Emin Z. Emini: Dua ta zgjeroj kozmosin aq sa ta zërë dashurinë time

emin z. emini
Emin Z. Emini

Në rubrikën Personale, mysafir yni është poeti Emin Z. Emini.

Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?

-E di se kjo është përgjigja më e zakonshme: nuk e di. Por, vërtet nuk e di, qoftë nëse flas për takimin tim të parë me letërsinë e shkruar nga të tjerët, qoftë me letërisinë e shkruar nga unë.

Tani, nëse veç duhet të them dy fjalë, librat e parë që kam lexuar si fëmijë, natyrisht ishin ata të moshës e “modës” së asaj kohe. Libra shkollor, kryesisht. Kam lexuar edhe libra që ishin të ilustruar me imazhe dhe atëherë ata i gjeninim vetëm në serbokroatishte (“stripa” – libra argëtues, komik), të cilët kryepersonazh kishin o Blekun, o Zagorin. Dhe libra të tjerë që lexoja gjatë pushimeve të verës a të dimrit, ndonjëherë edhe deri në 200 faqe në ditë.

E, tregimin e parë, që për mua atëbotë ishte tregimi më i bukur, e kam shkruar në klasën e katërt. E pata titulluar “Bora e lagjes” dhe e kujtoj edhe tani sepse ishte i bazuar në një ngjarje të vërtetë. Personazhet ishin shokët e mi dhe unë bashkë me ta.

Pak a shumë, ky ishte tregimi: Pasi bie bora e parë, fëmijët e lagjes e bëjnë dertin dhe planin për të vjedhur disa arka të birrave në magazinën e dyqanit “Gërmia”. Me to do të ndërtonin nga një palë ski për secilin dhe pastaj së bashku të luajnë hokej mbi borë. Në vend të “topit”, ekipet kundërshtare përdorin një kuti konzerve të firmës “Carnex”. Edhe topi-konzervë i hokejit ishte i ‘vjedhur” nga një reklamë televizive. Gjithçka përfundon me lëndimin e Fimit, (Afrimit) kur pahiri e godet pak mbi vetull kutia e konzervës dhe bora e lagjes skuqet.

Përkundër dëshirës së madhe, tregimin nuk e dërgova për botim te “Pioneri”, sepse fitoi mendimi unanim i “piratëve”: jo, nuk bën se kështu dekonspirohemi dhe na përjashtojnë nga shkolla. Përjashtimin nga shkolla e hudhi si ide “kryetari” jonë, i cili ishte më i madhi nga ne. Tani ai është specialist i neurologjisë.

 Kur ratë në grackën e saj?

-Sigurisht, grackën e parë ma kanë bërë librat për fëmijë. “Lugjet e verdha” të Rexhep Hoxhës e kam lexuar si lektyrë shkollore, por aq shumë më kishte lënë mbresa, sa që e kam rilexuar pasi kam arritur moshën e pjekurisë.

Librin “Posta e porositur” e Mark Krasniqit, të cilin po ashtu e kam lexuar si fëmijë, shumë vite më vonë, menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, e kam bërë shfaqje me fëmijët e moshës 5-12 vjeçare.

Këtë projekt e pati financuar një fondacion norvegjez dhe për ta bërë edhe më të madh e më të plotë gëzimin e fëmijëve, bashkë me përfaqësuesin e projektit norvegjez, patëm shkuar në teatrin e Shkupit për të huazuar diç nga kostumet dhe maskat që nuk i kishim e na duheshin. Asnjëherë nuk mund t’i harroj xixëllimat në sytë e atyre fëmijëve që vetëm pak muaj më parë kishin përjetuar tmerret e luftës.

Po kështu, pas shumë vitesh iu kam rikthyer poezisë së Ali Podrimjes dhe Azem Shkrelit. I kam dramatizuar vargjet e tyre dhe i kam bërë shfaqje. Disa ditë pas premierës, rastësisht e takova Ali Podrimjen, me të cilin pasi u falëm, kthyem në një kafene. Ali si Aliu më, më tha: hej babo, e di ti se je magari më i madh i shqiptarëve? Po, sepse ti je që je kujtuar dhe e ke bërë dramë poezinë time, e ke bërë teatër dhe kjo është gjë e madhe, është festë. Prandaj, për këtë hatër ma ke borxh edhe një birrë. Pas ikjes së tij në paqen e përjetshme, kam shkruar një poezi për Poetin.

Tani, përderisa nuk e kam përfunduar tetëvjeçaren, kryesisht kam lexuar letërsi kombëtare. Thellohesha aq shumë në lexim sa përjetoja gjithçka si të isha edhe unë njëri nga personazhet e atyre romaneve. Kisha përshtypjen se edhe unë ecja nëpër ato rrugë e rrugica të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, saqë kur kam shkuar për herë të parë në Shqipëri, në majin e 1998, pasi e kam kaluar ilegalisht Bunën dhe kam shkelur me të dy këmbët në tokën e atdheut të ndarë, nuk di si e pse e kam kapur veten duke i kërkuar me sy ato rrugë, sheshe, uzina e ato shtëpi të romaneve. Shikoja njerëzit dhe kërkoja tek ta ngjashmëritë me personazhet e librave të lexuar. Këtë detaj timin e ka futur pastaj në një dramë të tij, dramatisti e miku im i çmuar, Ferdinad Hysi.

Shumë më vonë, pas letërsisë shqipe, kam zbuluar grackat e autorëve të letërsisë botërore. Të kryeautorëve. Të tragjedianëve grekë, të Shekspirit, të Kafkës, të Kunderës, të Sabatos, Beketit, të Dostojevskit, Tolstoit, të Markezit e Murakamit, etj, etj. Disa nga veprat e këtyre autorëve i kam inskenuar.

 -Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?

Ha ha ha! Shkrimtar? Shumë moti, aq moti sa tash më bëhet se kam harruar. Kam qenë nxënës i gjimnazit, kur nisa të shkruaj. Në fillim nuk e dinte askush. Hyja në dhomën time dhe ndihesha se jam në një botë tjetër, aq më tepër kur degët e kumbullës, nëse e hapja dritaren, futeshin në dhomë. Aty, unë isha unë. Shkruaja, por jo çdo ditë.

Në atë dhomë kam shkruar romanin tim të parë “Plumbat e kohës së kujtimeve”, por ky dorëshkrim me shumë shkrime të tjera nuk iu kanë shpëtuar ditëve të luftës. Shtëpia më është djegur, por “thesari” im jo. Megjithatë, ai nuk shpëtoi dot. Qe pse. Të gjitha shkrimet bashkë me disa albume fotografish dhe copëra gazetash ku lakohej emri im, i pata mbështjellur me një qese pastmasi dhe i pata “varrosur” në oborr.

Megjithatë, uji kishte depërtuar brenda dhe e kishte bërë të tijën, pothuaj gjithçka ishte bërë e palexueshme, ishte fshirë boja dhe letra kishte zënë të kalbej. Dorëshkrimet, të tilla dhe aq sa kanë mbetur, ani pse gati kretësisht të shkatërruara ende i ruaj me xhelozi. Ato, edhe tani janë dhimbja ime e madhe, jo për vlerën letrare e artistike të tyre, sigurisht, por për faktin se ato, dikur, më kanë bërë të ndihem ai që doja të isha, shkrimtari.

Gjëtë kohës sa isha “shkrimtar”, kam shkruar poezi, por edhe pjesë të shkurtër skenike, sepse tashmë kisha disa vjet që isha aktor, fillimisht në teatrin e fëmijëve, ndërsa prej shkollës së mesme në teatrin e të rinjve në Fushë-Kosovë.

Më ka rastisur disa herë të shkruaj edhe letra dashurie. Letrat, atëbotë qenë në trend dhe ishin “dhuratat” e parapëlqyera për shumicën e vajzave. Dhe për t’i shkruar ato, qoftë nëse këtë ma kërkonte ndonjë shok imi, qoftë dikush tjetër që sugjerohej tek unë, kisha një kusht: duhej paraprakisht ta shihja vajzën së cilës i dekikohej letra, në mënyrë që pastaj ta përshkruaja e ta himnizoja bukurinë e saj. Pra, t’ia shihja sytë, edhe ngjyrën e syve. Pa këtë “inspektim” nuk e shkruaja dot.

Njëherë më pati rastisur të shkoj në fakultetin teknik, me një student nga Dukagjini dhe me të vëllain e shokut tim të bankës. Vajzën, që dashuronte deri në vesh, siç thuhet, e gjetëm në një amfiteatër. Nuk m’u duk e bukur, fare. Por sa afroheshim, bukuria e saj sa vinte e shpalohej, si të çmbështillej nga një tis mjegulle. Kishte disi një bukuri të fshehur. E qava dhe e thava letrën. Të dytën e ndeza zjarr dhe e bëra hi. Ha ha ha, kështu besoja atëherë. Nuk pati nevojë për të tretën. Vite më vonë, kam qenë i ftuar në dasmën e tyre. Kanë krijur dhe familje. Fatkeqësisht, u bënë sa vjet e Dani nga Dukagjini, nuk jeton më.

Pra, “shkrimtar” dhe sidomos “poet” kam qenë edhe gjatë kohës sa isha nxënës në shkollën e mesme të mjekësisë në Prishtinë. Atëbotë, nëse dikush guxonte të gërvishte, shkruante a vizatonte ndonjë gjë në muret e klasës, a të korridoreve të shkollës, ndëshkohej. Sapo u kthyem në shkollë në shtatorin e radhës, muret ishin lyer dhe shkëlqenin.

Edhe dyshemeja e klasës shkëlqente. Unë shkrova në muret e klasës me laps kimik disa nga poezitë e mia, me emër e mbiemër. Secili nga profesorët që vinte në klasë, ndalonte para tyre, i lexonte madje ndodhte edhe t’i komentonin. Nuk u ndëshkova, përkundrazi, u shpërbleva me notën maksimale për periudhën e parë (një vit shkollor kishte katër periudha – katër vlerësime dhe vlerësimi i pestë ishte formal e që ishte nota përfundimtare) nga profesoresha e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, tani poetja e dashur për fëmijë, Kismete Hyseni.

Kam vazhduar kështu deri në vitin e tretë të studimeve për mjekësi, kur e harrova shkrimtarin. Shumë, shumë vite më vonë iu kam rikthyer poezisë. Rastësisht. Në trenin e linjës Prishtinë – Fushë Kosovë. Në celularin Iphone 4 s.

Tani, t’i kthehem edhe njëherë pyetjes tuaj për ndjenjën e të qenurit shkrimtar. Gjatë këtyre viteve kam shkruar në gjini e zhanre të ndryshme letrare, por kam krijuar edhe në mediume të tjera joletrare, siç është fjala vjen teatri, apo dikur moti gazetaria e shkruar. Prandaj me “shkrimtarin” tim shpeshherë kanë bashkëjetuar e bashkëjetojnë edhe regjisori, edhe studiuesi i letërisë dhe teatrit, dhe shpeshherë këta autorë kundërshatarë ia zënë frymën njëri-tjetrit. Edhe frymëzënia është jetë për mua, por në një format tjetër. Të gjithë këta autorë pra, më sjellin katarsisin, në mënyrën e tyre.

 A ia keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?

-Po. Por, nuk e kam gjetur përgjigjen, ose më saktë kam gjetur disa sosh. Kam lexuar edhe shumë përgjigje të autorëve të ndyshëm, shqiptarë e të huaj. Madje, e dini, ka nga ata që e mohojnë shkrimtarin si autor i veprës, ngase vepra është ajo që e bën shkrimtarin dhe, në këto raste, nuk ekziton pyetja “pse shkruaj”.
Ndonjëherë kam menduar se akti i shkrimit të jep një favor të artë: të rrish, t’i shohësh, të flasësh e të qeshësh me ata që do, e ndonjëherë edhe me ata që “vrasin” pas shpine. Herë tjetër, kam besuar deri në naivitet se shkrimtaria është proces jo për ta njohur realitetin a fatin e ndonjë personazhi (që krijojmë), por për ta krijuar të vërtetën, e cila gjithmonë në jetën e përditshme ose është shumëfytyrëshe, ose e është e munguar.
Për ta krijuar të vërtetën e cila nuk ekziston. Dhe kur flas për të vërtetën, e kam fjalën për njërën nga komeditë e njeriut. Sepse, e vërteta, shkallët dhe lumturia s’janë veçse humori më i errët njerëzor. Pastaj, aktin krijues e kam pranuar si një mundësi reflektimi për ta ruajtur shëndetin mendor, ekulibrin, por ndonjëherë edhe si një guxim prej të çmenduri për të zhbiriluar në terrinën e vetes. Si akt i gdhendjes së gurit me gjethe dafine. Si një revoltë ndaj tri komedive të zotit: gravitetit, mëkatit dhe shpresës.

 – Çka ju bën të veçantë si shkrimtar? 

-Tani, duke mos e ditur përgjigjen pse shkruaj, si ta di në jam a jo shkrimtar, aq më tepër, si ta di të veçantën e këtij shkrimtari. Por, në këtë rast, për t’ju dhënë një përgjigje, shpëtimin e gjej tek të tjerët, te kritika, te studiuesit dhe shkrimtarët e tjerë. Fjala vjen, nëse flasim për poezinë time, e veçanta e saj është thënë e shkruar se ndodhet në ritmin, në melodinë e saj, e cila është krahasuar me muzikën klasike, me “simfoninë e pestë të Bethovenit”, ndërsa subjekti lirik i trilogjisë për Moirën, Moira pra, është quajtur “shemra e të gjitha grave që nga Eva e deri te Beatriçeja, Laura, Dylçineja e të gjitha Anat varg e vijë” (Adem Gashi, poet e shkrimtar).

Është konstatuar nga shumë kritikë se lirika ime ka brenda të mishëruar edhe dramatikën, madje e tërë poezia është quajtur me një term të shpikur “lirikë dramatike”, ndërsa për librin “Fjalë të bukëta” dhe subjektin lirik të saj – Kapedanën, më është thënë nga shumë njohës të letërsisë e krijues të saj, fjala vjen, “vetëm kapedanët mund të shkruajnë aso vargjesh” (Agim Vinca, poet e studiues), ose, ta zamë, gjuha e poezisë sime, pra fjalët poetike, janë vlerësuar si “fjalë të pjekura mirë” që iu përkushtohen “një ndjenje të veçantë, që është sa tokësore, aq e përjetshme, që është sa e përditshme, aq edhe e përtejkohshme… me frymëzim e ndjeshmëri me përmasë kozmosi” (Emin Kabashi, studiues dhe shkrimtar). Dhe në fund të kësaj përgjigje, po e ha me bukë modestinë, qoftë për poezi, dramë a regjisurë jam lauruar me çmime të ndryshme.

– Çka keni thënë me shkrimet tuaja?

-Tani e kam lehtë, pa pretenduar të jap përgjigjen e plotë, nëse jo të duhurën, mbase të priturën. Në vend të përgjigjes prandaj, po sjell dy-tri vargje të poezisë sime, Letër letrës, botuar te libri “Asaj ia kam vjedhur vargjet:

dua
Nga majë e botës nga fundi i saj
Ta zgjeroj kozmosin aq sa ta zërë dashurinë time

Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?

-Gjithçka dhe asgjë. Që i bie, e pathëna.

 – I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?

 -As njërës, as tjetrës. Muzat, për bindjen time s’janë veçse një mit i çmitizuar. Një mit që e ndante shkrimtarin nga qenia njerëzore. Dhe kjo atëbotë, në kohën e hyjnive ishte gjë e shenjtë për shkrimtarin. Sepse, shkrimtari – poeti, sipas koceptit që mbështetej në frymëzim, në muza, doemeos ishte një qenie e përdalluar nga perënditë, në kuptimin e mirë të fjalës, ndryshe nuk do të ishte krijues. Ishte vetë një lloj i hyjnisë.

Sepse, vetëm Zoti është krijues dhe për të qenë edhe njeriu krijues duhet të ketë diçka hyjnore, frymën hyjnore pra, frymëzimin. Sepse, shkrimtari deomos duhej ta kishte një muzë, qoftë nëse muza është vetë perëndi, apo tek e fundit qenie njerëzore. Por, antika ka ikur moti, ani pse bukuria dhe madhështia e saj janë në ne, brenda nesh, si kujtesë e çfarëdoqoftshme, apo sido e çkado të jetë ajo, tashmë s’është veçse njëfarë lloji i të pavetëdijshes kolektive.

Por, jo edhe si diçka që ndodh tani dhe këtu. Po ashtu, siç muzat greke, ashtu edhe Horaci i takon kujtesës historike dhe letrare, dhe ata që ai i quante vates, (poetët – shkrimatrët) ani pse duhet të jenë, “parashikues të gjërave” (Horaci), nuk besoj se vates-it e sotëm kanë nevojë të ndihen e shtyhen nga muzat, nga hyjnitë.

Ndërsa, pjesa e dytë e pyetjes që ka të bëjë me punën e pareshtur, madje deri në përvuajtje që duhet të bëjë një shkrimtar, për mua zgjon një asociacion të padurueshëm, sipas së cilit shkrimtari më ngjan me një këpucar, i cili brenda një orari pune të pareshtur dhe, e theksoj të përvuajtshme, i duhet të prodhojë aq e kaq palë këpucë, ose aq e kaq bashka leshi i duhet tjerrur brenda një orari për të thurur aq e kaq triko.

E kuptoj se shkrimtari “profesionist” (mbiemri profesionist është futur në thonjëza sepse për mua shkrimtari o është shkrimtar, o nuk është dhe, gjë tjetër pastaj është niveli letrar, artistik, estetik i veprës), ka njëfarë kodi të punës e brenda tij edhe njëfarë orari, por nuk e kuptoj si ka mundësi, ta zëmë, të ulesh para laptopit e t’ia nisësh krijimit si me sustë, thuaja se fusha e shkrimtarisë është një diçka robotike, ose ta zëmë krijimtaria me orar është si një ndeshje basketbolli, në të cilën numërohen edhe të qindat e sekondës së kohëzgjatjes së ndeshjes, sepse kur topi nuk është në fushë, nuk quhet lojë aktive, që i bie, kur shkrimtari nuk krijon sipas orarit, është duke ndenjur kot gjatë orarit të punës.

Te shkrimtari ndodh (edhe) kundërta pra, edhe në kohën “joaktive”, që i bie edhe kur nuk shkruan, ai, është duke shkruar, pa marrë para sysh në ndodhet, ulur para monitorit, është duke ngjitur malet, a në “gjumë deket”. Me këtë dua të them se secili në mënyrën e tij, ka njëfarë procesi, njëfarë “orari” dhe ka një njëfarë laborator vetanak.

Për hesapin tim, shkrimtarin nuk e bën as muza, as përvujtja, qoftë nëse ajo e shpie deri në vdekje. Nuk e bën as talenti… Shkrimtarin e bën shqetësimi. Nga një qenie njerëzore, e cila nuk shqetësohet për asgjë, nga ajo nuk bëhet asgjë. E shkrimtari është pikërisht ajo qenie që i shqetësohet bota mendimore dhe emocionale. Këtu dhe zë fill akti i krijimit, puna. Ndryshe nuk bëhet shkrimtar, shkrues po.

Pra, dua të them, kot pretendoni ta mbushni plot një shoshë me verë dhe, e kundërta, presioni nga vlimi i ujit, ia hudh tutje kapakun tenxherës. Pra, duhet një gur shqetësimi (pa rëndësi në është i brendshëm a i jashtëm) për t’i lëkundur, për t’i dridhur e derdhur enët emocioanle dhe mendimore.

Ky shqetësim pastaj do të përhapet, të themi në formë të rrathëve koncentirikë, a çfarëdo forme tjetër… Pastaj gjithçka është e mundshme të ndodhë, valet, dallgët mund ta shembin a ta krijojnë një botë të tërë. Një botë.

Sa jeni sistematik në të shkruar? 

-Nëse me “sistematik” nënkuptohet vazhdueshmëria, kjo nuk ka të bëjë me mua. Pra, një punë e pandërprerë. Pa pauza. Jo. Dua të them, për mua shkrimtari nuk është shtrati i një lumi, uji i të cilit rrjedh vazhdueshëm dhe pandërprerë. Nuk është pra, as burimi i atij uji që rrjedh, po ashtu në mënyrë të vazhdueshme, të pandërprerë.

Shtrati edhe mund të shembet nga vërshimet, mund të vetëkrijojë pendë, por edhe uji mund të shterojë ose të merr udhë tjetër kur nuk i bie tamam shtrati. E, nëse me “sistematik” nënkuptohet metoda dhe vetë procesi si akt krijues, natyrisht, përgjigja është po.

Madje, kjo sikur na çon te ajo teoria se shkrimtari gjatë gjithë jetës së tij, deomos sipas një strategjie, sipas një plani të përcaktuar, gjatë jetës së tij nuk shkruan gjë tjetër pos veprën e tij autoriale, e cila është vetësitemuar, vetëndarë, vetëprofilizuar, vetëklasifikuar sipas kategorive shkrimore e estetike dhe sipas fazave kur ajo është krijuar. Shto këtu edhe shumë e shumë faktorë të tjerë.

 -Sikur të fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?

-Pyetja determinon përgjigje hipotetike. Po, do të bëhesha ky që jam, me kushtin që të ecja prapë nëpër të njëjtat rrugë jetësore, të kaloja nëpër të njëjtat peripeti e gëzime, nëpër të gjitha “të njëjtat” jetësore, pra nëse do të përsëritej e të ndodhte njëjtë gjithka, do të bëhesha prapë i njëjtë.

Me një mot tjetër, do të kisha frizurë tjetër, mbase

ObserverKult


Lexo edhe:

EMIN Z. EMINI: DASHURIA E DETIT ME HËNËN

Emin Z. Emini

hukama e hënës bukurezë
zemrës së detit i shkakton ekstrasistola

stërkalat ujëkaltra këputen dallgësh

shkëmbit të pritjes me shpirt të gufuar
sipas ritualit të miliona vjetëve përplasen

thyhen copëtohen thërmohen
nga dhimbja e detit për hënën

qeniet e tyre të lotta
zjarrtas përkdhelen e shuhen nga duart prej dielli

të pashpirta lart ngjiten
lart mbi bedenat e hënës
symbyllura në paqen e parajstë prehen
shtrirë në sarkofagun kapakhapur të reve shilarëse

pastaj pas fjalës së dhënë
ringjallen në trajtë krishti
rigojnë
pika-pika malli kthehen
e bëhen lotë në sytë e detit

ah mos më besoni
por paska një dashuri të përjetshme
sall një
kjo e ujta
që asnjëherë nuk i soset zjarri.

Kliko edhe:


CIKËL POETIK NGA EMIN Z. EMINI: VESHUN ME FUSTAN DJELLI

fjalë të bukëta

Ju ftojmë të lexoni një cikël poezish të Emin Z. Eminit, shkëputur nga libri i tij i fundit me poezi “Fjalë të bukëta”, Littera, 2002

VESHUN ME FUSTAN DJELLI

qjella eme
edhe hana u cokat n’drapën
në t’korrna të kallamoqit

mbas mesnat’s
andërr e preme re n’gropë t’oxhakut
të shpirtit t’em të mërdhimë

e erdhe e u dheze e u dogje
përreth verigut bollë prej tymnaje
u mb’shtolle

Klikoni për ta lexuar KETU

ObserverKult