Odise Plaku: Si herët shkove dashuria ime!

Poezi nga Odise Plaku

Si herët u lodhe me dashurinë tonë,
betimet i mori larg lumi i rrëmbyeshëm.
Me bërryla shtyj orët e ditës sime memece,
pa fjalë, pa zile telefoni, pa pyetjen “Si je?”.

Të kisha premtuar që zvarranik nëpër këmbë
për pak dashuri jo kurrë nuk do të isha në jetë.
Trupin tim të përdredhur në pluhurin e kohës,
asnjë këmbë nuk do të mund ta shkelte dot.

Jam mësuar edhe me braktisjet në jetën time,
por ama kurrizin samar nuk e bëra asnjëherë.
Zjarrin në zemër e mbajta të ndezur përherë,
në kraharor të mbështillja si bebe motake.

Si herët u lodhe me dashurinë tonë,
a mos vallë dashurinë s’e kishe asnjëherë në zemër.
Vërtetë më shtegtuan shumë gjëra nga koha jonë,
kokën mbështes si murgu në supin e munguar.
Si herët shkove dashuria ime!

ObserverKult


Lexo edhe:

S’KA ME T’DASHTË KUSH, KURRË MA SHUMË SE UNË, POR KËTU U KRY. MBAROI!