Cikël poetik nga Desantila Qerimaj Rranxa: Vetmia e njeni-tjetrit na përket si dimni

desantila qerimaj rranxa

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Desantila Qerimaj Rranxa.

S’u vodh drita prej nesh

S’u vodh drita prej nesh
ja morëm shpirtin
e me të ndërtuem shkallë hekuri.
U vumë koracë ndjenjave
e ftyra jonë
burg zbukurue lulesh.

Prej frikës
njomsinë e harruem n’nji grimcë
univers,
s’ia gjetëm pulsin
ishte i padukshëm
n’përqafim të çdokuj.

S’u vodh drita prej nesh.
Prej mungesës
e shtrënguem fort ndër grushta
prej ikjeve të tepërta
e hodhëm n’ujna t’rrejshme.

Mandej kqyrim si mundet njeriut
m’iu zbehë andrra deri n’asgjá.

Laje botën

Laje botën,
hiqja ftyrat
vetmia s’ka me t’vrá!

Ka me t’mundue ngjyra e tepërt
ka me t’mungue dyshimi i parë
cikli i krymit që bahet flutur.

Laji sytë e ktheji kah trishtimi
shtyje me bindje portën e ndryshkun
e humbu, humbu, humbu
mbas zhgunit t’kësaj parade t’rreme.

Laje botёn,
hiqja ftyrat
njomu n’dhimbje
e vetmia s’ka me t’vrá!
Kur ta dish se edhe ti je cikёl
i fotove t’botës,
e ke forcë me i shkye
para pasqyrës t’vjetёr
që ke harrue me e shndritë.

Vetmia e njeni-tjetrit na përket si dimni

Vetmia e njeni-tjetrit na përket si dimni,
po na i këndojmë ninulla t’buta,
kena mësue t’vërtetat që s’bajnë zá,
dridhje, mall, humbje, ankth
ngjyra t’vonueme.

Flasim për qytetin,
si letargji e natës
kthehet n’gjak thellë heshtjes
e krahasojmë me habi fëmie
kur shef borën ftyrë-ngjitë për dritore.
Ndjenja t’mshehuna, lëvizje ajri
shpërndá dhomës
tue mbikqyrë praninë e dashnisë.
Pushtojmë lkurën,
n’prekjen e mollzave kthjellohen
vorbuj e detë.

Kujdesena për fjalë t’përjetshme
çveshë prej titujsh, emnash, historie,
plagë t’hapuna shtypim edhe ma fort
përqeshim me vrull, me krenari…
si t’lindun gabimisht në kët’ botë
thue se jeta asht qorre,
jasht’ mureve tona.

M’trajtuen si kristal

Më trajtuen si vazo kristali
kur kisha plasaritje.
Mi njitne me dashni të kollajta.
Mandej u theva njimijë copash
e s’pat ma dashni të kollajtë
me m’i mbledhë gjanat e coptueme.

Me grimcat pezull përballë meje
u desht nji urë mbi çka rrokë syni
e patokë, me ia msue rrugën, pushimin
pluhnit të bardhë t’rrnojave
mbetë ndër kambë.

Ura qëndroi tue i dhanë jetës
kujtimet e mia për mbloje.

Tash thehem prap,
përshëndes nadjen, urën.

M’trajtuen si kristal që plaset,
si tanë fundja.
Pa më pá t’përulun, t’bjerrun,
naltsoj fate t’djeguna,
ditë e mendime t’báme hí.

Rrugë

Ritmi i pemës që u thá,
m’duket se jetoi aq gjatë
sa nuk u besoj ikjeve,
s’e besoj as emocionin e brishtë
që dikur përmblidhte ura t’kalueshme.
Në mue, shigjetat tregojnë drejtime t’hueja,
ku nji shtrëngim duersh tejkalon hartat,
ku rruga e kthimit asht ma e gjatë se e nisjes
e fjalët tona janë yje që i shpërthejnë prekjes,
tue përqafë misterin prrallor të dëshirës.
Rastsisht m’u kujtue hapsinë e thellë
udhët pa asnji re, bosh
gjeografi e pamasë me mue banore t’vetme.

Ndoshta era e dimnave t’shkuem
ndoshta melodia e ndjenjës që pritëm
na kallzoi se jeta dhe vetmia
s’kanë stinë,
veç zemra që ndryshojnë.

Netët e brishta

M’pëlqejnë netët e brishta
ku flaka lanë mbasdore e librave
m’kërkon prej larg…
Edhe dy fjalë të thanuna,
m’kishin pëlqye,
ndoshta të pakapshme, po un’ dij m’i
përqafue.
Ti dhe asgjája
asgjája dhe ti.

Andrrës s’zbehtë të qiejve i shkoj përbri
shikimi i t’panjoftunve asht i ajrit e i tokës
m’asht plakë vetmia,
ajo që mban, që rrit, që shtetrrethon.
Jam gati me jetue shekuj,
për formën e kuptimit mbi dashninë.
Kështu u krijuen male nën urdhnimin tem.
Male mbrendë meje: madhështore
si lulja kur flet mbas shiut,
si fëmia kur qesh!
Flej zogëz e nanës.
Flej o nanë se un’ të mendoj.
Flej botë e papërqafueshme.
E kam hjedhë supeve terrin tand
në masa që m’shpagojnë.

Edhe n’mos më daç
Lumenjt’ e tu s’kam harrue me i lanë me
vërshue.

M’pëlqejnë netët e brishta
netë me at’ lloj zhurme qiellore
ku heshtja jote s’asht ma shumë,
se dy fjalë që s’pate kohë me m’i thanë.

ObserverKult

Kliko edhe:

DESANTILA QERIMAJ: JAM RROTULLUE N’EKLIPS T’DASHNISË…

EKLIPSI I VARGUT POETIK NË DY KRIJUESE SHKODRANE, ARJOLA ZADRIMA DHE DESANTILA QERIMAJ