Për tri ditë me radhë, këtë fundjavë, u mbajt edicioni i shtatë i kolonisë letrare “Muzat e Jezercit” organizuar nga Klubi Letrar “De Rada”. Ky edicion u hap me mbrëmjen poetike që vazhdoi edhe natën e dytë, ku lexuan poetë nga të gjitha viset shqiptare. Në mbrëmjen e parë, lexuan: Shkelzen Halimi, Naime Beqiraj, Donika Dabishevci, Rozafa Shpuza, Xhevat Latifi, Preng Maca, Aziz Mustafa, Kliton Nesturi dhe Besim Zymberi. Mysafir ishte edhe zëvendës ambasadori i Kroacisë në Prishtinë, Nedjeljko Špilek, me vëllimin poetik dygjuhësh “Qyteti i shpirtrave” i cili u përurua me këtë rast. Me një vlerësim kritik për librin u paraqit Arsim Hamiti, nënkryetar i KL “De Rada”, autori lexo poezi nga libri, në gjuhën kroate, ndërsa të njëjtat në gjuhën shqipe, i lexoi Drita Miftari.
Në ditën e dytë të kolonisë letrare u mbajt tryeza për nder të 210 vjetorit të lindjes së Jeronim de Radës dhe 100 vjetorit të lindjes së profesor Jup Kastratit, ku me kumtesa u paraqitën: Prof. dr. Agim Vinca, Prof. dr. Diana Kastrati, Dr. Fatmira Kastrati, prof. asoc. dr. Abdurrahim Maxhuni, Prof. ass. dr. Faton Krasniqi, Kemajl Aliu (shkrimtar), Abdyl Hajredini (shkrimtar), Preng Maca (shkrimtar) dhe Bekim Kelmendi (shkrimtar).
Në mbrëmjen e dytë poetike lexuan: Avni Halimi, Xheladin Rexhepi, Sabit Rrustemi, Nexhat Rexha, Valbona Mulaj, Arsim Halili, Muharrem Kurti, Nafije Zogaj, Mirela Papuçiu, Faruk Tasholli dhe Ismet Delija. Nëç të dy mbrëmjet, poezitë u shoqëruan me kitarë nga profesori Dren Loxha, i cili interpretoi edhe disa këngë nga repertori i tij. Të dyja mbrëmjet poetike dhe tryeza u drejtuan nga kryetarja e KL “De Rada” Zyrafete Shala.
Risi në këtë edicion ishte bashkëpunimi me shoqatën “Hithi” në organizmin e ekspozitës së karikaturës të dy karikaturistëve ferizajas, Selajdin Hajdini dhe Imri Musliu, ekspozitë kjo që i shoqëroi të dy mbrëmjet poetike dhe përfshinte rreth tridhjetë karikatura kryesisht të personaliteteve të nga bota e artit.
Vlen të theksohet se ky aktivitet i Klubit Letrar “De Rada” është mbështetur nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport.
ObserverKult