Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtarja, Erina Çoku
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Çasti kur përqafon njeriun që ta do shpirti. (Prind, fëmijë, motër, vëlla, i dashur, mik i shtrenjtë)
Cila është frika juaj më e madhe?
Se mos frikërat e vogla bëhen të mëdha.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Tim bir.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Nuk e dëshiroj një gjë të tillë.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Jam pajtuar tashmë me mospëlqimet e mia.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Hipokrizinë, ligësinë.
Në cilat gjëra e teproni?
Racionalizimin e kohës.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Asgjë.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Ai që shkon drejt një përqafimi. Ai që të çon përpara. Ai ku pemët më shoqërojnë anash e më flasin.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
E, mirë-mirë.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Për kohën e humbur.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Familja.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
E bukur.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Komunikimin me kohën.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Bijtë – Dashurinë – Krijimtarinë – Gjallimin.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Lëvizjet e fatit në kohë.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Unë.
Cila është gjëja më e shtrenjtë që e posedoni?
Dashuria.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Shpirtvogëlsinë dhe negativitetin.
Ku do të dëshironit të jetonit?
Larg.
Cila është cilësia juaj më e veçantë?
Mënyra si dua-dashuroj, njerëzit – jetën – universin.
Çfarë vlerësoni tek një burrë?
Fuqinë e dashurisë.
Çfarë vlerësoni tek një grua?
Dhembshurinë e dashurisë.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
Asnjëherë nuk është një. Në periudha të ndryshme kohe varësisht çka je a ke nevojë një autor të bëhet bashkudhëtar, ngushëllim, strehë, rrëfyes a diçka e tillë. (Odisea Elitis, Jazra Khaled, Nikola Madzirov, Roberto Bolanjo, Yehuda Amihai, Martin Camaj, Dostojevski etj.)
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Prindërit e bijtë e mi.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Për të kënduar. Për të vallëzuar.
Si do të dëshironit të vdisnit?
Në krahët e bijve. Duke shtrënguar dorë dashurie. E qetë, pasi kam thënë të dua-t e mia.
Cila është motoja juaj?
Mbaje zemrën çelë e ec përpara, sido që të jetë.
ObserverKult
————————-
Lexo edhe: