Në rubrikën Personale, mysafir yni është shkrimtari, Enver S. Morina.
– Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?
-Vonë, shumë vonë. Pasi e përfundova shkollën e mesme të orientuar kulturologjike në Prishtinë, ku kishim edhe lëndën “Studim i veprës letrare” (përveç Gjuhës e letërsisë), nisa studimet në Letërsi. Një mik i imi pasi e përfundova Fakultetin u shpjegonte shokëve se ka qenë i dobët në Fakultet, prandaj është regjistruar në studimet pasuniversitare. Në të vërtetë, këto studime u bënë shkak që proverbi i mikut të këtë vërtetësinë se Letërsia mbetet edhe sot “fushë” e panjohur…
– Kur ratë në “grackën” e saj?
-Në vitin 1997 në një nga revistat, edhe për Letërsinë, në “SHESHI” më është botuar tregimi “Mos i humbisni sytë” dhe eseja për tregimin e Ismail Kadaresë “Nata e sfinksit”. Pas këtyre dy botimeve ishte e pamundur ndërprerja. Kur nuk u botua shkrimi “Në mes të Rugovës dhe Qosjes” në vitin 1998 dhe tash pas 28 vite është ky mosbotim që “për inat” të vazhdoj rileximet e veprave! Nëse më pyesni se kush nuk e botoj habitem se si kam besuar atëherë në redaktorë të tillë. Sot ai merret më të gjitha fenomenet natyrore e të arriturat njerëzore, edhe me jetën në Mars e me mushkonjat në Kepin e Rodonit! Vetëm me letërsi kurrë më! …
– Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?
-Ikja e shekullit XIX është përfundim i mjeshtërisë së shkrimtarit. E jetës së tij. E pëlqejmë dekonstruksionin letrar pa e njohur Aristotelin! Homeri e krijoj Uliksin (Odiseun), Shekspiri Hamletin, Gëte Faustin, Dostojevski Raskolnikovin, Kadare Gjeneralin ….! Sikur ata e dinin se më krijime do mbeten të pavdekshëm. Me arketipin. Personazhe që ndërlidh Un-in dhe hapësirën është Arbëri! Nëse do i mbijetoj personazhi i autorit atëherë Dikushi do e pyes Tjetrin!
Po kush është autori i “Rrnimi i Arbërit”! Kam punuar dhe punoj mësimdhënës, po asnjëherë nuk u bëra anëtar i ndonjë organizate mësimdhënësish! Kam punuar gazetar dhe redaktor në redaksi, por kurrë nuk jam anëtarësuar në ndonjë asociacion gazetarësh! Kam shkruar dhe botuar dy libra, ky i fundit me tregime, por as që mund të bëhem anëtar i ndonjë shoqate shkrimtarësh! I vetmi “profesion” që kam arritur të marrë dëshminë është ai i anëtarësimit në Federatën e Futbollit të Kosovës në sezonin 1992/1993 si futbollist! Do më duhet kohë dhe përvojë që t’i rilexoj personazhet e përmendur mësipërm dhe të ndihem që një ditë të “anëtarësohem” si shkrimtar…
– A ja keni shtruar ende atë pyetjen shumë dimensionale vetes “Pse shkruaj”?
-Shkruaj për ta njohur Tjetrin i cili herë ekziston në qenien time sidomos me veset, dhe herën tjetër për ta njohur veten me virtytet që ka Tjetri! Shkrimet me autor anonim janë më të vërteta. Ta ideojmë dhe ta botojmë një revistë me shkrime, krijime pa emrin e autorit. E drejta e autorësisë dhe liria e mendimit.
T’i paguajmë autorët me para të majme! Le ta thonë të vërtetën në anonimitet për një vepër ashtu siç “e gjykon”! Këtu mund të qëndroj liria e shkrimit e autorit anonim me të drejtën e autorit me emër për polemikë, debat a mbrojtje të veprës! E tërë kjo bie pa u nisur! Jemi vendi i vetëm që nuk ekziston as edhe një gazetë e shtypur! Për të shkruar duhet lexuesi dhe “e kundërta”.
Në tregimin “I vdekuri nga një aksident” i “drejtohem” vrasësve, në kushtim për të gjithë të vrarët në Kosovë, para dhe pas botimit të këtij tregimi (2000), të cilët vrasës kurrë nuk u zbuluan! Në një nga fusnotat e këtij tregimi e “arsyetoja” vitin e “Formulës së Pagëzimit” (1462) si mesazh të cilin po e risjellë si përgjigje: “…Kohën e “përcakton” diskursi borgesian si sistem i të menduarit dhe i të shkruarit të veçantë, kuptohet si ndikim apo si torturë kënaqësie imitimi në mes vitit kyç 1462 (boshllëku i kujtesës së çastit, të vitit dhe shekullit) dhe përgatitjes për vrasjen në atentat në kapërcyell të mileniumeve, para, në dhe pas një lufte të tmerrshme në Ballkanin e çmendur pas historisë, ku ende nuk është definuar “gjeografia”, në harkun kohor prej vetëm dy ore e tridhjetë e gjashtë minutave, apo aty ku siç thuhet në një dialog filmi “kur thonë ballkanasit se do të këtë luftë, fatmirësisht e mbajnë” (me Nikolas Cage te “Lord of War”), krejt kjo si fiksion nga ditari i zhdukur, ëndërrim nga udhëtimi nëpër errësirë dhe lutje nga thellësitë e shpellave. …”.
Rikthehemi të katër motivet, siç i quan George Orwell “madhore”, që të shtyjnë të shkruash: Egoizmi i pastër, entuziazmi estetik, shtysa historike dhe qëllimi politik. Ndoshta, ngushëllimin do e gjëja tek motivi i tretë, shpresa që do të lexohen prej pasardhësve, domethënë, shkrimet “të magazinohen” siç thotë autori i romanit “1984”. …
– Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?
-Angazhimi për ta përfunduar një dialog të nisur në fëmijëri dhe për ta krijuar një rrëfim i cili ende nuk ka nisur. Kur e vizitoj aktori Leonardo di Kaprio kinemanë “ABC” dhe Teatrin kombëtar në Prishtinë ishte i maskuar. Mediat botërore e kërkonin aktorin e njohur. Një personalitet i lirë nga fama, Ai ishte i zhdukur për ta inspektuar teatrin dhe kinemanë e një vendi të vogël, në “periferi” të qytetërimeve, në analogji a kipci i dramës “Revizori” në rrethana krejtësisht moderne.
Ti pastaj më thua si gazetar i zgjuar çfarë flet?! Leonardo di Kaprio kurrë nuk e ka vizituar Kosovën. Për ta tejkaluar situatën a dëshminë e atij udhëtimi imagjinar, rrjedhën e tregimit në proces me titullin “Vizita e aktorit”, kërkoj falje, dhe i bindem të dhënës se vërtetë aktori amerikan kurrë nuk e ka vizituar vendin tonë.
Megjithatë ai ka folur dhe ka qenë ndër më këmbëngulësit në mbrojtjen e lumit Vjosa, që bashkërisht me Ty dy herë e kemi parë në rrjedhën gjarpërore të tij nga Tre Urat e deri në Përmet, pa mundur të zhytemi asnjëherë në të. Borhes thotë se “arti kërkon gjithmonë irrealitete të dukshme”. …
– Çka keni thënë me shkrimet tuaja?
-Fillimisht do e quaja pyetje të guximshme që më vështirësi do të përgjigjëm! Në mënyrë lakonike! Sa do të doja të pyesja lexuesin se çfarë ka thënë autori në veprën e Tij!? Si imagjinata i parapriu realitetit në vete. Isha kthyer nga Turqia. Prill 1998. Isha profesor i Letërsisë në gjimnazin e Klinës.
Me një kolegë (T. V.) duke kapërcyer rrugën në qendër të Klinës, na ndalojnë policia dhe na urdhërojnë të shkojmë në stacionin e policisë. Me vete kisha shtojcën letrare “SHESHI” në të cilin ishte i botuar tregimi “Vetvarrmihja e Arbër Varrit”. Po e shënoj fragmentin në të cilin shefi i policisë e urdhëron personazhin kryesor, pas një letre dhe skelet skenarin dërguar Harrison Fordit e Kevin Kostnerit:
– “ … me atë skenar indoktrinon kineastët tanë. Ikni në atë kontinentin e sensacioneve, mistereve e spektakleve. Vetëm atëherë kur, patriarku perandorak modern i falsiteteve apo i qendrës së vendosjes planetare në emër të një kushtetute të themeltë dhe të kartës mbi mbrojtjen e liritë njerëzore të nis copëtimin e vetës, kthehuni! Vendlindja e juaj do të jetë e qetë…”- i kishte thënë, prerazi, zëdhënësi i shefit policor.
“NDALOHET QËNDRIMI MBI 24 ORË NË AT(Ë)DHE, PËR SHKAK SE…”
Arbër Varri ishte bërë varrmihës i vetvetes. Vetëm tash e kuptoj pse me shekuj familja e tij mbante këtë mbiemër! Mbeti edhe kësaj here i parealizuar porosia e paraardhësve: të varroset në fshatin e etnisë stërgjyshore, në Kushevicë, të Toplicës!”
Po ta lexonte këtë pjesë dilemat e lirimit do ishin më të panjohura! Roland Barthes thotë “ne shkruajmë për t’u kujtuar”. …
– Çfarë u ka mbetur ende pa thënë?
-Duke ju bashkangjitur dhe shtuar përgjigjes në pyetjen e pestë do të shkurtoja tregimin e gjatë “E moshuara dhe Vasha” për të qenë më i ngrirë në kuptimin e arsimit të sotëm në shkollë. Këto ditë në një shkollë në kryeqendër pashë forca të mëdha të policisë! Mendja më shkoj te tregimi. Në të vërtetë ata kishin ardhur për të mbajtur rëndin në një test arritshmërie! Fuqia e tregimit do ishte e përjetshme, sepse atmosfera ishte e jashtëzakonshme. Njësi të specializuara të policisë monitorojnë nxënësit që të mos vjedhin në testimet e dijës! …
Parathënien e kompletit dhjetëvëllimësh të veprave të Ismail Kadaresë të botuara në Prishtinë nga “Rilindja” e ka shkruar Ibrahim Rugova. Vepra e tij studimore letrare është pak e njohur sot, për shkak të “represionit politik”. Këtu qëndron edhe e keqja e marrëdhënies mes “kahjeve dhe premisave” që ka shkrimi në qarqet tona mediokre letrare!
Ende konsideroj ta marrim shembull se çka “prodhon” Instituti Albanologjik në Prishtinë, që veprat e Rexhep Qosjes, Ibrahim Rugovës, Bajram Krasniqit, dhe të tjerëve studiues të viteve 70-ta e 80-ta janë të patejkalueshme! Ata sikur e panë “interesin” e vlerës së veprës, më shumë se sa të autorit.
Derisa në botën e moderuar, shkruhet dhe vihet në dyshim “vdekja e autorësisë”, Ne sikur jemi në gjetje të autorëve miq që nuk ekzistojnë! Epistemologjia e shkrimit ka një vrimë e cila e tejkalon misterin e fenomenologjisë së Trekëndëshit të Bermudëve apo të krisjes shkëlqimtare të vetëtimës! Përderisa ende nuk kam forcë e dije të shkruaj për veprën e Teki Dërvishit, për veprën e Masar Stavilecit dhe për veprimtarinë e Isa Bajçincës, me këta tre miq më të cilën kam ndarë më të mirën “Të pathënat” mbetën pezull për “Ditë të tjera” …
– I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?
-Nëse dikur shkrimi ka qenë pushtet dhe nga frika e persekutimit Dikushi ka shkruar edhe me pseudonim sot kjo gjë është “e pamundshme”. Të shprehurit në diktatura dhe në liri e ka haraçin e vet. Sot nuk mund të flasim për “shkrim klasik”. Ne nuk e dimë më saktësi Un-in e shkrimtarëve të antikitetit. Po t’mos ishte Platoni, kush do ishte Sokrati? Një gjë e tillë vështirë do të ndodh sot.
Ose janë raste të rralla. Emrin e pedagogut të Normales së Gjakovës Kadri Kusari e kam dëgjuar nga axha im mësuesi Muhamet. Botimi i parë i romanit te Teki Dërvishit “Palimpsest Dush Kusarit” është djegur në shtëpi në luftën e fundit. Ti e di Ne kemi punuar bashkë në një redaksi me Tekiun. Asnjëherë nuk e kemi pyetur për Kadri Kusarin, sepse Tekiu dinte të thoshte Gjëje në vepër!
Krejt vonë, në takim me Veli Karahodën, i kam kërkuar që të më dhuroj atë vepër te Tekiut. Këtu mendoj se qëndron ajo aureola e rëndësisë së shkrimit për një shëmbëllim mes krijuesve dhe në metodën e të shkruarit. Domethënë bashkëveprojnë muza me “përvuajtnin e çdoditshme” …
– Sa jeni sistematik në të shkruar?
-Edhe pse jemi të varfër në botime në përgjithësi, a më mirë të themi jemi të vonshëm me biblioteka familjare-shtëpi të rralla më këndin e librave kishim qindra libra, gazeta e revista në tavan. Leximi i revistave “Jeta e Re” dhe “Përparimi” e më pastaj “Fjala” sikur i hyra procesit të shkrimit. Ditar kam mbajtur që nga viti 1985. Ndoshta, ruajtja dhe shpëtimi i këtyre ditarëve dhe disa dorëshkrimeve më rikthej tek vazhdimësia dhe domosdoshmëria e rishkrimit “origjinal”.
Sa herë e shfletoj, për shembull në dorëshkrim tregimin “Vetvarrmihja e Arbër Varrit” habitëm se pse personazhi kryesor i pjesës për skenar “Mërgimi i përjetshëm i Kë-De-së” duhet ta vriste aktoren e njohur në rrethana krejtësisht reale, për një shëmbëlltyrë të botës së krimit!? Zbulimi i temës që i çastit, siç që edhe tërë shkrimi i tregimit. Tregim “Mos u humbisni sytë” e kam shkruar për 3, 4 vite, ndërsa pjesën “Mërgimi i përjetshëm i Kë-De-së” për vetëm 3, 4 ditë!
– Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?
-Ndoshta, më shumë se shkrimtar, nëse do filloja nga e para, sigurisht do i rilexoja disa vepra më më shumë herë, dhe disa të tjera të mos i lexoja fare. Do të doja të isha një lexues “tjetër”! Do të lexoja disa tregime me dhjetëra herë, siç ka ndodhur me tregimin e Horhe Borhesit “Utopia e një burri të lodhur” të cilin e kam lexuar mbi 30 herë në vende e rrethana krejtësisht të ndryshme! Dhe përgjigja: Më mirë të rilexoj një tregim të mirë a të shkruaj një tregim të keq!? Henry Miller thotë “të nxjerrësh pikat e fundit të lëngut energjik të një libri, është art, thuajse po aq i madh sa edhe vetë të shkruarit.” …
V. K.- ObserverKult
Lexo edhe:
PROMOVOHET LIBRI “RR’NIMI I ARBËRIT” I AUTORIT ENVER S. MORINA