Cikël me poezi nga Denata Rroji: Andrrat janë shelgje rrahun stinësh!

Ju ftojmë ta lexoni një cikël të zgjedhur me poezi të Denata Rrojit:

Me mangë e fshina dimnin n’xham,
rrketë me i zbrit poshtë,
me ujit pranverën me mimoza.

***

Kur zemra u pushtu
Kapakt e syve u mbyllën
Kishin pa mjaftueshëm
Langu i strehum brenda tyne
Njelm përditë frikën
Për mos me t’humbë…

***

Rrugës për n’Shkodër zgjaten kujtimet,
fije flokësh t’përzhituna diellit.
Asgja s’ta mbush atë rrugë…
As qielli i pastër mas bore i vizatun me damare pemësh
si n’duart e nji mashkulli.
As mali i Dajtit n’të djathtën time
edhe pse duket si revania e gjyshes me pluhun sheqeri përsipër.
As zani i t’dashtunit n’të majtën time prej 20 vitesh
edhe pse zëra shkodranë të dy ne,
e patën humb timbrin që patëm ra n’dashni.
Si duket uji i Selitës jo gëlqenor na e tjetërsoi zanin,
aq sa për me mujt me u përshtat.
Rrugës për n’Shkodër zgjaten durt për me m’prekë,
durë që asnji nuk m’i zgjati si ato.
Durë që u kujdesen kur zemra m’u ndesh dhe m’u cikat.
Durë që u përpjekën me m’mbrojtë pa u lagë
nga shiu i imtë dhe i ithtë i Tiranës.

***

andrrat janë shelgje
rrahun stinësh,
përplasen,
përbalten,
përzgjaten me prek lumin me jetu,
ndërsa kujtojnë se ia dolën,
rrjedha shkëputet e pagëzume
me dal n’det t’hapun tue e kënaq egoizmin e vet me pak gjethe flirti,
marrë me vete si dëshmi triumfi.

Shelgu n’vetmi i rrejtun
pret stinën tjetër,
me shpresë me prekë ujin e ri,
me veset si të përparmit.

***

Kur pikël
m’qëllon me kenë
zemra
a fati m’thrret
bi n’tokë
andrroj si nji pemë
me lshu rranjë
por era m’kujton terjen
se piklat janë t’ujshme

kur pikël
m’qëllon me kenë
zemra
a fati m’thrret
bi n’pellgje,
me rratht sa prekem
rrokemi,
zmadhohemi,
shkrihemi,
por dielli m’ndriçon
pellgun ku kam mbet

kur pikël
m’qëllon me kenë
zemra
a fati m’thrret
bi n’det
ndjeku ritmin
stërkala mas stërkalash
rrathë mas rrathësh
sa me mujt me prekë brigje
mandej me u zhytë
thellë
thellë
n’guackën e vedit
për me plusku
prej fundit
n’ajri

***

Thinjat janë ditë t’qëndisuna gojë më gojë
mëndafsh i bardhë kujtimesh.
Thinjat janë flutura,
pluhni i krahëve n’dhimbje.
Flokë bore,
uji i pishëm nadjeve t’ zbardhuna rrëshkesh.
Në luftë janë,
mes perendimeve t’kuqta bojë nusesh
dhe agimeve t’ajrta,
jetën e plakun me e pa në sy.

***

Varkën e dhimbjes e lshova n’asfalt,
drita që përthehet n’të
vret fort shpresën syçilë,
ndërsa butë,
krejt butë,
andrrën…

A nuk asht andrra shpresë?
Po asht!
Ndaj dhe i ka terrë sytë
mos me e lanë me ikë…

***

Yjet e fikën ditën,
n’qiell nata si pelerinë u ndeh,
blunë e saj mavi
lamë n’sy ma la.
Mbështjellë me të
pres t’nesërmen,
bojë të bardhë çdo gja
me ba…

***

E vesha qiellin
jo me fluturu,
por me e ulë edhe atë
t’paktën nji herë me kambë në tokë,
n’andërr.

Fisnikët e fundit

Qyteti sa vjen e terrohet
fisnikët e fundit numërohen me gishta
symirë t’mbetun xixllonjë papra
Shpirti m’i pikas nga diku larg
jemi nji dritë e vogël
të ndamë në grimca edhe ma t’vogla
krejt pikla të mbetuna n’hava
të dënum me pa njeni- tjetrin,
të dënum t’tjerët mos me na pa
Veç mjegulla na lidh
me t’kalumen
e me t’sotmen
të gjithve bashkë

E vërteta ime

E vërteta asht nji za që nxjerr kry mbi kryetin tim
Rrallë më merr leje
Vjen e trimnohet n’krahnor si ortek me u derdh jehonë.
Shpesh ajo del balonë e lirë,
n’sy ndalet frika e penit t’kputun.
Përmbi tana m’del për hundësh,
ndëshkohet si e pathanë,
shurdhohet nga sirena t’ rreme.
Nuk e dijshe se liria frigohet edhe n’liri,
ndodh që ajo më struket brenda dhamve,
fortesë që nuk ma cënon kurrkush.
As mund ta kapërdij, as mund ta nxjerr,
Vetëhelmohem.

Shtylla kurrizore imja

Nuk jam e dashurume me qytetin tim pse ai asht i derdhun përmbi Bunë,
As pse ka për kryekunorë fortesë Rozafën,
As pse buzët mund t’i futësh në Drin me pi ujë
e të përfundosh befas narciz e marrosun.
As pse kambanat dhe minaret këndojnë së bashku në qiell të hapun.

Jam e dashurume me qytetarinë e porosive të babës,
t’palosuna n’pajë nga duart e nanës.
Asht kjo shtylla kurrizore që m’kujton me ndejt drejt,
edhe kur pesha vet mue m’bjen ndesh.

Janë miqësitë lulemustak,
që m’ kujtohen
sa herë kam nevojë për me shkund zemrën nga mërzia.

Asht fryma që akoma ndërton njerëzorja e lashtë.
Ajo që i jep jetë rrënojave,
që e ban magjike natyrën,
dhe të trasheguem si pasuri e çmuar
mure t’ nalta të qytetit tim.

Babë

Malli im për ty,
asht si ajo flutura e bardhë
që milklon lule m’lule kujtimi
Ndalet ndër to dhe me krahë
shkund pjalmin e viteve
duke më kthy mua
prapa në kohë
ndër ato kujtime
kur isha me ty.
Turrem mas tyne
me i shtrëngu fort dhe me i rrokë
Papritmas errësira terron çdo gja
tuj mbyll pa gajle
edhe petalet e kujtimeve
E tuj më lanë
kërcej ndjesish të trishta
t’më mpihen ndër duar
Mbesim t’pa takum
Ti në errësirë
E unë në anën tjetër
Flutura mes nesh
len pluhunin e bardhë t’ mallit
që kurrë s’pati fuqinë e përrallës
me kenë i magjishëm aq sa
me të sjellë ty qoftë edhe një herë të vetme
tek unë me të taku
Babë

ObserverKult

Lexo edhe:

CIKËL POETIK NGA NEVIANA SHEHI: VDEKJA E ULLIRIT TË LASHTË DHE DALLËNDYSHES ÇAME

CIKËL POETIK NGA ZHANETA BARXHAJ: NGËRDHESHJE DJALLI!

CIKËL POETIK NGA ERINA ÇOKU: AGU YT THELLË NË SHPIRT

CIKËL POETIK NGA EMIN Z. EMINI: VESHUN ME FUSTAN DJELLI

CIKËL POETIK NGA SHINASI A. RAMA: HESHTJA E THELLË RA MBI MUE…