”National Geographic”: Shqipëria, parajsa e panjohur e Mesdheut

Vendi ballkanik të mahnit me një thesar plazhesh kilometrike, që shfaqen mes rrënojave arkeologjike, shkruan Ana Maria Gonzalez Franco për botimin spanjisht të ”National Geographic”.

Pak nga pak, ky vend i bukur ballkanik konsiderohet si parajsa e panjohur e Mesdheut.

Sido që të jetë, ajo që duket qartë është se Shqipëria ka gjithçka për t’u bërë vendi më i lakmuar me plazhe spektakolare. Riviera shqiptare shtrihet duke vizatuar një vijë bregdetare të mrekullueshme, me rrënoja arkeologjike, histori emocionuese, veçori kulturore dhe gastronomi të pasur, të cilat mund të gjenden në plazhet më të mira të vendit.

Nëse Shqipëria do të duhej të sintetizohej me një plazh të vetëm, atëherë fitues do të ishte Ksamili.

Katër ishujt e tij të vegjël janë një magnet për notarët. Në Ksamil ka plazhe të ndryshme me rërë të bardhë të imët, megjithëse shumica e tyre janë private dhe menaxhohen nga restorantet. Fakti që ndodhet në jug të Sarandës, pikërisht përballë ishullit të Korfuzit, e bën atë një koordinatë shumë të dëshirueshme si për shqiptarët ashtu edhe për udhëtarët që kalojnë kufirin jugor të vendit ose që kalojnë me traget nga Italia apo nga Greqia. Edhe në rast se nuk kishte arsye për të qenë një nga plazhet më të mira në Shqipëri, Ksamili është një kamp bazë ideal për të njohur atraksione të tjera shqiptare si Syri i Kaltër dhe Parku Natyror i Butrintit, i shpallur si Trashëgimisë Botërore nga UNESCO.

Plazhi i Borshit kilometrik dhe Bruz

Pak më shumë se një orë me makinë nga Saranda, duke ndjekur vijën bregdetare të Jonit, është plazhi më i gjatë në të gjithë Rivierën Shqiptare. Ky është Borshi, një vend që ka më shumë se gjashtë kilometra gjatësi dhe që përveç përmasave të tij, shquhet për ujërat e  pabesueshme kristalore dhe malet e tij gjigante me bimësi të bollshme që bie në kontrast me blunë e detit. Përveç kësaj, kjo enklavë shquhet edhe për qetësinë dhe karakterin e saj të egër, duke e bërë këtë plazhin e preferuar për ata që kërkojnë të dalin nga qarku turistik dhe i civilizuar i fqinjëve. Megjithatë, aty pranë ka disa bare dhe restorante si dhe një parking të madh.

Plazhi i Gjipesë apo thesari i egër i Shqipërisë

Një nga thesaret më të çmuara të bregdetit të Rivierës Shqiptare është plazhi i Gjipesë, një panoramë që magjeps për mjedisin e egër natyror dhe perëndimet dhe lindjet ëndërrimtare të diellit si dhe për kaltërsinë e ujërave. Pavarësisht se është një nga plazhet më të lakmuara, aksesi në të nuk është i lehtë. I vendosur në fund të kanionit me të njëjtin emër, limani i vogël është i rrethuar nga shkëmbinj të lartë duke e bërë atë një nga plazhet më piktoreske në Shqipëri.

Dhërmiu urban dhe natyrorë

Si një nga plazhet më të mëdha urbane në Shqipëri, Dhërmiu mirëpret vendasit dhe turistët që kërkojnë të gjitha lehtësitë e nevojshme për të kaluar një ditë në plazh. Qendra e qytetit është në një kodër dhe, pranë detit, plazhi dhe shëtitorja përqendrojnë atmosferën verore, baret dhe restorantet, të cilat ofrojnë edhe shezllone dhe çadra me qira, pasi ka një pjesë publike dhe një pjesë private. Në veri bëhet më shkëmbor dhe në periferi, mund të vizitoni limane dhe shpella, duke përfshirë Dhrimadhes, një liman i bukur me rërë të bardhë me shkëmbinj që arrihet duke ndjekur një shteg të asfaltuar që kalon zigzage midis pemëve të ullirit.

Plazhi i Jalës

Në një vend strategjik midis Himarës dhe Dhërmiut, pas fshatit Vuno është devijimi për në Jalë, një nga parajsat e bregdetit të Jonit, i fshehur mes kodrave plot me ullishte dhe shtëpi. Shkëmbinj të mëdhenj rrethojnë limanet e vegjël të këtij cepi të Mesdheut, ku uji merr ngjyra të papërshkrueshme. Kështu bukuria e Jalës perceptohet së pari nga kodra e lartë. Përtej të qenit një vend ideal për t’u shtrirë ose për të praktikuar snorkeling dhe sporte ujore, Jala është një nga destinacionet e preferuara për ata që kërkojnë jetën e natës. Ka gjithashtu një numër të madh restorantesh dhe baresh aty pranë ku mund të shijoni pjatat lokale.

Lukova

Lukova është ideale për të shijuar qetësinë në Rivierën Shqiptare, pasi ndodhet në një mjedis të jashtëzakonshëm natyror larg vendeve më të lakmuara në bregdet. Kjo nuk do të thotë që plazhet e saj nuk i kanë të gjitha shërbimet, përfshirë shërbimet e shezlloneve, çadrave me qira dhe një sërë restoranteve. Kushdo që dëshiron vetëm një eksperiencë natyrore duhet vetëm të ngrejë sytë dhe të humbasë shikimin mes ujërave të kristalta dhe kontrastit të tyre me kodrat e gjelbra.

Plazhi i Kakomesë apo gjysmëhëna shqiptare

Plazhi i Kakomesë është një mrekulli natyrore në formë gjysmëhëne, e mbështjellë në një mjedis me bimësi të bollshme. Krahas kësaj idili pamore, Kakomeja ka edhe një tërheqje tjetër, faktin se është praktikisht e shkretë, ndaj çlodhja dhe shijimi i një panorame ëndërrimtare bëhet kënaqësia më e madhe. Ata që duan të shijojnë një ditë relaksi me peshqir ose snorkeling duhet të ndjekin rrugën që ndan tabelat për Manastirin e Shën Mërisë se Kakomesë, një kompleks bizantin i shekullit XVI.

Porto Palermo unikaliteti gjeografik

Porto Palermo është pa dyshim një nga vendet më unike në Shqipëri. E vendosur midis qyteteve Himarë dhe Qeparo, ai është i rrethuar nga një ishull i lidhur me bregdetin me një istmus. Njihet mbi të gjitha për kalanë e Ali Pashës, nga ku përftohen pamjet më spektakolare të rrethinës. Edhe pse bregdeti i Porto Palermos është shumë shkëmbor, ka plazhe të vegjël me guralecë ku mund të futesh në ujë pa pasur nevojë të kalosh nëpër shkëmbinj. Pavarësisht se është një nga këndet më të njohura të Rivierës Shqiptare, Porto Palermo mund të mburret ende se nuk i është dorëzuar turizmit masiv, duke ruajtur atë karakter të egër që e bën të gjithë këtë bregdet një sekret të madh, tani për tani.

Plazhi i Qeparoit apo shëtitja ideale

Përballë qytetit me të njëjtin emër, orientimi perëndimor i këtij plazhi ju lejon të dëshmoni disa nga perëndimet më të bukura të diellit në të gjithë vendin. Është një vend ideal për t’u çlodhur, për të zhytur në ujë ose për të notuar, si dhe për të bërë një udhëtim me varkë në shpellat dhe shkëmbinjtë përreth ose për të ecur në malin e Cikës aty pranë, nga ku mund të shijoni pamjet spektakolare. Plazhi është i rrethuar nga shëtitorja, ku ka restorante dhe të gjitha lehtësitë për të kaluar një ditë në plazh./ATSH

ObserverKult


the indipendent - riviera shqiptare

Lexo edhe:

“THE INDEPENDENT”: RIVIERA SHQIPTARE, NJË NGA SEKRETET E EVROPËS

Shqipëria është një nga sekretet e ruajtura më mirë të Evropës”, shkruan Lucie Grace për medien britanike dhe “The Independent”.

Ajo u sugjeron turistëve se nëse dëshirojnë një cep të Evropës me plazhe të pazbuluara, mund të zgjedhin Shqipërinë me gjiret dhe bukuritë natyrore që rivalizon edhe fqinjët e saj.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult