Ndahet nga jeta Gëzim Çela, ish-i përndjekuri që kaloi 27 vjet nëpër burgje/ Amaneti i tij: Kujtoni atë që çka ngjarë!

U nda nga jeta, Gëzim Çela, ish-i përndjekuri politik që kaloi 27 vjet nëpër burgje dhe që përjetoi një kalvar traumash dhe dhimbjesh. Ai ishte 22 vjeç  kur u arrestua për “krimin e tradhtisë ndaj atdheut” përmes tentativës për arratisje, në 1 tetor 1957.

Ai u dënua me 12 vjet heqje lirie dhe në vitin 1971 u dënua përsëri me 8 vjet heqje lirie, me akuzën “për agjitacion e propagandë kundër pushtetit.”

Çela u ridënua për herë të dytë, për pjesëmarrjen në revoltën e Spaçit, me 12 vjet heqje lirie. Në burgun e Spaçit hyri në vitin 1971 dhe doli në vitin 1984. Ishte ndër të parët që e kërkoi hapjen e dosjes së tij në AIDSSH.

Jetën e tij në kampin e punës së burgut të Spaçit e shoqëroi gjesti human i një artisteje të madhe, si Vaçe Zela. Kitara e saj ishte një dhuratë ngushëlluese dhe ashtu si drita i ri përkarshi territ, ajo e ndihmoi të mbijetonte. Në tingujt e asaj kitare, Gëzimi dhe të tjerët, rezistuan dhe u revoltuan. Fati deshte të rindënohej, por shpëtoi nga dënimi me vdekje.

Me rastin e 50-vjetorit të Spaçit, në maj të vitit 2023, Gëzim Çela la dëshminë e tij mbi jetën dhe revoltën.

Gëzimi vinte nga një familje që regjimi e damkosi me biografi të keqe që kur ishte 15 vjeç. Krejt i pafajshëm, iu hoq bursa e studimit dhe askush nuk e punësoi. Arratia ishte shpresa e tij e vetme, por nga ëndrra për liri përfundoi në hetuesi. I burgosuri i ri politik ndërtoi Rinasin, hapi kanalet vaditës në Thumanë etj, punoi në miniera, dhe më pas përfundoi në Spaçi, dëshmitar dhe vuajtës i punës së rëndë të papaguar, të rrezikshme, i dhunës, i jetës së keqe si në higjiene e ushqim.

Ai la këtë mesazh për Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991: “Me gjithë përpjekjet që bëhen përditë, herë majtas, herë djathtas, kemi mbetur akoma tek ai sistem i vjetër. Është në interesin e shtetit dhe shoqërisë sonë që ta bazojmë të shkuarën në fakte, dokumente, vende kujtese siç është Spaçi. Burgu i Spaçit është monument që do t’i shërbente historisë së njerëzimit. Monumentet e kulturës që i përkasin sistemit të vuajtjes së njerëzve në sistemin komunist, siç janë kampet e përqendrimit, burgjet, duhet të ruhen edhe të shërbejnë për të kujtuar atë që ka ngjarë.”/topchannel

ObserverKult


Lexo edhe:

HAJRULLA ÇEKU: NISI RESTAURIMI I NJË PREJ SHTËPIVE MË TË VJETRA NË KOMUNËN E FERIZAJT