“Spleen”, poezi nga Sadedin Mezuraj

sadedin mezuraj dashuria

U zgjova nga një ëndërr e keqe
E në shpirt më mbeti një vrragë,
Trëndafilat që binin nga qielli
Mbi kurmin tënd bëheshin plagë.

Nën qiejt me grine depresive
Dita nisi rrjedhën e qetë
Në pasqyra virtuale vetmashtrimi
Narcizi kqyr fytyrën e vet.

Një zë më qorton prej së brendshmi
Vetja ime tjetër po më flet:
Në grazhdin e derrave mos hidh perla*
Në një botë ku gjithkush është profet!

Tre strofat e para dolën bukur
Dhe rima më duket nuk kërcet,
Oh! Do të bëhem vërtet me flatra
Nëse dikush më thotë: je Poet!

Pëlhurën e ditëve me pluhur
E thur dhe e shthur ky qytet
Gjeniu i të keqes mbi ballkon
Çdo mbrëmje thur Iliadën e vet.

Një diell do shkëlqejë për të gjithë
Kur qielli të pastrohet nga retë,
Me dafinat e lavdisë së stisur
Gjithkush stolis kokën e vet.

Të jetosh në këtë botë të bollëkut
Me reklamat që bjenë si rrebesh
Dhe Frommi do çmendej, do thyhej
Nga dilema: të jesh a të kesh.

Në boshin e sheshit në qendër
Rrethuar nga përbindshat viganë
Dyzohem një çast i përhumbur:
Jam këtu… apo në Manhattan!

Do të iki, do t’ia mbath nëpër pyje
Larg kësaj parajse që të vret,
Nëse zanat janë trille përrallash
Do ta gjej një gazelë që më pret…

*Bibla: Matheu 7: 6

ObserverKult


Lexo edhe:

SADEDIN MEZURAJ: REKUIEM PËR KADARENË