Solidarizohuni me dhimbjet e të tjerëve dhe mbështetni në çastet e dobësisë…

Gjymtyra më e rëndësishme…

Një ditë, nëna më pyeti: ”E di cila është gjymtyra më e rëndësishme e trupit tënd bir?” Unë u mendova gjatë dhe nuk gjeja dot një përgjigje për atë pyetje, isha akoma i vogël.

Pas një farë kohe, duke parë rëndësinë e zërit tek njeriu, falë të cilit lehtësohet komunikimi, i thashë: ”Nënë, besoj se veshi është pjesa më e rëndësishme në trupin e njeriut.”

Ajo buzëqeshi dhe më tha: ”Bir, ka shumë njerëz që e kanë humbur shqisën e dëgjimit, megjithatë bëjnë jetë të kënaqshme. Mendohu mirë që herën tjetër kur të të pyes, të kesh një përgjigje të saktë.”

Duke u menduar i thashë: ”Janë sytë o nënë, e çfarë gjymtyrësh mund të zëvendësojnë dritën e syve? Çfarë mund të bëjmë pa sytë në jetë? Ato janë organet më të rëndësishme në trupin e njeriut.

Nëna më pa plot dhembshuri dhe më tha: ”Sa shpejt mëson bir, megjithatë nuk janë sytë. Ka plot njerëz të verbër të cilët bëjnë jetë të lumtur.

Sa herë që i jepja një përgjigje, nëna më thoshte se ishte e gabuar. Ditët kalonin dhe unë nuk po e gjeja dot përgjigjen e duhur.

Një ditë ndërroi jetë gjyshi dhe trishtimi na kaploi të gjithëve. Nëna e qau të atin e saj me shumë dhimbje.

Pasi kishte përfunduar ceremonia mortore, ajo mu afrua dhe më tha: “Po tani, e kuptove cila është gjymtyra më e rëndësishme o bir? Besoj se sot ka ardhur koha ta dish përgjigjen e duhur.”

Unë ndërhyra dhe i thashë: ”Gjatë kësaj kohe, mendoja se është thjesht një lojë dhe më duket e çuditshme përse e hape sërish këtë temë pas vdekjes së gjyshit.”

E ëma, me sytë e përlotur dhe me vështrim plot dashuri e dhembshuri iu përgjigj: “I shtrenjti im, gjymtyra më e rëndësishme në trupin tonë është supi.”

I habitur i thashë: ”Supi?! Po përse? Apo sepse mban kokën?”

Ajo tha: ”Jo, por sepse supi mban një nga familjarët, ose të gjithë, mban miqtë dhe të dashurit sa herë që u lipset të derdhin lot.

Dikur, secilit prej nesh i lipset një sup mbi të cilin të mbështesë kokën dhe të qajë. Një sup ku gjen ngrohtësi, mirëkuptim, dhembshuri dhe ngushëllim.

Prandaj i shtrenjti im, uroj që ta mbushësh zemrën tënde me shumë dashuri, mirëkuptim dhe dhembshuri, sepse, dikur, një i afërt do të ketë nevojë të mbështesë kokën dhe të qajë mbi supin tënd, siç bënim ne me gjyshin.”

Që atë ditë e kuptova që pjesa jonë më e mirë është ajo që solidarizohet me dhimbjet e të tjerëve dhe i mbështet në çastet e dobësisë.

(Anonime arabe/ Përktheu: Elmaz Fida)

ObserverKult


elmaz fida buqetë

Lexo edhe:

BUQETË POEZISH PËRKTHYER NË SHQIP NGA ELMAZ FIDA

Ju ftojmë të lexoni një buqetë të zgjedhur poezish të autorëve të mirënjohur, përkthyer nga Elmaz Fida:

PRITE
Nga MAHMOUD DARWISH, poet palestinez

Me gotën e pijes, stolisur me laps lazuli
prite
Me durimin e një kali të ushtruar për shpate malesh
prite
Me shijen e princit fisnik dhe plot hijeshi
prite
Me shtatë nënkresa të mbushura me re të lehta
prite
Me zjarrin e temjanit femëror që mbush hapësirën
dhe me aromën e pemës së sandalit rreth shpinës së kuajve
prite
Mos u nxito.. në ardhtë vonë
prite
edhe në ardhtë para vakti
prite
Mos i tremb zogjtë mbi gërshetat e saj
por prite
derisa të paqtohet si një lulishte në fazën e lulëzimit.

Prite
që ta frymosh këtë ajër të çuditshëm mbi zemrën e saj
Prite
derisa ta zbulojë këmbën, re pas reje.
Prite
dhe merre në ballkon që të shohë hënën e mbytur në qumësht
Prite
dhe qerase me ujë, para verës dhe mos
i mbaj sytë tek thëllëzat binjake mbi kraharorin e saj.
Prite
dhe prekja lehtas dorën kur
të vërë gotën mbi mermer
sikur t’i mbartje vesën.
Prite
dhe foli siç i flet flauti
një teli të trembur të violinës
si dy dëshmitarë të së nesërmes tuaj
Prite
dhe ndriçoja natën, si unaza ari.
Prite
derisa nata të të pëshpërisë:
Askush tjetër veç ju të dyve
s’ka mbetur në gjithësi.
Pastaj, merre butësisht drejt vdekjes së dëshiruar
dhe prite!

Poezitë e tjera mund ti lexoni KËTU:

ObserverKult