Faik Konica i shkruan Austro-Hungarisë: Vendosa të krijoj çmim vjetor prej 1000 frangash

doto faik konica mjeshtri i penes
Faik Konica

Letër e Faik Konicës dërguar Baron Goluchovski, Ministër i Jashtëm i Austro-Hungarisë, në gjuhën frënge.

Për lexuesit e ObserverKult, ekskluzivisht e sjell në gjuhën shqipe, prof. Ismail Ismaili

Zotëri Baron

Në fund të javës së kaluar, ika në Paris për të kaluar atje dyzet e tetë orë, për një çështje të propagandës shqiptare.

E gjykova të nevojshme të takohem me markezin de Aleandro i cili, thonë, ka prejardhje nga Skënderbeu nga ana e nënës. Stërgjyshi i tij, Princi Aladro, ishte nga Napoli dhe ishte i martuar me një zonjë nga Kastriotët. Kur mbreti Karli i Napolit, që zgjedhur mbret i Spanjës, familja e përcolli atë në Madrid dhe ajo familje banon atje që nga gjysma e shekullit XVIII-të. Markezi de Aladro ishte ministër i Spanjës në Rumani dhe sekretar në Ambasadë në Vjenë. 

Pasi që ai interesohej shumë për gjuhën shqipe dhe që më shprehu dëshirën të ketë disa lidhje me shqiptarët, mendova që i interesonte propaganda. Prandaj vendosa të krijoj një çmim vjetor prej 1000 frangash që do t’i ndahet autorit i cili me përpjekjet e tij do të kishte kontribuar më së shumti në ngjalljen e shijes ndaj gjuhës kombëtare. Ky do të ishte një kompensim i vogël por që do të ishte shumë inkurajues për shkrimtarët shqiptarë, numri i të cilëve po rritet dita ditës. Për ndryshe z. Pr. Aladro do të kontribuonte gjerësisht për shtypjet e librave shqipe.

Por, besoj që do të ishte shumë e nevojshme në pikëpamje tjera gjithashtu. Së pari, një pasardhës i Skënderbeut, edhe pse indirekt, është mjaft dekorativ dhe mund të japë më shumë ngrohtësi për lëvizjen popullore. Pastaj, do të ishte një zhgënjim për palën italiane. Shkëlqesia Juaj e di që Italia në vitin 1897, për arsye politike ka pranuar markezin Auleta si pasardhës të Skënderbeut dhe i dha çmimin Mbret dhe me letra patente titullin e Princit Kastriot. Pasardhësi i drejtpërdrejtë i Skënderbeut ishte markezi de Saint-Angelo, i vrarë në betejën e Pavias. Të gjithë pasardhësit e mëvonshëm janë nga ana e nënës. Markezi d’Aluete ka më pak prova se sa markezi Aladro, por megjithatë pala italiane nuk e lë të tërhiqet për arsye të propagandës.

Markezi de Aladro është i moshës 48 vjeç. Kam arsye serioze të besoj që është i pajisur me dëshirë për të kontribuar në ngjalljen e shqiptarëve. Nëse princi Kastrioti i Napolit ishte i interesuar për Shqipërinë do të kishte mundësinë të kalonte Adriatikun për të shkuar nga kureshtja në vendin e të parëve, por ai do vetëm të figurojë në një komedi eventuale e cila do të mund të luhej ndonjë ditë.

Kurse markezi Aladro interesohet që prej dhjetë vjetësh për gjuhën shqipe dhe ka një bibliotekë të madhe, ku ruan një koleksion të pasur librash shqipe ose që kanë të bëjnë me Shqipërinë. Së paku, ky i fundit interesohet seriozisht për lëvizjen.

Në çdo rast, sikurse Ismail Kemal beu, unë vërej një rezervë të vogël, i marr tekstet vetëm si fjalë për të peshuar, ndërsa aktet nuk janë komfore, kjo kontradiktë bie vetëm mbi aktorët  e vetë  dhe gjithnjë do të kujdesem që revista dhe botimi i saj nuk do të përfshihet në aventurat të cilat mund të jenë qesharake.

Jam ndalur në Kostandinopojë, në mes tjerash konstatova që Neki Pashë Libohova, Aziz Pashë Vrioni, Hasan Bej Vrioni, Nyzhfet Vrioni, djali i tij, Mehdi Frashëri, Abdyl Jupi (i cili ka publikuar një libër shqip në Sofje) ishin të përndjekur. Dy të parët ishin ndaluar për një orë në Jildiz, të gjithë të tjerët janë në burg dhe sigurisht do të dërgohen në Tripoli. Porta e Lartë, keq e informuar, beson ose bëhet që beson, që ne merremi vesh shumë mirë me Ismail Kemalin dhe se kemi organizuar një komplot të madh.

Tani kam mësuar që Xhelal-bej Klisura ishte vrarë në shtëpinë e tij dhe qe bërë copa copa. Në marrëveshje me Valiun, ai kishte plaçkitur dhe masakruar tërë popullatën. Sikur t’i dëgjonte këshillat e dhëna nga “Albania”, para tre vjetësh ai nuk do të përfundonte në këtë mënyrë. Bashkë me te u zhduk edhe përfaqësuesi i fundit i regjimit të vjetër turk në Shqipërinë e Mesme. Kjo vdekje tragjike shkaktoi një sensacion të madh në Shqipëri dhe atje thuhet se Esad pasha, i vëllai i Gani beut dhe shef i xhandarmërisë, i akuzuar që kishte marrë pjesë në masakrimin e Xhelalit, do të jep dorëheqje dhe do të tërhiqet në Veri të Shqipërisë ose në Kostandinopojë, ku edhe e ka fatin e vetë.

Pa dyshim, ju keni mësuar që edhe në vilajetin e Shkodrës, qeveria ushtron një përcjellje të madhe mbi shqiptarët. Kjo do të shërbej vetëm si një nxitje më tepër për mendjet, por do të bëhet gjithnjë e më vështirë për ta ndërlidhur edhe popullin. Tani, kam një korrespondent të ri për ta bërë përhapjen e revistës dhe do të merrem vesh me te. 

Nga Kanina (qytet që është përball Vlorës) më shkruajnë që është organizuar një komitet i gjerë sekret  që do të bëjnë propagandë aktive.

Më 30 qershor 1901                                                                                     
Faik Konica

P.S. Shpresoj që SH.J. e ka marrë “Albania-n”(6 fashikuj) e cila nuk është dërguar rekomande dhe që tash e tutje do ta merr rregullisht Albania e vogël. Kjo e fundit del në dritë të mërkurën (nr. 28) dhe i kushtohet në tërësi Çështjes shqiptare.

Shqiptarët e Bostonit kanë grumbulluar para, në mes veti dhe disa dollarë i kanë dërguar për Kalendarin e Sofjes dhe një pjesë tjetër “Albania-së”. 

Asgjë nga revista e Dalmacisë. Besoni ju që do të ishte mirë ta dërgoja korrespondentin tim nga Shkodra për tu takuar me ata, apo të shkoj unë vetë dhe të qëndroj një javë ?

Thash e thënat janë shpërndarë andej këtej dhe thuhet që e kanë burgosur Logorecin. Jam shumë i shqetësuar sepse i kam shkruar atij. Letra ime nuk bënte fjalë saktësisht për lëvizjen.  

(Nga gjuha frënge Ismail Ismaili)

ObserverKult


Lexo edhe:

FAIK KONICA: NE SHQIPTARËT EDHE PAS 100 VJETËSH DO TË JEMI AQ POSHTË SA EDHE SOT!