakord, i thashë, po herë tjetër po luajta ndonjë film, do ta heq Theon, do ta lë emrin vetëm me Timo.
Kritikat për aktrimin
Filmi “Përse bie kjo daulle” ishte filmi im i dytë, madje atëherë pati zëra nga regjisorë që thoshin: Sa keq ky djalë, ka këtë portret interesant, por nuk është aktor! Kur ke të bësh me një dramaturgji që s’ia vlente, çfarë të bësh! A kishte të drejtë, sigurisht që kishte të drejtë!
Debutimi im serioz në kinema i bëri njerëzit të mendojnë që ky Timo Flloko, që nuk është më Timoleo, qenka aktor, që mund të bëjë edhe role, siç ishte Meço. Dy rolet e para ishin thuajse eksperimentale, s’kam qenë nga ata aktorë që rolet e para i kam bërë shumë mirë. Unë e fillova si një amator. Luaja partizanin Meço, një bari, bëra një karakterizim të pamundur në kinema. E pikturova trashë, kur u shfaq filmi në kolektiv i befasoi dhe mbaj mend Dhimitër Xhuvani tha: Ky djalë ka bërë një rol shumë të mirë dhe ky rol do mbetet në fondin e kinemasë, në CV e tij ky është rol që i hapi shtegun e karrierës.
Më thotë Viktor Gjika: “Urime për rolin!”. Po më thua urime, i thashë. Pa kujto ç’ke dhënë më parë, kam një portret, por s’jam aktor. Ja e shikon që jam aktor!
Pse cenzuronte komunizmin
Filmi “Festa e madhe” ishte një dalje nga kornizat. Për herë të parë xhirohej një film me ekran të gjerë dhe më ngjyra. Censura bëri punën e vet, u konsiderua si film modernist.
Më tha dikush: “Festa e madhe” shkoi në kosh! Çfarë kishte të veçantë? Ca bluza kishin ardhur nga dërgesat amerikane, unë isha me një aparat fotografik dhe me baseta. Kur e kemi parë pas disa kohësh, më thotë Pirro Milkani: “Shiko!”. Dhe unë s’u besoja syve, pas këtij filmi u qethën të gjithë shqiptarët se në atë kohë ishte normale të kishe baseta, por pas Plenumit të Katërt famëkeq të Komitetit Qendror, po të nxirrej film me baseta në atë kohë, kush e di ç’mund të kishte ndodhur. Asnjë aktori s’i del e keqja me censurën.
Censura është si një grua xheloze, të hiqte gjithçka. Mua më ka ndodhur që kam marrë role, të cilat pastaj kur i preku censura kam thënë: pikërisht për atë skenë që hoqën, e mora.
Kështu ka ndodhur me “Ballë për ballë”, ku kisha rolin e një inxhinieri rus, që është shkruar me mjeshtëri nga Kadare, por gjysmën e monologut e prenë. Pse e hoqët, i thashë, më shkatërruat monologun, është e tmerrshme. Ashtu është, më thanë, por kënaqu se mund ta kishin hequr fare.
Te “Malet me blerim mbuluar”, Anagnosti ka hequr një episod të tërë kur ecnim, por sepse nuk ishte realizuar teknikisht. Por kur ta priste censura, vinte një komisar dhe thoshte që të hiqet kjo. Në çdo film ndodhte kjo. Ka ndodhur dhe te Kanan Tafili në fillim dhe kur e pashë, i gjithë skenari kishte ndryshuar.
Nuk e luaj, u thashë, por me thanë se janë marrë të gjitha masat kështu që do paguaja kostumet, sipas asaj që më thanë ata të administratës. Aty ishte futur një rol tjetër që luante Petrika Gjezi, që e luante mirë, por ishte futur komisari, nga njëra anë Kanani që ishte komandanti dhe njeriu i aksionit, nga ana tjetër u fut roli i komisari. Çdo gjë bëhej e dubluar. Kjo gjë u bë dhe të Çerçiz Topulli. Nga njëra anë Çerçizi nga ana tjetër Mihal Grameno, të dy figura të shquara. Thellë-thellë censura druhej që asnjë figurë e karakterit historik dhe mitologjik të mos konkurronte figurën e udhëheqësit, kjo është qesharake.
“Malet me blerim mbuluar”
Një nga filmat për luftën më të realizuara, Anagnosti është regjisor i aftë dhe filmat e tij janë ‘autorë’. Pati impakt që në fillim, unë kaloj lumin në atë film.
Unë sapo kisha mbaruar rolin e Meços dhe më propozon që të bëj Jahon në kinoprovë, por vjen asistenti një mbrëmje, ishim gati për të nisur xhirimet.
“Ti,- më tha,- do bësh Kapo Dalipin, ti djali!”. Mevlani kishte për bërë prova për Kapon, kurse rolin e Jahos ia dhanë Viktor Zhustit, Peliçelin Vangjush Furrxhiut. Aty ku futja në lumë duket e rrezikshme, nuk ishte e tillë sepse ne xhiruam në lumin Pavllo në Konispol, ku ngjan si lum i rrëmbyeshëm. Jam futur me dhjetëra herë dhe nuk e kalova asnjëherë lumin.
