Për herë të parë, poetin e madh ukrainas Taras Shevçenko, për lexuesin shqiptar e solli Mitrush Kuteli. Ai rrëfen si e pat prekur jehonën dhe praninë e poezisë dhe shpirtit liridashës të Shevçenkos në popullin e vendit të vet, në Ukrainë.
Asokohe Kuteli nuk e pati ditur se edhe fati jetësor i tij do t’i përngjante fatit të poetit të madh ukrainas, i cili qe dënuar për kohë të gjatë nga Cari: “Do të ndalohet të shkruajë dhe të pikturojë’… Dhe në kuadrin e Ukrainës të sotme, që po lufton me kurajo të pashoqe kundër një superfuqie, Kuteli na zbulon nëpërmjet një analize plot lirizëm, sesi vargjet e Shevçenkos rrëfejnë sa fort është e rrënjosur ndjenja e luftës për liri në shpirtin e popullit ukrainas.
Ju ftojmë ta lexoni njërën prej poezive më të njohura ukrainas të Shevçenkos “Amaneti”:
Amaneti
Kur të vdes, të më mbuloni
Te ndonjë kodrinë,
Që ta shoh gjithnjë, vëllezër,
Mëmën Ukrainë;
Të vështroj me gaz në zemër,
Fushën pa kufi.
Të vështroj si derdhet Dnjepri,
Si buçet ai,
Si vrapon mes Ukrainës,
Drejt e për në det,
Do t’i lë më nj’anë aherë,
Fushat dhe rrëketë;
Do të ngjitem lart në qiell
Perëndinë të shoh,
T’i flas hapur e t’i lutem,
Se tani s’e njoh.
Kur të më mbuloni mua,
Prangat flakini,
Derdheni në shesh të luftës
Gjakun për liri!
Dhe në familjen e madhe,
Të re dhe të lirë,
Ma kujtoni fjalën time
T’urtë dhe të mirë!…
Përktheu: Jorgo Bllaci
ObserverKult
———————————————-
Lexo edhe:
CIKËL POETIK NGA ARBEN PRENDI: MES SHIUT TË NATËS TOKËSORE
Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga shkrimtari, studiuesi dhe profesori universitar Arben Prendi.
ANIJE E ANKORUEME NË PORT
Lindës
Dashunia âsht,
si trandafili erëmirë,
si vêna e mirë.
Koha kohon: ajo vjetërohet, ne pimë,
dehemi nga pak sistematikisht,
rrugën si dikur nuk e humbim…
ndër erëmime petalesh…
Andrrojmë, shikojmë dhe njohim botën,
dhe veten
përmes saj.
Dashunia, e jona
âsht e qetë, e ambël,
e plotë, e sigurtë,
sa ç’mund të jetë një anije e ankorueme në port,
e valëvisin dallgët fort,
po nuk e përmbysin.
Âsht si lumi pranveror,
kur i del para ndoj pengesë:
cung, gur thepokë, urë
e kapërcen me vrull
e mandej rrjedh e qetë në
shtratin e saj…
Si bima,
nuk ka nevojë për vazo,
tokën e vet – shpirtnat tonë,
ushqim ka.
Një gjethe e saj ndërrohet,
me një tjetër,
dhe me një tjetër gjethe.
Stinë mbas stine,
na erdhën lulet – vajza dhe djemtë tonë.
Kjo dashuni âsht e lidhun me pejzat e sprovave të jetës,
si dora e lidhun përmes gishtave natyrshëm,
që të pushton,
pa vrazhdësi,
me butësinë e dorës që nuk dridhet ma,
si herën e parë,
e sigurtë na mban,
mos me ra në ndonjë gropë
ku i gaprron sytë mëkati…
Âsht pra dashunia jonë!
Nuk i njoh sa duhet të tana trajtat e dashunisë,
por kjo e jona âsht,
e kësojetshme.
E heshtun,
e pabujë,
e vetëmjaftueshme,
edhe pse jetojmë në një botë,
tmerrësisht të ndryshueshme…
Poezitë tjera mund t’i lexoni duke klikuar KËTU