Leon Mirakaj: Mia

leon mirakaj

Nuk ta di emrin, por të urrej.
Ndoshta edhe ti më urren pa e ditur
Do doja të të vija një emër e pastaj të të shaja,
por ti nuk flet, heshturazi më vështron e nuk më flet
Zot, sa të urrej!
I je aq pranë e unë gjithmonë e më larg.
Ia ndjen frymën, ia sheh sytë e bukur
e për këtë të urrej.
Shkel atje ku shkel edhe ajo, prek rërën që ajo
prek!
Je me të në çdo çast që unë nuk jam
…dhe…o Zot sa të urrej, nuk ta di emrin e prapë…
Do doja të isha yt zot, të të thoja: rri larg
Zot sa keq më bën të ndihem, mik i pabesë
mes më të mirëve miq.
Ti nuk e di sa do doja të isha hija jote, hija e saj
e bashkë të këndonim:
“Ne me quitte pas”
Por ti leh, përkëdhelesh hijshëm dorës së saj
e më vështron i çuditur
Zot sa të dua sot!
Përmes teje e shoh, prej teje e ndjej,
prej teje e di në ç’det lan mëkatet
e shihet si në pasqyrë ëndrrash
e ç’erë ia ledhaton flokët e mëndafshtë.
Zot sa te dua!
Tash dhe atëherë,
besomë se të dua
aq sa,
do të të vë edhe një emër. Do të të quaj: “Mia”!
Sepse ti e di që më s’është e Imja.
Në sytë e tu zmadhohet, e tëra bërë blu
në mua e kuqe, e kuqe all mbetet.
Në ty bëhet det, në mua e me mua,
çdo ditë e më shumë tretet,
si kokrriza e rërës që tani po shkelet.
Mikja ime ti,
besnikja e vetmisë sime!
Sa fort sot të dua,
sa fort po sot të urrej…

ObserverKult

Lexo edhe:

JACQUES BREL: MOS M’LE (NE ME QUITTE PA)- TEKSTI NË SHQIP DHE VIDEO

Lexo edhe:

LEON MIRAKAJ: I DASHURUEM JAM ME TY…
LEON MIRAKAJ: NUK DUA TË SHKOJ…