Nga Ballsor Hoxha
Është e diel. Vera, dhe fillimi i muajit gusht. Fillimi i dorëzimit të njeriut ndaj vapës. Vrasje, vetëvrasje, aksidente, fatëkeqësi, e në këtë martesa me mijëra mysafirë e me mijëra këngë e zhveshje kudo nëpër vend. Kujtohet myezini rrugës për në xhami për të thirrur vaktin e drekës.
Megjithëse është mesditë në rrugën që po fillon të bëhet kryesore, rrugës prej shtëpisë së tij deri në xhaminë ku ushtron praktikën e tij profesionale, ka parë një këpucë të re teke. Nuk kishte asnjë njeri, asnjë makinë, dhe as qentë e rrugëve nuk ishin të dukshëm, dhe vetëm kjo këpucë, e zezë, e madhe e lartë femre. “Si është e mundur të humbet një këpucë aq e re dhe aq e madhe. Kjo femër duhet të ketë pasur zor të madh”, ka menduar dhe mendon tërë kohën myezini derisa ecë drejtë xhamisë.
Fëshfërijnë gjethet e një peme në oborrin e rrethuar të një shtëpie afër xhamisë, dhe në këtë myezini dëgjon dhe fëshfërimën e rrobave të tij duke ecur, nisur për thirrjen e vaktit të drekës në xhami. Asgjë, asnjë njeri, asnjë makinë asnjë frymë dhe as lëvizje.
Këpucën e madhe, gjigante disi e ka futur në xhep, dhe në dorën tjetër vazhdimisht mbanë telefonin e dorës të hapur, rrotullon pamjet, dhe është tejet në ankth nga lajmi i mbrëmshëm në portale: vajza ia ka prerë kokën babait të saj. E din dhe e mbanë në mend se “pak më herët”, para disa viteve kishte ndodhur që djali t’ia bënte këtë nënës së tij, gjë që ka qenë gjithkund në lajme, e gjë që po ndodhë qe disa herë gjithkah në vend, por, kjo është diçka e re për myezinin. Vajza!! Babait ia ka heqë kokën!
“M’u sikur, m’u sikur në atë shkrimin e fajshëm të atyre kohërave, m’u sikur në atë dramën që e kemi mësuar në Medrese si shenjë kaosi. Po, sikur në Marigona! A thua ku është vajza tash. Ku është vëllai i saj. Ku është ky shtet bre? … po çka ka lidhje shteti me djallin, me këtë zbulim dhe shfaqje të shenjave të kaosit… kush e ndalë tash! Është thy gurra, është thy rendi dhe e shenjta… Shteti edhe ashtu është i tepërt në fenë tonë.”
“Shumë larg është sot xhamia” thotë myezini e është disa hapa tutje prej saj. “Ku është athu vajza? Si e ka pre tanë atë kokë të babait të saj? Si është e mundshme që nuk e ka ndalë veten, apo babai saj vetë atë?!
Ecë Myezini dhe kujtoeht, i bie çdo gjë në mendje, dhepse tërë jetën ka kujtuar çdo gjë që ka i ndodhur. Është brenda rrugicës që e çon në xhami, megjithëse fëshfërima e mëhershme më nu dëgjohet, përpos këpucës që lëvizë, luhatet në xhepin e tij të majtë.
“Marigona…”, “si thoshte profesori”, i thotë vetes duke dashur të kujtojë mësimet e fakultetit të medreses për shkirmet e fajshme, “ishte rrënuar rendi dhe ligji dhe zotëronte asgjëja. Mbajeni në mendje, këto kohëra mund dhe të përsëriten, nëse nuk i përmbahemi rregullave dhe praktikave tona.” Gjithmonë ua përsëriste profesori në medrese pas trajtimeve të shkrimeve të fajeve të mëdha në histori të njerëzimit.
Myezini ndalet, shikon xhaminë që e ka disa hapa larg tanimë, por, i duket aq larg megjithatë, dhe kujton profesorin e tij “prandaj ka rregull dhe praktikë për çdo gjë dhe tërë kohën, në shi e në borë!” I kujtohet profesori, por në këtë i kujtohet edhe se është tejet vapë dhe se si vapa ka tharë dhe shtjerrë çdo gjë. I duket sikur kjo e ka sjellë në një asgjë dhe në një parëndësi tërësinë. Në ndërdije i vjen një aromë deveje, krejtësisht pa lidhje dhe e shmangë i hutuar dhe i rënë nën peshën e vapës.
