“Fill i vetëm natën e kërshëndellave”, poezi nga Charles Bukowski

Poezi nga Charles Bukowski

fill i vetëm, natën e kërshëndellave
në dhomë moteli
bri bregdetit
buzë pacifikut –
a e dëgjoni?

u përpoqën ta rregullojnë këtë vend
si spanjollët, këtu janë
tapiceritë dhe llambat, edhe
nevojtorja është e pastër, kanë edhe
toptha të vockël sapuni të
trëndafiltë.

këtu s’do të na
gjejnë:
barakudat a damat a
idhujtarët e
idhullit.

atje në qytet
janë të dehur dhe të frikësuar
ngarendin nëpër dritën e kuqe të semaforit
i thejnë kokat
në lavdi të ditëlindjes së
Krishtit. fort mirë.

së shpejti do ta thaj këtë shishe
rumi portorikan.
në mëngjes do të vjell dhe do
të bëj dush, do të kthehem
mbrapa, do të ha një sanduiç rreth orës 1 pasdite,
do të kthehem në dhomë deri në
2,
do të shtrihem në krevat
duke pritur që të cingërojë telefoni,
por s’do të lajmërohem,
festa më është
shmangie, arsyetim
jo.

Përktheu: Fadil Bajraj

ObserverKult


Lexo edhe:

CHARLES BUKOWSKI: DO TË DOJA TË DI DIÇKA PËR DASHURINË…