Littera sjell për lexuesit trilogjinë poetike “Zoti vdes i pari” të Afrim Demirit

Trilogjinë poetike “Zoti vdes i pari” të autorit Afrim Demiri, botuar nga Shtëpia Botuese Littera, nga e hëna lexuesit mund ta gjejnë në librari.

Recensentë të librit janë Faruk Tasholli dhe Vlora Konushevci, për ballinën u kujdes Alba Demiri, ndërsa botimi u përkrah nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës.

Për librin:

afrim demiri

Faruk Tasholli:

Vizueliteti jetësor dhe vizueliteti fiktiv, janë dy kontraste të ashpra në poezinë e Demirit, nga të cilat shfaqen shkëndija panoramike, që vetë poezinë e kthejnë në një çerdhe absurdi, në majë të një kapërcyelli lufta/paqja. Në këtë interferencë figurash, pas vdekjes së një frike e trishtimi, vjen trishtimi i ri, vjen frika e re, që poeti i kundërvihet me protestën shpirtërore aq edhe me reagimin filozofik njerëzor, por gjithmonë i mundur. Vargjet si: Ashensori koha ime vertikale ose shtëpitë po paketohen në shumëkatëshe/ oborret po vdesin korridoreve pa dritë, sa flasin për një anarki lëndore po aq edhe për një anarki morale, ku robi vështirë e gëzon lirinë apo nga vrulli entuziast e degradon atë. Autori, si një i burgosur në anarki, proteston e gjëmon me revoltën përmes shenjave poetike që i spikatë gjuha e metaforave.

Vlora Konushevci

Në poezinë e Afrim Demirit alkimia metaforike shpaloset përmes përdorimit të gjuhës metaforike, duke i shndërruar edhe elementet e zakonshme në simbole me ndikim që pasurojnë shtresat e kuptimit brenda vargjeve. Kështu, poeti Demiri, i distilon të vërtetat tragjike për të ngjallur rezonancë emocionale nga përvoja, që në shikim të parë duket e zakonshme. Pra mjeshtëria e poetit këtu qëndron në aftësinë e tij për të shndërruar të zakonshmen në të jashtëzakonshme, konkreten në abstrakte. Nëpërmjet procesit alkimik të metaforës, ai i fton lexuesit të gërmojnë nën sipërfaqe, të zbulojnë shtresa më të thella kuptimore duke u lidhur me aspektet universale të përvojës njerëzore. Fuqia transformuese e gjuhës metaforike bëhet një katalizator i kuptimit dhe eksplorimit të të vërtetave të fshehura brenda vargjeve që bartin një fuqi të madhe ekspresive.

afrim demiri poetika e gjithkohshmja anderr çelës gjuha e heshtjes

Për autorin

Afrim Demiri, lindi në vitin 1960, në fshatin Sazli, në Ferizaj.  Gjimnazin Matematikor dhe Fakultetin Teknik, drejtimi elektronikë i mbaroi në Prishtinë. Me letërsi filloi të merret në vitet 80-të, duke shkruar poezi, tregime të shkurtra dhe reportazhe. Disa herë punimet e tij u shpërblyen në konkurset letrare. Ishte bashkëthemelues i gazetës lokale Ferpress, si dhe gazetar, moderator dhe redaktor i informacionit në TV Tema. Në periudhën 1997-2015, botoi shkrime publicistike si korrespondent i gazetës “Koha ditore”.
Ka botuar:
“Fjongo e zezë”, poezi, Klubi letrar De rada, Ferizaj, 1994
“Figura e 17-të”, tregime, SHB “Beqir Musliu, Gjilan, 2023, libër ky që u shpërblye nga MKRS-ja si libri më i mirë në prozë gjatë atij viti duke marrë shpërblimin “Anton Pashku”.
 Punon si mësimdhënës në IAAP “Pjetër Bogdani”, në Ferizaj.

ObserverKult

lexo edhe:

Littera sjell për lexuesit romanin “Bërja e shkretëtirës” të Ahmet Selmanit

Littera sjell për lexuesit librin “Kangët e Babës” të Bislim Ahmetaj