Do xhironim në Vjosë, më thotë Vangjush Furrxhiu: “Je i marrë, do shkosh ta xhirosh?! Të marrin shembull, shtyje!”.
Jam i detyruar ta bëj, i them. – Ta bëjnë si të duan! Të shkojnë të xhirojnë në legen. Ta bëjnë ku të duan! Si do futesh ti atje, s’je në vete… I thashë, o Vangjush, mua për këtë not ma dhanë rolin, pse ma dhanë rolin e Kapos. Unë do ta bëj këtë punë. Shkruam të nesërmen për xhirime, erdhi dhe Vangjushi. Futem në ujë, aty pak më tutje ishte mbytur një polak. E quanin mjaft të rrezikshëm si vend. Asnjë litar, asnjë gjë. E pashë sikur më tërhiqte dikush poshtë, me automatik italian në qafë, me pantallona angleze, me këmishë dhe çorape leshi…
Ai ishte plani më i rrezikshëm dhe po mendoja, po sikur të më kapë ndonjë rrënjë peme, se ishte lumë i turbull. Po mendoja se ku do dilja. U tregova i qetë dhe s’më zuri paniku dhe dola anash lumit. Vijnë të gjithë dhe Vangjushi, isha zverdhur në fakt, kisha një ndjesi dhe kisha ftohtë. Më dhanë dhe shishen e konjakut për t’u ngrohur. Më thotë: “Taqo, hajde të ndërrohemi!”. Jo, i thashë, nuk futem më. “Do bëjmë dhe një dubël”, më tha. Jo, i thashë, s’e bëj më! S’futem më. Nuk më hipi ndonjë fobi, por aty më kapi një inat dhe i dhashë të drejtë Vangjushit. Jo, i thashë, nuk do futem më.
Përdorimi i armëve
Mund të kem përdorur shumë e shumë armë. Mund të them nga të gjitha llojet e armëve, që nga pistoleta deri te topi. Automatiku italian, automatiku gjerman, belgjiku etj., deri te topi, i kam përdorur të gjitha. Madje, në këtë drejtim, po ta gjykosh karrierën time, unë duhet të kisha gradën ‘Gjeneral’.
“Lulëkuqe mbi mure”
“Lulëkuqe mbi mure” është një film epokal, një nga majat e piramidës së kinematografisë shqiptare, kompleks, i arrirë në të gjitha elementet. Flas si spektator, realizime të mrekullueshme të Kadri Roshit, të Agim Qirjaqit… Të gjithë rolet e tjerë dhe fëmijët, të jashtëzakonshëm. Kohë korriku mbaj mend që xhironim..
Më thotë Agimi: “Ç’patëm, o Timo, që u futëm në këtë film fëmijësh?”. Se film për fëmijë dukej. Në fillim s’kam dashur ta marr rolin, ai e kishte pasur për Vangjush Furrxhiun, por ai e kishte refuzuar rolin.
Mësuesi ishte një rol psikologjik, Anagnosti kërkonte të sillte atë që nuk ishte e dukshme, pak a shumë atë që kanë sot aktorët e metodës, të parimin e ajsbergut, se çfarë fshihet brenda një karakteri. I kuptoja gjërat në mënyrë profesionale, kisha rënë në kontakt dhe me kinemanë amerikane, kisha studiuar edhe mbi De Niron, Paçinon dhe Xhek Nikelson.
E dija seç ishte parimi i planit të thellë tek aktori. S’më pëlqente ai momenti i poezisë, se unë thosha ç’është ky mësues që reciton? Dhe i them ta heq një strofë te recitimi?
Të nesërmen në mëngjes thash se e harroi dhe e ia hoqa një strofë.. Ai e pa që e kisha hequr strofën dhe isha i karikuar… Unë bëra një provë që e lëshova veten, zakonisht aktori nuk e jep veten, mbase ky ishte dhe një gabim nga ana ime. Kemi bërë 8 dubla kur më tha: “Shpejt kamera këtu, pas Thimos!”.
Nuk donte të ikte ky moment. Në një dubël u përpoqa të shtoja një dozë emocionaliteti, një sentiment, por më tha stop. “Shko të muri ku ishe!”. Regjisori kërkonte realizëm të skajshëm./eksluzive.
ObserverKult
Lexo edhe:
TIMO FLLOKO ZBULON DISA “SEKRETE”: SI E REALIZOVA ROLIN E MATO GRUDËS, Ç’MË THA DRITËROI
Çdo tekst i Dritëro Agollit shquhej nga mprehtësia, humori i hollë, gjuha e pasur, gdhendja e karaktereve.
Nga këta të fundit ka të tillë që janë ngulitur thellë në memorien e lexuesit apo shikuesit, kur ai ka marrë mish e gjak prej një aktori.
I tillë është edhe Mato Gruda, personazhi kryesor i romanit dhe filmit “Njeriu me top”
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult