
Në rubrikën Rekomandime leximi, mysafir i ObserverKult është shkrimtari, Sadedin Mezuraj. Ja cilat janë librat që Mezuraj u sugjeron të pasionuarve pas leximit.
———
Të rekomandosh tre libra për t’i lexuar të tjerët, është një vështirësi e dyfishtë:
Së pari sepse, sikurse thuhet, shijet janë personale, aq më tepër në këtë kohë, kur relativizmi moral dhe estetik është bërë mantra e njeriut postmodern dhe çdo “autoritet” rekomandues do të shihej, për ta thënë pak më butë, do të shihej me skepticizëm. Në të vërtetë, rekomandimet për librat duhej të vinin nga kritika letrare, e cila funksionon si një sistem që ndjek në vazhdimësi procesin letrar, vlerëson prurjet letrare dhe orienton shijet e lexuesit drejt vlerave të mirëfillta letrare. Mjerisht tek ne mungon një kritikë letrare profesionale dhe sistematike. Një pjesë e lexuesve librat i përzgjedh mbi bazën e reputacionit të autorëve, nga kërshëria ose përmes rekomandimeve të miqve të librit.
Së dyti, bota ka kaq shumë libra – flas për libra të bukur, jo për gjithçka që është botuar- pra ka aq shumë libra -jo vetëm letrarë- sa nuk do mjaftonin edhe dy jetë për t’i lexuar të gjithë. Por nuk është e thënë t’i lexosh të gjithë dhe nuk duhet t’i lexosh të gjithë, sepse njeriu nuk është thjesht qenie leximtare por qenie me interesa të gjera dhe mbi të gjitha, jeta duhet jetuar me të gjitha ngjyrat dhe dimensionet e saj dhe leximi duhet t’i shërbejë njeriut në betejën e tij të jetës, jo thjesht si stoli dhe mbushje e kohës së lirë, por si burim kulture, humanizimi dhe për ta përballuar jetën me bukuri dhe dinjitet.
Nga Sadedin Mezuraj
A ka lidhje arti me të vërtetën? Arti/ letërsia na ndihmojnë të njohim jetën/ realitetin apo t’i arratisemi realitetit dhe të vërtetave të tij të ashpra?
Niçe diku thote se “Kemi artin si mënyrë për të mos vdekur nga e vërteta”. Kjo thënie e tij duket si përsëritje pak ndryshe e asaj që thotë Dostojevski se “E bukura do ta shpëtojë botën“. Kurse poeti Fernando Pessoa thotë: “E gjithë letërsia është një përpjekje për ta bërë sa më të vërtetë realitetin. Duken si pohime kontradiktore por thellë – thellë fshihet i njëjti shqetësim për funksionin e artit dhe letërsisë.
Por nuk të lë të qetë Borges i cili, duke i bërë jehonë konceptit kantian mbi estetikën si “kënaqësi si pa interes”, raportin e njeriut me letërsinë e redukton në “lumturinë e leximit“. Borges ka të drejtë- një roman, tregim apo poezi, së pari duhet të përmbushi kriterin e bukurisë estetike, duhet të jetë i shkruar me gjuhë artistike, si parakusht për të përftuar ”lumturinë e leximit”.
Të lexosh letërsi do të thotë zbulosh botë të reja të krijuara nga imagjinata autoriale, të njohësh personazhe të mahnitshëm, të jetosh aventurën dhe vuajtjen e të tjerëve, të zbresësh në zgafellat e shpirtit njerëzor, të njohësh botën dhe vetveten, të humanizohesh dhe lumturohesh.
Sepse ajo që i bashkon të gjithë librat e mirë, pavarësisht nga rryma, autorët, zhanri dhe epoka kur u shkruan, ështe bukuria, kënaqësia estetike prej nga përftohet “lumturia e leximit”
“Njeriu lind në gjuhë dhe nëpërmjet gjuhës“- thotë psikanalisti Lacan. Që do të thotë se njeriu vetëm përmes gjuhës dhe komunikimeve të shumëfishta shpaloset dhe realizohet si qenie njerëzore. Bazuar në thënien e Lacan, mund të themi se njeriu, metaforikisht “rritet” kulturalisht dhe alfabetizohet përmes gjuhës së shkruar, pra nëpërmjet leximit. Leximi, aq sa është shkëputje dhe “arratisje” nga realiteti, po aq është edhe zhytje në misteret e realitetit dhe një mënyrë për ta përballur atë jo vetëm si qenie që mendon por edhe me ndjeshmëri humane.
