“Djemtë që shesin drogë…”, poezi nga Bislim Ahmetaj
Djemtë që shesin drogë nëpër Europë,
kthehen shpesh në Atdhe.
Dhe “lumturojnë” pa skaj vajza që akoma si kanë marrë rrugët e perëndimit.
Djemtë që shesin drogë nëpër metropole,
kanë makina të shtrenjta,
natyrisht veshje firmato Philipp Plen e Valentino origjinale.
I kanë xhepat plot me pare
dhe ju shkëlqejnë mjekrat e kuruara me kujdes.
Vajzat e mbetura akoma në Atdhe,
bien në gjunjë para luksit dhe delikatesës që rrallë ju afrohet.
Djemtë që shesin drogë nëpër botë,
s’kanë emra konkretë,
ata përdorin pseudonime.
Pasi çdo verë ndërrojnë pasaportë dhe identitet.
Vajzat që i kanë tepruar akoma Atdheut,
kënaqen me pak,
një palë veshje të reja,
një parfum të shtrenjtë,
një fundjavë në bregun e Jonit
dhe qiratë e shtëpive për një apo disa muaj.
Djemtë që shesin drogë nëpër botë,
kalojnë dimra të gjatë nëpër burgjet e botës.
Djemtë e drogës mbushin kronikat e zeza të lajmeve.
Djemtë e drogës shpesh e më shpesh shihen nëpër shtylla,
si lajmërime vdekje.
Ndërsa vajzat që i kanë tepruar akoma Atdheut,
shpesh e më shpesh qajnë, ndërrojnë adresa facebook-u dhe instagrami…
ObserverKult
Lexo edhe: