
Poezi nga Charles Baudelaire
Rreth meje rruga ulërin dhe buçet.
E gjat’ e hollë, sterrë, kujë madhështore,
Një grua shkoj me një fustan të zi për dore,
Q’e kolovitte posht’ e lart me salltanet.
Si ëngjëll, si statuj’ e gjallë vetëtin.
Si i shastisur dhe i çakërdisur unë,
Nga syr’ i saj si qjell që mbrun furtunë
Thëthinja mjaltë që magjeps, dëfrim që grin.
Ia shkrepi dhe u-err. Moj flutur e farosur,
Që me vështrimin tënt më bëre flag’ e furrë,
S’të shoh më vallë veç në jetën e pasosur?
Ah, gjetkë, tutje, tepër vonë, nofta kurrë,
Se unë s’di ku ike, ti ku shkonj’ s’e di,
Të desha, moj, e dinje, vetë moj, dhe ti.
Përktheu: Fan Noli
—————–
Lexo edhe:
KUR JEAN-PAUL SARTRE SHKRUANTE PËR CHARLES BAUDELAIREN
Jean-Paul Sartre botoi për herë të parë studimin e tij të diskutueshëm “Baudelaire”
në vitin 1946. Studimi mori kritika të ashpra për publikimin e tij. Megjithatë, ai u përpoq të tregonte se Charles Baudelaire në mënyrë spontane, arbitrare dhe lirshëm zgjodhi fatin e tij, thelbin e tij. Sartre tha: “…zgjedhja e lirë që një njeri i bën vetes identifikohet plotësisht me atë që quhet fati i tij”.
Më poshtë mund ta lexoni një pjesë të shkëputur nga ky studim:
“Baudelaire”
“Në çdo kohë, tek çdo njeri rrinë dy postulate njikohësisht, njeni drejt Zotit, tjetri drejt Shejtanit. Të drejtuemit kah Zoti ose spiritualiteti asht nji dëshirë për t’u ngjitë ma nalt; ajo e Shejtanit ose shtazërisë asht gëzimi me ra ma poshtë.
Kshtu pra njeriu shfaqet si tendosje që vjen si rezultat i zbatimit të dy forcave të përkundërta; secila prej ktyne forcave perfundon në shkatërrimin e njerëzores, sepse njena synon engjëllin e tjetra kafshën. Kur Paskali shkruen se “njeriu s’asht as engjëll, as kafshë”, ai e koncepton si njifarë gjendje statike, si nji “natyrë” e ndërmjeme. Ktu s’kemi fare të bajmë me nji gja të tillë…
Tekstin e plotë e gjeni KËTU