Nuk e mbaj veten si një lexues model por di që të lexuarit më është bërë mënyrë e qenësishme e të jetuarit, një kërshëri që mbetet përherë e re në aventurën e madhe të zbulimit dhe kuptimit të botës.
Nisur nga kjo përvojë, lexuesit të ri por edhe fashës së lexuesve në moshën kur jeta u ka mësuar shumëçka, modestisht do të rekomandoja këto tre romane:
1.”Shënime nga kati nëndhes” – Dostojevski
Ka libra të cilët, pasi i përfundon, përjeton atë që Borges e quan “lumturia e leximit”. Por ka pak libra të cilët, kur i lexon, të tronditin me qasjen autoriale dhe diskursin narrativ.
Një nga këta libra është “Shënime nga kati nëndhes” (ka disa përkthime dhe njihet edhe me titullin Shënime nga nëntoka) të cilin Dostojevski e botoi në vitin 1864, në një periudhë kur në Rusinë cariste ishte rritur fryma e lëvizjeve liberale dhe jeta intelektuale karakterizohej nga debati mes adhuruesve të vlerave të Perëndimit dhe nga ana tjetër ishin sllavofilët.
Pjesa e parë e novelës është një stuhi idesh, një sulm kundër racionalizmit, determinizmit çerniçevskian, një kryqëzatë kundër nihilizmit/ bazarovizmit (Etër dhe bij-romani i Turgenievit), kundër socializmit utopik, kolektivizmit dhe ideve rusoniane mbi njeriun e mirë. Dhe mbi të gjitha, Shënime nga kati nëndhes me protagonistin pa emër, njeriun e nëntokës, me kakofoninë e ideve dhe ndjesive, atje në qoshen e tij, i strukur si urith, i vetmuar, cinik, antisocial, shënon fillesat e ekzistencializmit-të asaj filozofie dhe letërsie e cila do të bëhej mbisunduese në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë me emra të tillë si Hajdeger, Sartre, Kamy, Kafka etj.
Dostojevski në këtë novelë shtron disa pyetje të rëndësishme në rrafshin filozofik, si: a është njeriu qenie me vullnet të lirë apo i determinuar nga kushtëzimet social-ekonomike dhe kulturore, a është njeriu qenie programuar nga arsyeja, racional apo ka edhe shtysa iracionale?
Në “Shënime nga nëntoka”, Dostojevski shpërthen kundër idesë së lirisë si logjikë dhe utilitet. Sipas racionalistëve të shekullit XIX (si Çerniçevski, Belinski, madje deri diku edhe të ndikuar nga Rusoi), njeriu do të vepronte gjithnjë në përputhje me interesin e vet më të mirë. Shoqëria ideale, sipas tyre, mund të ndërtohej mbi logjikën e përbashkët të lumturisë individuale dhe kolektive.
Por Dostojevski, përmes protagonistit pa emër, pra njeriut të nëntokës, e mohon këtë ide dhe thekson se liria e vërtetë nuk është ndjekja automatike e përfitimit racional, por kapriçoja e njeriut për të vepruar kundër çdo llogaritjeje, madje dhe kundër vetvetes.
Kjo është “liria tragjike”: aftësia për të thënë “jo” edhe kur të gjithë parametrat tregojnë se “po” do të ishte zgjedhja më “e mirë”.
Në këtë mënyrë, Dostojevski hap derën për atë që më vonë do të bëhet një temë qendrore e ekzistencializmit: liria si ankth, liria si barrë, liria si vetëshkatërrim. Në këtë kontekst, Dostojevski argumenton se është më e rëndësishme për njeriun të jetë i lirë, sesa të ketë një jetë të garantuar dhe të parashikueshme.
