Poetika e Emine Maliqit

Emine Maliqi pem'za

Nga: Mërgim Bekteshi

Poezia ende po mundohet të mbajë të gjallë letërsinë, të frymojë me qelizat e mbetura. Marrë për bazë trendin e zhvillimit të teknologjisë, letërsia në përgjithësi është në një gjendje jo të mirë. Lexuesit e mundshëm i shmangen duke e konsideruar atë si të frymës shpirtërore, madje nganjëherë edhe teologjike, që nuk shërben për ngritjen e shoqërisë apo të individit në nivelin intelektual. Një mendim apo fakt tejet i gabuar që mund të bartë pasoja të mëdha dhe të pariparueshme, meqë letërsia e posaçërisht poezia është akti më i thellë, sa dramatik aq edhe përmbajtësor, në kulturën individuale dhe shoqërore.

Kafja e lehtë më kujtohet/s’lente gjurmë në filxhan’’(f.50), është vargu i poezisë në librin “Kuqmi flokët e thimë” e autores Emine Maliqi e njohur edhe me një emër të dytë, artistik, Pem’za Peso, botuar nga Shtëpia botuese “Littera”, 2022. Libri është i ndarë në pesë tufa poetike, secila tufë poetike përmban ndjeshmërinë e vargëzimit, nisur nga pesha e motiveve, autorja mundohet të ngjallë kujtesën apo të bashkëjetojë me përhumbjen, ankthin, dashurinë, stinët dhe familjen. Duke u thelluar më tej, redaktori i librit, Agim Morina, e përkufizon  autoren si: ’’një za origjinal tundues, një aventurë magjike nëpër një botë poetike krejt autentike’’.

Tufa e parë përmban një retushe Nano kam nisë me të ngja ty! Në këtë mjedis të poezive plot jonizim, autorja Maliqi dikton kujtesën për anëtarët e familjes, një mallëngjim, një idilë e pastër që figurativisht e paraqet me ndjeshmëri artistike, sidomos për nënën dhe babën. Në këtë mishërim, ajo kundron kujtesën kur nëna kishte mbyllur sytë përgjithmonë, ndërkaq ngjasimi i saj me nënën sikur i krijon frikë babës, ngacmon kujtesën e familjes: Baba nuk më sheh ma me sy/e kap tuta(f.13). Në këtë mjedis të ndjeshmërisë edhe baba zë një vend të rëndësishëm, sidomos rëndesa e pleqërisë që krijon situata: shtati i rrudhet si jetim apo s’don me i ra taman moshës që ka/ don me u dukë sa na(f.18).

I dashuni jem prej letre është tufa e dytë që fillon me një varg simpatik, por edhe me kontekst tejet të ngjeshur: ra dashnia/prej së nalti(f.23) apo vargu tjetër: i dashuni jem prej letre/të palova degermi/e të fsheha në xhep setre/ e të dukesh si hajmali(f.26). Dashuria, kjo krijesë shpirtërore, ruhet edhe me fanatizëm, shpesh edhe atakohet nga xhelozia, përhumb përballë normave e kontradiktave të mjedisit shoqëror, ajo sa duket se rrezaton, poetja duket se fillon të shfaqë fundin e saj: vdiq edhe dashnia/s’po di ku m’e varrosë/ asht morti mortjes(f.41), pastaj hareshëm e godet, por me një dozë të skepticizmit, sepse ajo do ta godasë në vazhdimësi sikur në vargun tjetër: krejt kujtojnë se jam shpend/ për ty/ e kurrkush s’e din/ti je dorasi jem(f.27).

Tufa e tretë Orë e nusnume vë në spikamë mbijetesën apo reliktet që autorja do t’i kujtojë: i hollë/i shkurtër/i zi/mbet i ri(f.60), një fustan që do qepet me copat e mbetura të jetesës, me ngjyrë më të errët se nata, më i shkurtër se dita e dimrit dhe më i hollë se drita. Ky përshkrim tejet alegorik ka një ngjeshje në të menduar, është ndjesi e hollë artistike që autorja e reflekton te lexuesi. Në këtë tufë janë edhe disa poezi të tjera që shpërfaqin një trajtesë të fatit apo kur nuk i trembet vdekjes, por pleqërisë së thellë që ia merr me vete bukurinë; kjo ndoshta është frika e bukurisë femërore.

S’je veç stinë! është cikël me poezi ku poetja e reflekton gjithë qenien e saj brenda figurave dhe relacioneve të tjera të stilistikës për të ndërtuar një kompozicion, që në esencë është tërë reflektimi i saj i bukur, i transmetimit të afshit dhe brendisë autoriale. Në poezinë Pemë e re, poetja përgjithëson pemën që zhveshet në vjeshtë dhe ajo vuan nga brendia, por autorja e sugjeron pemën: ajo s’e din/ se zhveshja dhemb vetëm për herë të parë/ cilado qoftë ajo zhveshje(f.63). Në këtë cikël është edhe një poezi që reflekton një eros të sintetizuar me stinën e dimrit: tinëz erdhën/dimën mbas dimni/ e ma rrafshuan stomin e gjinit, apo fundvargu tjetër: bregorja jeme e harrume/që pati nxjerr krye(f.72)

Tufa e fundit Për vete e ruajta nji gur! përmbledh poezi të natyrës, rebelimit, angështisë, shthurjes e konceptesh që duken si fiksione, por godasin qenien e njeriut si psh: sa herë vizatoj nji fëmijë/trishtohem/veç nji vijë ma shumë/ e ban me u dukë ma plak(f.82). Një tjetër poezi që përbën një rrëfim interesant është kur poetja reflekton një sekret të lashtë sa vetë njeriu, vrasjen: prej atëherë s’kam vra ma kurrë/ as trumcakë e as burrë/ veç për vete e ruajta nji gur(f.81)

Me këtë përmbledhje të poezive, poetja Emine Maliqi i ka dhënë një vlerë të lartë poezisë dhe poetikës. Poezitë e saj shpërfaqin një stil të veçantë rrëfimi poetik, edhe për nga ana gjuhësore, që ka një shtrirje krahinore deri diku e gegërishtes e në disa poezi një simbiozë me standardin gjuhësor. Në përgjithësi, të pesë tufat poetike shtrijnë botëkuptimet autoriale, janë porosi dhe prekjet e saj kanë një kapërcyell të lezetshëm leximi për të kaluar deri në afshin që poezia reflekton te lexuesi.    

ObserverKult


Lexo edhe:


TREGIME NË TRI VARIACIONE GJUHËSORE