Kur nobelisti Pablo Neruda i shkruante Enver Hoxhës

Nga Roland Qafoku

Shkrimtari, poeti dhe nobelisti kilian Pablo Neruda ka qenë i njohur për pikëpamjet e tij antifashiste. Për këtë dhe për talentin e tij, ka qenë i përkthyer edhe në Shqipërinë e pasluftës së Dytë Botërore.

Por, nuk dihej afeksioni i tij për regjimin stalinist të Enver Hoxhës duke e mbështetur hapur atë. Këtë e vërteton një telegram i shkruar prej Nerudës në adresë të diktatorit Enver Hoxha, 68 vjet më parë. Dhe a e dini për çfarë? Për nder të 10-vjetorit të themelimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë!

Në arkivin tim zbulova se në një broshurë-libër të botuar nga Komiteti Qendror i PPSH-së në vitin 1951, shkrimtari kilian i është drejtuar personalisht Enver Hoxhës, në atë kohë sekretar i Përgjithshëm i partisë dhe kryeministër, përmes një letër-telegrami.

Ishte normale për atë përvjetor që Enver Hoxhës t’i shkruanin liderë komunistë nga bota, si Mao Ce Duni i Kinës dhe Kim Ir Seni i Koresë së Veriut e të tjerë liderë komunistë, gjë që e kanë bërë. Por, që pas tyre një gjë të tillë ta bënte edhe Pablo Neruda, i cilësuar nga Gabriel Garcia Marquez si poeti më i madh i shekullit të XX, kjo është diçka më shumë se sa habi.

Madje, në fjalët drejtuar Enver Hoxhës, Neruda zbulon se ka patur edhe ftesë zyrtare të posaçme në adresë të tij të vinte në Shqipëri për të marrë pjesë në festimet e 10-vjetorit të themelimit të Partisë së Punës së Shqipërisë. Kjo tregon se marrëdhënia e Pablo Nerudës me Enver Hoxhën nuk ka qenë vetëm formale. Vetë Neruda sqaron se ka patur shumë dëshirë ta bënte realitet vizitën, por angazhimet e tjera nuk ia kanë mundësuar.

Çdo të ndodhte nëse nobelisti do vinte në Shqipëri? Nuk dimë ta themi këtë, por të paktën do kishte një dëshmitar të profilit të lartë për të parë me sytë e vetë “mrekullinë e tetë të botës”. Ku i dihej, zhgënjimi mund ta frymëzonte për të shkruar ndonjë poezi a roman. Megjithatë, letra e shkruar ndaj diktatorit Hoxha flet më shumë se sa supozimet.

Më poshtë fjalët drejtuar Enver Hoxhës:

“Shokut Enver Hoxha Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Punës së Shqipërisë,

Tiranë

Detyrat e Këshillit Botëror të Paqes më ndaluan udhëtimin për në Republikën Popullore të Shqipërisë, të cilën do të dëshiroja shumë ta vizitoja.

Lutemi pranoni në këtë përvjetor përshëndetjet e mia të nxehta për qeverinë tuaj popullore dhe dashurinë time për popullin shqiptar.

Pablo Neruda”.

ObserverKult


Lexo edhe:

“E HUMBËM EDHE KËTË MUZG”, POEZI NGA PABLO NERUDA

Nga Pablo Neruda

E humbëm edhe këtë muzg.
Askush nuk na pa sonte dorë për dorë
teksa mbrëmja e kaltër mbulonte botën.

Nga dritarja pashë
harenë e perëndimit tej maleve të largëta.

Herë-herë, si monedhë
më ndriçonte një copëz diell mes duarve.

Të ndërmendja me shpirtin e ndryrë
në atë trishtim që ti ma njeh.

Ku ishe ti atëherë?
Mes cilësh njerëz?
Çfarë thoshe?

Pse më rrok befas gjithë dashuria
kur i trishtuar jam dhe larg të ndiej?

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult