Idea Vilariño: Nuk do të jemi më…


Poezi nga Idea Vilariño

Nuk do të jemi më,
bashkë nuk kemi për të jetuar, birin tënd
nuk do ta rris
petkat e tua nuk do t’i qep unë, netëve i imi nuk do të jesh
nuk do të të puth në largim, kurrë nuk ke për të ditur kush isha unë mirëfilli
përse të tjerë më patën dashuruar.

Nuk do të di përse, në çfarë mënyre, asnjëherë
as vërtetësinë e pohimeve të tua për mua,
as kush ishe ti mbase, as çfarë isha unë për ty sakaq
as domethënien pandehmë të bashkëjetesës sonë të mundshme,
sikur të dashuroheshim, njëri-tjetrin ta kishim pritur,
bashkërisht.

Unë jam thjesht unë përherë, e ti
për mua do të jesh ti gjithnjë, pareshtur.
Tashmë nuk të gjej dot ditëve të ardhshme të mia
fare ku ti jeton, nuk kam për ta ditur, as me kë ndoshta
e ti për mua, aspak nuk do të kujtohesh.

Kurrë nuk do të më përqafosh më, si këtë natë të fundit.
Nuk të prek më dot. Nuk do të shoh si tretesh.

Përktheu: Elvi Sidheri

ObserverKult


Lexo edhe:

PARAMENDOJENI: ALEKSANDËR MOISIU PRITI 3 VJET PËR PASAPORTËN SHQIPTARE…