Nga Blerim Valla
Gazetarja e njohur britanike, Alice Taylor, si mysafire speciale, në kuadër të festivalit kulturor “Ditët e Shqiptarit” që po mbahet në Gjakovë, ka promovuar librin e saj të parë, që është shqip dhe anglisht, me titull “Alice in Albania| Alice në Shqipëri : 250 Adventures | 250 aventura” që është një rrëfim personal i përvojave që znj. Taylor i ka grumbulluar dhe shkruar gjatë 7 viteve të jetesës së saj në Shqipëri.
Përmes tregimeve me një gjuhë sa të sinqertë, aq edhe poetike, autorja fton lexuesin vendas dhe të huaj të përjetojë përvoja autentike në Shqipëri, duke shkuar në vende që të befasojnë duke u ndalur enkas traditave tona që po shuhen dalëngadalë. “Alice in Albania: 250 Adventures” është më shumë se thjesht një libër udhëtimi. Është një homazh i përzemërt për një vend që po kalon transformime të rëndësishme. Alice i kap këto ndryshime përmes vëzhgimeve të saj të thella dhe të sinqerta, duke u ofruar lexuesve një pamje të një kombi dinamik. Nga veçoritë kulturore dhe zakonet tradicionale te kënaqësitë e kuzhinës dhe vendet historike, libri i Alice është një thesar i mrekullive shqiptare.
“Dua që njerëzit, shqiptarët të duan vendin e tyre, Shqipërinë, por edhe për traditat që po shuhen, vendet që janë në rrezik shkatërrimi apo janë shkatërruar. Është me rëndësi të krijohet një perceptim pozitiv për Shqipërinë. Unë kam një vajzë, ajo ka shokë e shoqe dhe dua që ata të rrinë në Shqipëri, ta duan vendin, të ndihen krenarë dhe ta bëjnë këtë vend më të mirë”,- tha në fjalën e saj gjatë promovimit Alice Taylor.
Alice e cila lirisht mund të quhet një ambasadoreje jozyrtare e Shqipërisë për turizmin, uroj që libri i saj të zgjojë kureshtje te sa më shumë njerëz për të ardhur dhe për të vizituar Shqipërinë.
“Dua që libri të tërheq turistët, sidomos ata që mendojnë ku të shkojnë për pushime. Ky libër do t’ju shërbejë si një guidë për të gjitha vendet që mund të vizitojnë. Doja të tërhiqja edhe njerëz nga diaspora që i ka marrë malli për vendlindjen ”,-tha autorja .
Përveçse në Shqipëri e në Gjakovë, libri do të promovohet në vijim edhe në Belgjikë dhe Shtetet e Bashkuara. Për t’i kthyer diçka vendit që i ka dhënë shumë, Taylor ka vendosur që 10% e fitimeve nga shitja e librit të shkojnë për fondacionin Mary Ward Loreto që ndihmon viktimat e trafikimit.
Përndryshe ishte viti 2017, kur gazetarja Alice Taylor, duke kërkuar një drejtim të ri në jetë pasi kolegia e saj Daphne Caruana Galizia u vra brutalisht në Maltë, përfundoi në Shqipëri me një pushim treditor. Por ajo përfundoi duke qëndruar, duke ndërtuar një jetë, duke krijuar një familje dhe duke zhvilluar një pasion të thellë për shtëpinë e saj të re – Shqipërinë. Ajo ka shkruar gjerësisht për vendin dhe e ka prezantuar dashurinë e saj për Shqipërinë për televizionet vendase dhe ndërkombëtare dhe mediat e shkruara.
Lidhja e dashurisë së Alices me Shqipërinë tani është e përmbledhur bukur në librin e saj debutues, “250 Aventurat e Alice”. Më herët Alice ish-gazetarja dhe reporterja e Euronews Albania dhe korrespondentja e kryeredaktorja për Shqipërinë e Euractiv, ndante përvojat e saj në vendin tonë, fillimisht me dhe për të huajt e më pas dhe për komunitetin lokal. Dhe pikërisht këto rrëfenja me stil të veçantë, që sillnin karaktere unike njerëzore, vende të rralla, përvoja autentike dhe Shqipërinë e (pa)njohur do të bëheshin zanafilla e librit të parë të Taylor, “Alice në Shqipëri, 250 aventura”, publikuar nga shtëpia botuese Dudaj.
Ardhja e Alices në Shqipëri nuk ishte thjesht e rastësishme, por një vendim i mirëmenduar. Ajo erdhi si turiste dhe qëndroi si një avokate e pasionuar për këtë komb të gjallë. Udhëtimi i saj nga një vizitore kurioze në një banore të përkushtuar është një histori frymëzuese dashurie, përkushtimi dhe zbulimi. Alice nuk u përshtat vetëm me Shqipërinë ; ajo e përqafoi atë plotësisht, duke mësuar gjuhën, duke u zhytur në kulturë dhe madje duke blerë një shtëpi këtu.
Ky libër i Alice- s është një koleksion i disa përvojave të saj dhe disa përvojave që mund të keni nëse vendosni ta vizitoni. Të thënë pa frikë apo favore, ato përfshijnë vende me interes kulturor dhe historik, ushqim dhe pije, veçori kulturore, tradita, njerëz interesantë dhe gjithçka në mes. Ai synon të jetë njëkohësisht një udhëzues për këdo që është i interesuar në Shqipëri dhe një pamje e një vendi që përjeton ndryshime të rëndësishme kulturore, demografike, sociale dhe infrastrukturore.
Libri i saj, është një pasqyrim i gjallë i rrugëtimit të saj. Është një përmbledhje historish unike që kapin thelbin e Shqipërisë me sytë e saj. Tregimi i veçantë i Alice-s sjell në jetë personazhet e ndryshëm, vendet e rralla dhe përvojat autentike që ajo hasi. Rrëfimet e saj, të shpërndara fillimisht në blogun e saj të njohur “Balkanista”, tani janë shndërruar në një udhëzues gjithëpërfshirës që portretizon aspektet e njohura dhe të fshehura të Shqipërisë.
Dashuria e Alices për Shqipërinë duket jo vetëm në shkrimet e saj, por edhe në veprimet e saj. Ajo ka zgjedhur të rrisë vajzën e saj në këtë vend, duke i vendosur një emër kryesisht shqiptar, Dea.
ObserverKult
Lexo edhe: