Dea Basha: Ti zgjodhe… të më urresh vetëm mua

Ti zhdukesh
Si shembje muzgu
Në buzën e dritësive të përgjumura
Si petalet e frymës dhe shpirtit
Që u dogjën udhëve të pasvdekjes
Por plagët e shkaktuara nga engjëjt
Nuk janë njësoj si ti dhe zhdukja
Ato shfaqen
Kur
Ti ikën
Sepse ndoshta të frikësoj
Më tepër se shija e verës së bardhë
Shije karboni, dheu, xhamash
E kur në vend të gotave kërcasin eshtrat
Harron të marrësh frymë
Harron që po thyhesh
Dhe çdo copë e jotja shpërbëhet
Në vetminë që sjellë dehja e orëve të vona
Dhe atëherë çdo tmerr kthehet
Kur
Ti ëndërron
Sorollatjet e mia
Në qytezën e shkretuar të Marsit
E braktisur, vazhdoj kërkoj atë që humba
Paqen, shpërfytyrimin, inatin
Ato që ti vazhdon të m’i fshehësh
Të kyçura brenda një realiteti tjetër
Tërësisht të huaj
Për atë çka jam
Kur
Ti dashuron
Turma engjëjsh që më vijnë rrotull
Me qëllim që të ma mbulojnë
Fytyrën e përvuajtur
Me të pathëna, sekrete, vajtime të pazëshme
Më kafshojnë, më godasin, më përqafojnë
Maltretohem dhe vështrohem
Nga një tjetër hije e humbur
Nga qielli nis pikon
Shiu i fëmijërisë time
Dhe nuk më kujtohet asgjë tjetër
Përveç flokut tënd të zi
Kur
Ti shfaqesh
Dhe përballë meje kalbesh
Si të mos kishe qenë kurrë i gjallë
Si të mos ishe njeriu që dikur
Shkëmbeje puthje me muzgun
Por tash je tretur dhe po vdes
Në mesin e atyre që nuk ju bëhet vonë
Për ëndrrat që shpejt marrin fund
Kur
Unë pushoj
Së kërkuari mes rrugësh të shkreta
Diku në qytezën e Marsit
Po pi një gotë verë të bardhë
Dhe po mundohem të mos djeg më
Petale fryme dhe shpirti
Veç të të përkëdhel flokët e zinj
Dhe mos ta lëshoj skeletin tënd
Të pajetë, në tokën e pasvdekjes
Deri sa të dehem dhe të harroj
Orët e vona të plagosjes
Kur
Ti zgjodhe
Të më urresh vetëm mua.

ObserverKult


Lexo edhe:

DEA BASHA: LARG MEJE NUK GJEN DOT PREHJE…