“Shumë larg ishte xhamia sot!”. I është afruar portës, me këpucën e femrës që e ka gjetur duke iu varur nga xhepi. E prekë portën, por është tejet e nxehtë, tejet e valë, dhe ia djegë dorën. Ndalet dhe shikon përreth, e shkretë çdo gjë, e zbrazët. Është i dobët dhe ndjehet shumë i pafuqi. Mundohet të strehohet në hijen e xhamisë para portës, por ajo arrinë të mbuloj vetëm kokën e tij. Vetëm qelin e tij me kapelë. Tenton të dëgjojë edhe një herë fëshfërimën e gjetheve në kopshtin ngjitur xhamisë por asgjë nuk lëvizë. Asgjë nuk është e gjallë. “Mos sjellë kob” i thotë vetes, e qorton veten.
“Po pse në këtë nxehtë”, “pse kur asnjë njeri nuk mund të kthjellet nga ky nxehtë”, “pse ta thërras ezanin, sot, këtë mesditë!”. Pyetet myezini derisa ngjitet shkallëve të minares, pasi ka bërë pastrimin dhe praktikat e domosdoshme. Pyetet dhe nuk e ka të qartë, jo pse ka harruar mësimet dhe praktikat, por sepse nxehti që mbretëron dhe apatia e qytetit ka rënë mbi të gjitha, sikur mjegull nxehtësie, e është i sigurtë që askush as nuk do ta dëgjoj, apo as nuk do t’ia shajnë të gjitha.
“Së paku dimrit njeriu e ka mbështetjen në sakrificën e kësaj thirrjeje, së paku dimrit ndjehem se po bëj diçka të vlefshme, se po i jap dikujt një lajm, një thirrje, një shpresë për të mos u ngrirë nga të ftohtit… por në këtë nxehtë… lutja do të jetë e pa-dëgjueshme sot” thotë myezini derisa hipë shkallët dhe e thekson fjalën e fundit.
Nga lart minares, kjo shterpësi, e pa fund as fillim është edhe më e qartë. Rrugët janë të zbrazëta, zhurma e makinave është tejet e ngadalshme, e kotë, dhe e përhumbshme nën nxehtin e diellit që ka kapluar qytetin tërë verën. Ka dy tre njerëz që janë duke kaluar nëpër rrugën tanimë që po bëhet kryesore në qytet, ku edhe janë mbi katër xhami të mëdha sapo të ndërtuara bashkë me rritjen e qytetit, bashkë me rritjen e bizneseve dhe të banorëve të tij. Por se si, e tëra është e padëgjueshme. “Mos sjellë kob” i thotë vetes pasi që ka menduar këtë.
Duke kaluar për në minare, myezini kishte parë duke u pastruar për lutje të vetmit pleq, dy nga lagja, që kishin ardhë për të falur namazin e drekës. Të vetmit, dhe të përhershmit, gjë që ia kishte shtuar edhe më shumë njëlloj shfaqje të një prezence që duhej harruar. Duke ngjitur shkallët e minares, kishte parë edhe famijen e sorrave që kanë çelë në maje të shkallëve për në minare.
Dhe tash kur është duke e thirrë drekën, me gjithë altoparlantin dhe me thirrjen e tij të fuqishme dhe të ushtruar e me përvojë për kushedi sa vite, dëgjohen sorrat.Shumë më fuqishëm, shumë më qartë dhe më kthjelltë. Ka frikë se mos po emetohen bashkë me thirrjen e tij. Por, zërin e tij myezini nuk e dëgjon. Nuk e ka të njohur dhe as të percepetuar derisa është duke thirrur.
Dëgjohet një makinë e vetme, dëgjohet ndonjë zog, dy njerëz të vetëm që kalojnë në rrugën përskaj xhamisë, “dëgjoj” (apo i duket se dëgjohet) “qoftë dhe fëshfërimën e rrobave të dy pleqëve në xhami duke u përkulur në falje”, dhe sidomos sorrat, por asgjë nga thirrja e tij.
“A e thirra, apo jo?” pyetet. “Lartë isha, edhe thirra, edhe këndova lutjen në altoparlant”, “por nuk e di pse e kam bindjen se nuk e kam thirrur vaktin!”.
Nxjerrë telefonin e dorës dhe e shikon, ka në mendje të shikojë orarin dhe, çuditshëm, edhe të përkujtojë ndonjë thirrje të ndonjë namazi, nga interneti. Por duart i shkojnë me automatizëm në rrotullimin e pamjeve në rrjete sociale. Kërkon lajmin për vrasjen e vajzës së babait të saj. Nxjerrë nga xhepi këpucën e femrës që e ka gjetur rrugës dhe e rrotullon në njërën dorë derisa rrotullon pamjet në internet.
