Sonte në bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë hapet ekspozita “Një Ditë”

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK) do ta hap ekspozitën me titull “Një Ditë” kuruar nga Blerta Hoçia, më 11 korrik nga ora 18:00.

Ekspozita ‘Një Ditë’ hapet në Qendrën e Dokumentimit Kosovë në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë.

Për ekspozitën:

Asnjë ditë nuk është e zakonshme në luftë dhe secila ditë e paqes nuk do të jetë kurrë e plotë për aq kohë sa një luftë e re do të jetë duke ndodhur diku tjetër. Lufta ka aftësinë të shterojë dhe njëkohësisht të asgjësojë kuptimet; të gjuhës, të dinjitetit, të njeriut dhe të kohës. Duke ndjekur këtë koncept të mpakjes që është esenca e vetë luftës, ekspozita që i kushtohet të mbijetuarve të saj, vendos që simbolikisht ta zvogëlojë tërë kohëzgjatjen e luftës duke e rindërtuar dhe paraqitur një ditë të vetme të saj. Kjo ditë, autopsia e së cilës ndahet në mijëra çaste të brishta, përmban të gjitha llojet e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut ku secila histori e rrëfyer vjen e tkurret derisa gjen formën e një fragmenti, ngjashëm me imazhet e rizgjuara të kujtesës traumatike.

Duke imituar mënyrën e funksionimit të impulseve psikologjike, ekspozita u lakohet nevojave të historive të rrëfyera duke krijuar disa nivele të perceptimit dhe të kuptimit të saj. Së pari, historitë e treguara nuk ndalen vetëm në përsëritjen e ngjarjes traumatike, por ato mundohen të fokusohen në përjetimet e secilit, në jetën mbas dhe së bashku me traumën. Në kërkimin e formave të ndryshme të bashkëjetesës me këtë barrë, rrëfimet marrin formën vizuale të një detaji të vetëm gërricës dhe shokues që ngulmon të bëhet i plotë. Këto detaje që kanë pikënisjen e asaj ditë-nate, vizualizohen si copëza të një kujtese të shkëputur. Një pamje integrale e saj do të ishte e papërballueshme si për publikun që e mëson, ashtu edhe për të mbijetuarit që e rijetojnë.

Trauma e tyre është plaga e të gjithëve. Por përballja me traumën, edhe nga ata që nuk e kanë jetuar, rezulton të jetë traumatike. Edhe pse ky është një rrezik pothuaj i pashmangshëm, trajtimi, shtjellimi dhe artikulimi i saj, si dhe i pasojave që ka patur mbi individët dhe të gjithë popullsinë e prekur në mënyrë direkte dhe indirekte, është diçka që i gjithë komuniteti i detyrohet, për të lehtësuar barrën e viktimave dhe për të shëruar veten. Në shërbim të këtij procesi, pra të përballjes, por edhe të një dëgjimi me cilësi shëruese, është e ndërtuar ekspozita, kthesat dhe labirintet e së cilës përfundojnë duke marrë formën simbolike të një veshi; atë të publikut që dëgjon.
Rrethojat e llamarinës që në vendin e ndërtimit përdoren për të mbrojtur dhe mbuluar gropat e thella të themeleve të banesave të larta, këtu do të shërbejnë për të shfaqur rrëfimet e mbuluara të traumës.

Në labirintin që formohet duke përshkuar ekspozitën, llamarina rrjedh e valëzohet si uji i një përroi, që ndjek rrjedhën nga Studimja e Epërme në Studimen e Poshtme ku së bashku me të mbijetuarit bëhet dëshmitar i asaj dite të 2 majit të vitit 1999 që përkon me ditën e rindërtuar në ekspozitë. Fatkeqësisht, përtej masakrës së Studimes, 2 Maji përmban të tjera dokumentime të vrasjeve, zhdukjeve e torturave në të gjithë territorin e Kosovës.

Ashtu si në trajtimin terapeutik të traumës, ku kërkohet angazhimi aktiv i palëve, edhe ekspozita i shpaloset vetëm një vështrimi të angazhuar, që kërkon të vërtetat përtej dukjeve sipërfaqësore, që arrin të shohë brenda një dite, të gjithë luftën me pasojat e saj të zvarritura në një tranzicion 25 vjeçar. Në zbulimin e historive të kësaj dite, publiku reflektohet brenda këtij labirinti dhe vetvetiu gjen imazhet e veta, gjen atë ditë mbas së cilës jeta nuk ka qenë më e njëjtë.

Kjo ekspozitë u mbështet nga: Konfederata Zvicerane – Departamenti Federal i Zvicrës për Punët e Jashtme, National Endowment for Democracy (NED), Ambasada Britanike në Prishtinë, UNDP Kosovo, Komuna e Prishtinës./express

ObserverKult

………………………….

Lexo edhe:

SERGEJ ESENIN: MË THUAJ, JETËN VALLË SI E KALON…