Agron Tufa: Pas teje

Pas teje, si pas një lufte të madhe,
në “para” dhe “pas” koha ime ndali:
humbjet janë modeste në listat zyrtare,
por tempullin më t’afërt e zuri spitali –

një vit më parë. E me gjasë, përgjithmonë.
Trishtohem teksa lutem, kruspull, trajtëlëvoreje,
duke u ngushëlluar me faktin se mjerimi im
nuk është i ri, si e prapmja e çdo fitoreje –

aq më tepër e vjetshmja. Shpresa të rrejshme!
Tregu i zi i dimrit, ku më shtrenjtë se buka
janë fotot e tua, letrat, dëbora e djeshme
dhe një rriskë qielli harruar ndër fusha!

Tek nxitoje, ti harrove shallin e kaltër
në paradhomën time ku pluhuri nuk mbyll sy.
Dikush tha: “Në dashni nuk nguten sall shpirtrat e pastër”.
Të lashtë shpirtrat tanë, sa qind perandori –

dhe ashtu si perandoritë bien ndër vite, muaj,
tek u hapin udhë turmave t’urryera,
shpirtrat bëjnë sehir qysh një pasion i huaj
e mbush akropolin me statuja të thyera…

Të shpëtuarat janë të lume; njësoj në plojë:
kush një krah të thyer, kush një këmbë
humbur qëmotit…
Pas teje, si pas një lufte të madhe
ia dola të kthehem. Dhe lavdi Zotit!

ObserverKult