
Nga Linda Agolli
(Duke lexuar një libër pornografik)
Fillova ta shfletoj. Pak nga pak, nisi si një zemërim. Pastaj ndjeva revoltë. Pastaj mendimet u shtruan dhe u gjenda tek argumenti:
Një film artistik, përpos shumë shumë elementëve të tjerë realizues, finalizohet me xhirimin. Një video pornografike po ashtu, realizohet nëpërmjet xhirimit.
Por bën ndryshim diametralisht të kundërt filmi si Art përkundrejt videos si pornografi. Prandaj dhe një video e tillë nuk mund të quhet film por thjesht video pornografike.
Po kështu edhe në letërsi! Një përshkrim artistik, përpos shumë elementëve të tjerë kompozues, realizohet duke e shkruar. Një përshkrim pornografik, po ashtu realizohet duke e shkruar. Por bën ndryshim diametralisht të kundërt të përshkruarit si Art përkundrejt të përshkruarit si pornografi. Prandaj dhe një përshkrim pornografik nuk mund të quhet letërsi por thjesht pornografi.
Dallimi që arrijmë të bëjmë mes Artit dhe pornografisë, varet nga niveli i Dijeve dhe Shijeve të çdonjërit. Ajo çfarë pëlqejmë dhe e përzgjedhim si kënaqësi individuale, bën diferencën mes niveleve të intelektit.
Sepse cilësuar ndryshe, e bukura në Art qëndron shumë lart! Është veç të tjerash ushqim i shëndetshëm dhe denjësi ndaj shpirtit njerëzor.
Dëgjoj të bërtasin kundër banalitetit, të pabukurës, mungesës së nivelit artistik, mungesës së stilit, mungesës së shprehjes, mungesës së risive, mungesës së specifikes në qëndrim, etj. etj., pastaj gjejnë një rrugë gjoja të tërthortë por krejtësisht të rëndomtë dhe aspak specifike, për ta shkrehur dhe nxjerrë jashtë banalitetin e tyre të sëmurë, histerinë e shfrenuar, dhe gjithë ç’përbën mungesë aftësish e talenti; a më saktë, thyejnë digën që mban lidhur llumin e moçalit të tyre që duket se po i mbyt: si?! E dukshme hapur: duke bërë libra pornografikë, e duke u masturbuar teksa shkruajnë.
Dhe me ç’shohim kjo është bërë modë, një modë që nuk shpresoj të shkulet lehtë ashtu si bari i keq në një fushë me të mbjella. Një modë, e cila tenton tërheqjen e vëmendjes me çdo kusht.
Pastaj, dikush tha se këtë e pëlqen masa! Tërheqja e vëmendjes dhe pëlqimi nga masat na qenka qëllimi i të bërit Art?! E kjo pastaj, u pasoka nga përdorimi i çdo lloj mjeti, qoftë ky mjet edhe banaliteti apo histerizmi, mjaft të shitet e t’i krehë bishtin masës!
A thua, ende në ditët e sotme, bota vazhdon të ketë të pashuar kuriozitetin reciprok për organet gjenitale të palës tjetër gjinore?!
A thua bota sot ka mbetur si mos më keq e s’ka se ku e si, dhe për mëshirë ndjen nevojën të lexojë në libra artistikë se çfarë ndodh me përmasat e organeve gjenitale kur bëhet orgji?! Dhe më tej akoma, çfarë ndryshimi nga e zakonshmja dhe ordinerja ka kjo lloj të bëri gjoja letërsi nga zhargoni i rrugës, për nga mënyra e të thënit?! Asnjë ndryshim! Ato çfarë sapo lexova, ashtu si më sipër përshkrova, më kujtuan një pijanec në rrugicën e Brakës, i cili sall, shprehet njësoj në mos pak më me nivel se sa në të tillë libra!
Të duash të shkrehësh epshet e të bërtasësh në ekstazë me histerizma në emër të gjoja artit, është përveç mashtrim edhe kundërvënie ndaj misionit që arti ka. Dhe kjo që po them, nuk ka lidhje as me moralin, as me moralizimin, as me nudizmin, as me drojtjen, as me ligjin, as me rregullat, as me diktatin.
Ka lidhje me përdhosjen që i bëhet shijeve artistike në përgjithësi dhe specifikisht, përdhosjen e shijeve të atyre që janë në miqësi të hershme me librin; atyre lexuesve të përkushtuar e sqimatarë, të skalitur prej të bukurës nga gjithë arsenali që kanë lexuar si art, e që duan e duan të lexojnë vazhdimisht.
Çfarë unë dua të shpreh, ka lidhje me pështirosjen që të japin të gjithë elementët e pistë, ngërthyer në një gjoja letërsi të tillë, ku nuk gjen dot asnjë lidhje; me artin jo e jo, por as me kuptimin apo ndonjë vlerë të nënkuptuar siç normalisht të bërit art ka.
Sepse tjetër gjë të përshkruash histerinë dhe orgjinë dhe krejt tjetër të jesh histerik në ato që shkruan. Sigurisht, më vjen shigjetë ndërmend se kjo ka lidhje edhe me mungesën e talentit, fallsitetin dhe paaftësinë e autoreve dhe autorëve të tillë, për të futur të bukurën dhe shijen e hollë që tenton Arti. Që e Bukura të ndodhë, kërkon klas. Po ku ta gjejnë klasin histerishkruesit?!
Sepse të vërtetët e urrejnë fëlliqësinë po aq sa edhe zhurmën, e këto të dyja shkojnë gjithnjë bashkë. Të vërtetëve u shkëlqen, u llaputin dhe u muzikon Dija për Artin që as më shumë e as më pak është brendia e tyre talentdhënë!
Dhe talenti ose është, ose ndryshe nuk stiset, përdor ose jo banalitetin apo histerinë seksuale në ato që shkruan.
Nëse ka një mjet që mundet dhe tenton të fisnikërojë njeriun, është Arti! Nëse ka një mision që mundet dhe tenton të krijojë dhe lartësojë njeriun, është Arti! E bukura në Art qëndron shumë lart! Po po, shumë lart!
Nëntor 2018
ObserverKult

Lexo edhe:
PËRKTHYER NGA FAN NOLI, CHARLES BAUDELAIRE: ASAJ QË SHKOJ…
Poezi nga Charles Baudelaire
Rreth meje rruga ulërin dhe buçet.
E gjat’ e hollë, sterrë, kujë madhështore,
Një grua shkoj me një fustan të zi për dore,
Q’e kolovitte posht’ e lart me salltanet.
Si ëngjëll, si statuj’ e gjallë vetëtin.
Si i shastisur dhe i çakërdisur unë,
Nga syr’ i saj si qjell që mbrun furtunë
Thëthinja mjaltë që magjeps, dëfrim që grin.
Ia shkrepi dhe u-err. Moj flutur e farosur,
Që me vështrimin tënt më bëre flag’ e furrë,
S’të shoh më vallë veç në jetën e pasosur?
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult






