Esmeralda Shpata: Ika nga njerëzit që njihja…

Esmeralda Shpata huaj

Nga Esmeralda Shpata

Ika nga njerëzit që njihja, kisha frikë t’u përgjigjesha fill e për pe për atë që ndodhi. Kështu që nuk e zgjata shumë, preva biletën dhe u zhduka. Mendjen për tani e kam që të mos kthehem më kurrë, por kjo është temë tjetër.

Tani nuk mund të bëj dot asgjë, dhe po të dua të kthehem nuk mundem.

Është e vështirë t’jua tregoj se ç’ndodhi, unë duhet të isha varur me kohë, por edhe kjo nuk është çështja thelbësore e ngjarjes.

Nuk po i gjej dot fjalët e duhura t’ju rrëfej me paanësi, plus që tani nuk jam më aq i pamend sa atëherë kur ndodhi e gjithë historia, pas saj nuk ka më, jeta ime do të stiset pa iu përgjigjur nevojës sime të brendshme.

Pak a shumë unë e njihja krenarinë time, mendoja se kishte kohë për të ndrequr diçka dhe nuk u nxitova në përkufizime.

Për atëherë nuk mund ta thoja dot se ai gisht kërcënues më ishte drejtuar pikërisht mua. Tani ka ndryshuar puna, më duhet të merrem thellësisht me këtë çështje, më shumë se për vete u detyrohem pasardhësve, sepse ta themi midis nesh jam në kushte shumë të mira riprodhimi.

Sot u ndjeva vetmitar, atje në largësitë më të skajshme të brendisë, një impuls përuljeje më erdhi.

Fillimisht iu referova fatit tim, por jo, i kam dy pare mend sa të merrem me ustallarët e vërtetë të kësaj lënde.

I pashë të gjitha dhe u tremba nga të gjitha. Më rrodhi një fund lënde e vrullshme dhe u zbraza nga  ndjenjat e mia.

U pengova mes njerëzve, të gjitha njohjeve të deritanishme, aq më dhembi saqë çdoherë që e kujtoja ndjeja të më këputej mishtë.

Tani kam punuar me veten, sikur i kam shkuar lesën, të paktën nuk ndiej më gjë.

Nuk më duhet të zgjatem si rrodhën ngjarjet, si ato tonat, të përditshmet, por unë ndihem i turpëruar.

Pata një jetë të tërë, gjysmën, se gjysmën tjetër do ta kaloj me veten, që nuk u përpoqa asnjë çast të zbuzja, ta fshija fare nga faqja e dheut atë që më bënte të shpresoja se isha i mirë. Krenaria ime e ftohtë nuk më linte të isha i mirë.

Më duhet të përulem para vetes njëherë, të kuptoj. Neveria që përpiqem ta fsheh se ç’ndodh brenda këtij shpirt ma bën më të vajtueshëm fatin tim prej njeriu të zakonshëm.

Përulja po më mundon, e kisha menduar te këmbët e mia, me gjunjët në tokë, por jo, paskam tmerrësisht punë, ajo më shfaqet shumë e largët, e largët dhe në një lartësi të pakapshme.

Më mbetet ende e paprekur ideja, se shqisat do t’më ngatërrohen prapë duke ma prishur sërish magjinë  e këtij çasti.

*Titulli i origjinalit: “Përulje”

ObserverKult


Esmeralda Shpata huaj

Lexo edhe:

ESMERALDA SHPATA: SA SHUMË TË ËSHTË DASHUR T’I DUROSH PËR MUA…

Nga Esmeralda Shpata

Kam ditë të tëra që i iki shtratit tim. Endem me ty jashtë qytetit, nëpër ca kodra të panjohura, me erë toke dhe mersine.

Kam një javë që nuk fle dot. Sa mbyll sytë, toka hap një gojë. Më tremb kur ia shikoj brendinë.

Sikur të isha një zhardhok, do ta ndiqja biskun tim drejt dritës. Do t’ia dilja ta shihja si një shtrat të ngrohtë tokën. Do t’ia lidhja një fjongo të kuqe mendimit. Kjo sepse unë e gjej një shteg dhe çel.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult