Bona Mulaj Lluka: Erdha të të them se jam mirë…

bona mulaj llukaj erdha

Erdha të të them se jam mirë.
Gjithçka frymon siç e le kur ike.
E vura në qosh të oborrit bojlinë.
Poshtë saj tavolinën me karrige.

E kumbullës, ia preva degën e rënë poshtë.
Që sa herë e shihje , thoshe: – Do krasitur.
Zambakët që mbollëm të hijeshojmë rrugicën,
veç t’i shohësh këtë pranverë sa janë rritur.

Shiu e era e dimrit i rrahën muret
E kanapetë, nga ngricat nisën të krisen.
I kam lyer e bërë si të reja përsëri.
Të mos thonë “shtëpitë pa të zot, prishen”.

Të shtrenjtit tanë lëshuan krahë
Janë bërë lisa, e shumë të mbarë.
Ndjehem e qetë, e zemrën e kam mal,
kur më thonë “Sa shumë të atit i kanë ngjarë”.

Nëse ndonjë merak ke e do të pyesësh.
Nëse pa ty t’ia dal e kam vështirë?
Ti e di, s’jam mësuar kurrë të qahem.
Erdha veç të të them…
…se jam mirë!

ObserverKult

Lexo edhe:

CIKËL POETIK NGA LIRIDON MULAJ: MBAJ MBI VETE TMERRET E KËSAJ BOTE!