Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Emin Z. Emini:
EJA SOT
eja sot e më duaj
më dashuro me të gjtha flakët e zjarret e tua
gjakun e frymën ma digj
sot eja e më duaj
jepmë hirin e bimëve në oborr
eja sot
kokrrat e shegës të të shohin
të bukura të rriten
të piqen
me ty të ngjajnë
eja e më duaj sot
për të më vrarë ke kohë edhe nesër
E PAEMËR
asaj
nuk dija t’i vëja emër
thjesht e ndieja
ajo
qe muzika
e zotit
IKJA E SAJ
ajo mblodhi çdo gjë
edhe frymën e mbetur në ajrin e shtëpisë
aromën e lëkurës së trupit lënë shtratit
duarngrirë me temjan e tymosi
me buzëkuq i shkroi pasqyrës mbi fytyrë
s’do t’ma shohësh më surratin
tesha e kotesha i plandosi
në njërën nga dhomëzat e zemrës
mori ç’deshi
shkoi
në sofrën e vargut një vend i zbrazët
boshi
aq i vogël
sa s’e zë vetmia e madhe
gjithçka zgjerohet me trajtë kozmosi
poezia tkurret zhbëhet e bëhet asgjë
pa të
EKLIPS
ajo udhëton natën
ai ditën
udhëtimin e qielltë nisur kanë
para se zogjtë të çilnin zogj
para se uji të mësonte të rridhte tatëpjetë
para se njeriut t’i vinte era hudhër
ecin me shpirt ndër dhëmbë e ecin
trajektoret e tyre ndara
duku në blu
në paanësinën e pasosur t’i pjekin
sy më sy të shihen
buzë më buzë të puthen
dritë më dritë të shuhen
hëna e dielli
U BËMË QULL
asgjë e pazakontë
pasditën e prishtinës e lagu shiu i vjeshtës
sheshit të shtruar me rrezatim kanceroz
hapat e mi e të saj
ecnin krah për krah
ombrellat që mbanim në duar
pa na pyetur
pafajësisht u puthën
ne u bëmë qull
ObserverKult
Lexo edhe:
“FJALË TË BUKËTA”, LIBRI I RI I EMIN Z. EMINIT, TASHMË NË LIBRARI
Shtëpia Botuese Littera solli për lexuesit, librin më të ri të autorit Emin Z. Emini, “Fjalë të bukëta”.
Disa fjalë për librin:
Adem Gashi: Pas trilogjisë poetike të Emin Z. Eminit për Moirën mitike dhe, u mor vesh, shemrën e saj të ndodhur midis nesh, tashti sfondin e mitologjisë e ka veshur atllasi ekzotik i autoktonisë, ku Moira trupëzohet në Gruan-Kapedane të folklorit shqiptar, përshkuar nga një vello e erandshme, tërësisht e tejdukshme.
Gatesa lirike e Eminit, me një ornitologji të çuditshme, sado që përkëdhelshëm ngutet të na thotë se po na cicëron me fjalë të bukëta, ç’është e vërteta, buis nga myja e fjalëve dhe rrjedha na vjen me plot ritme, krejt dalldisëse dhe marramendëse…
Tekstin e plotë e gjeni KËTU