Emin Z. Emini: Gishtat e këmbëve

Poezi nga Emin Z. Emini

e takova rastësisht në plazhin e jalës
nuk e pyeta sa centimetra i ishin rritur flokët prej kur nuk ishim parë
as e pyeta për sandalet me rripa hollakë
tek ia shikoja gishtat e këmbëve

për dreq isha bërë çilegurigojën

as dita t’i thoja se më kishte munguar
më shumë se gjuhët e flakës gurëve të oxhakut
në dimrin tim

besova se ata rripa qenë vijat e një pentagrami të çuditshëm
që sytë e njerëzimit kurrë më parë nuk e kishin parë
vizatuar në lëkurën bojëkakaoje

gishtat
ah gishtat me thonjtë prej luleshtrydhesh të egra
taste fizarmonike
vala e kaltër i përqafonte
i puthte me dashuri kripe

u ndamë
pas shpinës dëgjova tingujt e erës së detit
që derdhte fizarmonika

dhe tutje deti i kuq
deti
me lëng luleshtrydhesh.

ObserverKult


Lexo edhe:

EMIN Z. EMINI: DUA TA ZGJEROJ KOZMOSIN AQ SA TA ZËRË DASHURINË TIME

Në rubrikën Personale, mysafir yni është poeti Emin Z. Emini.

Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?

-E di se kjo është përgjigja më e zakonshme: nuk e di. Por, vërtet nuk e di, qoftë nëse flas për takimin tim të parë me letërsinë e shkruar nga të tjerët, qoftë me letërisinë e shkruar nga unë.

Tani, nëse veç duhet të them dy fjalë, librat e parë që kam lexuar si fëmijë, natyrisht ishin ata të moshës e “modës” së asaj kohe. Libra shkollor, kryesisht. Kam lexuar edhe libra që ishin të ilustruar me imazhe dhe atëherë ata i gjeninim vetëm në serbokroatishte (“stripa” – libra argëtues, komik), të cilët kryepersonazh kishin o Blekun, o Zagorin. Dhe libra të tjerë që lexoja gjatë pushimeve të verës a të dimrit, ndonjëherë edhe deri në 200 faqe në ditë…

Tekstin e plotë e gjeni KËTU