Sheh gra të zhveshura, që ia imponon interneti, përsëritë në vete “mos e bjerë zot”, sheh organizime përleshjesh të qenëve, krejtësisht të gjakosur, bile edhe, për njërin mendon se është shumë i fuqishëm e i pëlqenë (nuk mund ta ndalë veten), sheh edhe lajme të panumërta për vjedhje, hajni dhe tradhëti kombëtare, çka nuk sheh në “këtë dynja të rrejshme në internet”, dhe kalojnë minutat. Kalojnë mbi pesë minua dhe vetëm me mundim mund ta ndalë veten, dhe të kujtohet për përkujtimin që don ta bëjë.
Ngritë dorën, në moshën e tij rreth të pesëdhjetave, dhe vëren se i pihet ujë, shumë ujë, dhe nuk ka forcë as të dëgjojë. Nën këtë humbje të forcës, i kujtohet muaji i shenjtë, muajt e shenjtë gjatë verës dhe fuqia që e ka kur agjëron. Por ia merr vëmendjen për një moment një familje që kalon aty, në të vërtetë, gjysëm familje, gra, nja tri katër dhe shumë fëmijë, të ardhur sigurisht nga jashtë për të vizituar të afërmit.
I duket se, jehojnë zërat e fëmijëve mu sikur zërat e familjes së sorrave. “Mos bën faj” i thotë vetes. Pyetet ku janë burrat e tyre. Në të vërtetë është duke i rënë të fikët por ai ende pyetet ku janë burrat. “duke fjetur…” mendon. “Janë duke fjetur burrat, qoftë edhe mbi internet!”.
“Selam” i thonë të dy pleqtë, të vetmit, pasi që kanë falur namazin e drekës dhe e prekin lehtë në sup derisa dalin nga porta e xhamisë. Zgjatë dorën për t’i ndalë, për t’i pyetur nëse e kanë dëgjuar thirrjen e tij të myezinit për namazin e drekës, por i bie të fikët me dorën e zgjatur. Por është aq vapë dhe këta të dy janë vetëm pleqë, as që dëgjojnë dhe as që e shohin se i ka rënë të fikët. Myezini mbetet dhe është i shtrirë tërësisht dhe gjerësisht në hyrje të portës së xhamisë.
Tërë ajo që ka ditur në ato momente është se nga tharja e fytit dhe njëlloj plogështie e thellë e pabartshme, është përplasur në asfaltin, sapo të shtruar nga komuna, m’u para portës së xhamisë.
Është krijuar një pamje e tmerrshme, horror, familja e sorrave nga shkallët e minares kanë zbritur poshtë dhe po shuajnë etjen në rrëkenë e gjakut që ka rrjedhë nga rrëzimi i myezinit.
Kush e di sa kohë ka kaluar pa asnjë njeri në rrugë, as në portën e xhamisë.
Për një moment kalon një veturë, sorrat fluturojnë paksa të trembura, të mësuara me vetura dhe vetura duke mos e parë trupin e myezinit nga sorrat e shkelë pa e parë myezinin. Dëgjohet një tup- tup i veturës derisa kalon mbi trupin e pajetë të myezinit, dhe vetura as nuk ndalon, sigurisht në frikë nga ajo që ka ndodhur, dhe edhe ashtu nuk ka njeri.
Ndoshta diku vonë, pasi që është hequr nxehti sadopak, ndërmjet dy vakteve të praktikës së lutjeve nga xhamia, dikush e sheh trupin e pajetë me familjen e sorrave përreth trupit të tij, duke pirë nga rrëkeja e gjakut të tij. Fillojnë kukamat, fillojnë edhe mallkimet, edhe dyshimet për vrasje duke bërtitur.
Në këtë moment, nga kthesa e rrugës tjetër përnjëherë hapë altoparlantin e tij “i vrrugëti” siç i thonë romëve në xhami, dhe fillon të thërras “hekra, hekra… shporeta të vjetër, frigorifera…”.
Në rrugicën e ngushtë ku ndodhet xhamia, tanimë të gjithë janë zgjuar, nga kjo, çkado që kishte qenë, vapë apo mjegull vape. Të gjithë përreth trupit të myezinit përpiqen që t’i largojnë sorrat, janë tejet të etura dhe kanë provuar gjakun e njeriut, është tejet vështirë të shmangen.
ObserverKult
Lexo edhe: