Nga Anila Toto
Gjëja më e bukur që kemi në këtë botë janë fëmijët. E gjithë bota që rrotullohet, është fëmija. Fryma e parë dhe e fundit që kemi dhe japim, është fëmija. Dashuria e vërtetë për ne lind kur ndiejmë në bark lëvizjen e parë të foshnjës, zërin e butë e së qarës së parë, tingullin e ëmbël të fjalës së parë, buzëqeshjen e çiltër që na bekon në shpirt. Vetëm dy ditë na ndajnë nga një vrasje e dhunshme që tronditi gjithë shoqërinë shqiptare. Mirëpo kjo na përfshin të gjithëve si prindër, si mësues, gjyshër, motra, vëllezër, qytetarë…
Një qartësim i menjëhershëm i ndërgjegjes për situatën në të cilën rrezikohen fëmijët tanë, fëmijët tuaj, fëmijët e tyre.
Kjo që ndodhi është si një bombë e mosnjohjes së situatës, së pavetëdijes, të gjendjes në të cilën rriten dhe jeton çdo ditë brezi i ri. Duket si një minë me sahat për të ardhmen. Modelimi i dhunës pothuajse kudo si pjesë e dominancës dhe forcës ndaj më të dobëtit, zgjidhjes së situatave duket si sjellje e natyrshme e një shoqërie. Siç thotë Tolstoi” Të gjithë duan të ndryshojnë botën, por askush nuk ndryshon vetveten.”
U lënduan fëmijët, kësaj here mes tyre. Ky fenomen lëndoi gjithë ata njerëz që i kuptojnë gjendjet, pasojat, kohët.
Nuk e ka fajin vetëm tik-tok. Më i madh është modeli që jepet çdo ditë se më i forti fiton në çdo fushë. Në fakt, kemi humbur të gjithë nëse fëmijët tanë bien pre e dhunës apo ushtrojnë dhunë. Modeli i shoqërisë problematike po pasqyrohet në mënyrë të shkallëzuar. Prindër të dashur, mbani pranë fëmijët tuaj! Kontrolloni reagimet e tyre ndaj situatave e mësojini të kenë dhimbsuri e respekt për bashkëudhëtarët. Kanë vetëm një shans. Vetëm një!
ObserverKult
Lexo edhe: