Marius Dobrescu, përkthyesi rumun i veprave të Ismail Kadaresë dhe miku i tij që nga koha kur ishte student tregoi në një intervistë për emisionin Now në Euronews Albania takimin e fundit me gjeniun e letrave shqipe.
Ai rrëfeu se në takimin e fundit me shkrimtarin e madh, në fundmars të këtij viti, e kishte parandjerë se ai nuk do të ishte edhe shumë gjatë mes nesh, pasi i ishte dukur shumë i largët dhe i heshtur, sikur të kishte veshur maskën e vdekjes.
“Takimi i fundit ka qenë në 29 mars të këtij viti, isha në Tiranë, e çuditshme, është se nuk më tha asgjë, ishte i heshtur, pak i largët, pak i huaj dhe thashë me vete se Kadarenë s’do ta kemi për shumë kohë më. Siç i vuri diktatorit maskën e njerëzimit ashtu e kishte vënë edhe ai maskën e vdekjes, ishte shumë i largët, besoj se as nuk më njohu dhe kjo më ka prekur shumë.
Humbi një kolos i letërsisë botërore, shkrimtari më i madh i letërsisë shqipe, më konsideronte si përkthyesin e tij më besnik dhe unë e konsideroj si model i jetës sime, i papërsëritshëm. Për mua vepra e Kadaresë është një ushtrim matematike, secila frazë është një problem, tani kam arritur ta përkthej Kadarenë pa fjalor dhe pa pyetur njëri-tjetër.
Mesazhi im është ta lexojnë Kadarenë sepse kështu mund ta gjykojnë dhe kuptojnë më mirë historinë e vendit të tyre dhe të Ballkanit dhe mund ta njohin më mirë popullin shqiptar”, tha ai./euronews.al
ObserverKult
Lexo edhe:
ISMAIL KADARE: NË KËTË VARR PUSHON NJË VAJZË DYMBËDHJETVJEÇARE