Në një kuptim të thellë, ai thotë që njeriu nuk është thjesht një makinë e ndërtuar për të ndjekur logjikën e arsyes -ai është një krijesë që ka nevojë për mister, për pasiguri, për mundësinë e një lirie që tejkalon çdo llogaritje të arsyeshme.
Për Dostojevskin, liria e vërtetë është ajo që na lejon të shkojmë përtej ndjesisë së pashmangshme të pasigurisë dhe irracionalitetit, për të krijuar një botë që ka sens për individin, përtej strukturave të shoqërisë dhe ndjeshmërisë kolektive.
Novela Shënime nga kati nëndhes me kompleksitetin e ideve dhe diskursit narrative është uvertura e lirisë për njeriun në epokën e tronditjeve sociale.
Kjo është ajo që e bën “Shënimet nga kati nëndhes” kaq të fuqishme dhe tronditëse për lexuesin- është përballja me një botë ku rregullat e mendimit racional janë të pafuqishme për të përshkruar pasionet, përvojat dhe kërkesat më të thella të shpirtit njerëzor.
2. “Lehtësia e padurueshme e qenies”– Milan Kundera
Milan Kundera këtë roman të mrekullueshëm me stof filozofik e publikoi në vitin 1984 në Francë. Romani i Kunderas është, në thelb, një traktat filozofik i shndërruar në narrativë, ku njeriu i lirë, individualist, përballet me utopinë shtypëse të komunizmit çek. Protagonistët (Tomas, Tereza, Sabina) janë figura që nuk përputhen me moralin, disiplinën dhe ideologjinë e shtetit totalitar. Në një sistem ku jeta individuale është e nënshtruar ndaj doktrinës, aktet intime, sidomos seksi, shndërrohen në gjeste rezistence, në shprehje të lirisë personale.
Tomas, mjeku dhe aventurier i papenduar në raportet seksuale me disa gara, përfaqëson lirinë e dëshirës – një liri që nuk i bindet moralit, nuk e pranon doktrinën e sakrificës për hir të ideologjisë. Seksi për të është një gjuhë e intimitetit, jo e detyrës. Ai ka lidhje seksuale me shumë gra, por dashurinë e ka për Terezën – një ndarje e qartë midis trupit dhe shpirtit, dëshirës dhe ndjenjës, që e vë përballë etikës komuniste të “njeriut të ri”, të devotshëm dhe të disiplinuar.
Sabina, nga ana tjetër, përfaqëson shpirtin artistik që i ikën çdo forme, çdo identiteti të ngurtë. Ajo është ikje e përhershme, refuzim i rolit të gruas, të dashnores, të ideologjisë. Në faqet e romanit ku presiston qasja ndaj thelbit të qenies njerzore dhe individit në sistemin totalitar, seksi shpërfaet si arratisje nga realiteti shtypës, si ngushëllim intim dhe revoltë kundër uniformitetit ideologjik
Në një sistem ku liria e mendimit është e ndaluar, trupi mbetet i vetmi territor i papushtuar. Por edhe ky territor është i brishtë, i rrezikuar – survejimi moral dhe ideologjik depërton deri në intimitet. Në këtë kontekst, seksualiteti nuk është thjesht kënaqësi, por akt kuptimor, mjet për të afirmuar individualitetin në një botë të kolektivizuar.
Tomas përjashtohet nga profesioni për shkak të qëndrimeve të tij antikonformiste. Ai përfundon duke larë dritare, një metaforë e qartë për pastrimin e brendshëm, për të parë më qartë të vërtetën e tij personale.
Kundera përdor konceptin e lehtësisë dhe peshës si mënyra të të jetuarit: Lehtësia është jeta pa përgjegjësi, pa moral fiks, pa përkatësi – e përfaqësuar nga Tomas dhe Sabina. Pesha është ndjenja e lidhjes, e përgjegjësisë, e kuptimit moral – që e përjeton Tereza, por që e përjeton edhe Tomasi më vonë.
Në fund, Kundera e paraqet dashurinë jo si shpëtim nga totalitarizmi, por si një vend ku liria dhe përkushtimi bashkëjetojnë, në mënyrë të vështirë dhe jo të përsosur. Tomas dhe Tereza e gjejnë këtë balancë vonë, në një fshat të izoluar, larg qytetit dhe ideologjisë. Aty, në thjeshtësinë e përditshmërisë, jeta nuk është as e lehtë as e rëndë, por e vërtetë.
Vdekja e Tomasit dhe Terezës, dy personazhe që braktisën gjithçka për të qenë bashkë, ndodh në mënyrën më të zakonshme të mundshme: një aksident në një rrugë provinciale. Kundera nuk i jep asnjë madhështi asaj vdekjeje – nuk ka heronj, nuk ka shpëtim, nuk ka kuptim të madh. Por pikërisht aty qëndron thelbi: banaliteti i fundit të jetës së tyre është metaforë për banalitetin tragjik të historive njerëzore të shuara në hijen e një regjimi që premtonte parajsën por prodhonte shtypje.
Në një botë ku utopia socialiste kërkonte sakrificën e individit për hir të kolektivit, ku liria dhe erotizmi përçmoheshin si dukuri borgjeze, jeta e njerëzve shuhej ngadalë, në heshtje. Tomas dhe Tereza, pas gjithë dilemash, ikjesh, kthimesh, ndalimesh dhe pasionesh, përfundojnë në një vend ku duken të qetë – jo se kanë fituar, por sepse janë dorëzuar para peshës së jetës. Dhe kur më në fund gjejnë një lloj ekuilibri intim, historia e tyre përmbyllet pa zhurmë.
Ky fund tragjik është një akt poetik i dhimbshëm, një elegji për jetën, dashurinë dhe lirinë.
3. “Zgjerimi i fushës së luftës” – Michel Houellebecq
Michel Houellebecq është autor francez, i njohur në shkallë ndërkombëtare me romanet e tij ku narrativat i bëjnë jehonë problematikave ekzistenciale me të cilat përballet njeriu në shoqërinë postmoderne. Vetmia e njeriut postmodern, depresioni, izolimi, iluzionet e lirisë në kulturën konumeriste të kapitalizmit postmodern, teknologjia dhe intimiteti etj-janë disa nga topikat e trajtuara në këtë roman, herë me gjuhë racionale dhe herë si përjetim i brendshëm i protagonistit rrëfimtar. Protagonisti është një tridhjetë e dy vjeçar, inxhinier kompjuterash, një tip depresiv ndërsa miku i tij Tiserandi është përfaqësuesi i “nënklasës”, personi i cili nuk zotëron atraksionin erotik dhe, si i tillë, është i përjashtuar nga festa e seksualitetit në shoqërinë neoliberale dhe konsumeriste.
Titulli librit përmbledh idenë qëndrore të romanit: në shoqërinë neoliberale konkurenca e tregut shtrihet edhe në fushën e seksualitetit, si një zgjerim i logjikës kapitaliste.
Duke marrë si pikënisje tezen marksiste për luftën e klasave, Houellebecq e shtrin analizën në një terren më të rrëshqitshëm: seksualitetin në shoqëritë neoliberale. Sipas tij, revolucioni seksual i viteve ’60, që duhej të çlironte trupin dhe dëshirën, nuk solli barazi, por përkundrazi: shndërroi seksin në mall dhe krijoi një treg ku, ashtu si në ekonominë kapitaliste, disa fitojnë gjithçka, e të tjerët asgjë.
Në këtë rend të ri, të bukurit, të dëshirueshmit, të suksesshmit seksualisht janë të privilegjuarit. Ndërsa të tjerët, të vetmuarit, të përbuzurit, ata që nuk përputhen me normën estetike apo erotike të kohës, përjashtohen pa mëshirë nga gostia erotike e shoqërisë hedoniste dhe konsumeriste. Ata janë “proletariati seksual”, një nënklasë e padukshme në shoqërinë e lirisë formale por pa barazisë reale.
—
Në këtë botë të ndërtuar mbi “plastic sexuality” (seksualiteti i formësuar nga mediat, konsumi, teknologjia – siç e koncepton Giddens), individi është lirisht i ekspozuar por strukturalisht i pafuqishëm. Liria seksuale ekziston, por vetëm për ata që janë të pajisur me kapital erotik (pamje, vetëbesim, pushtet, status). Për të tjerët, liria është thjesht një burim më shumë vuajtjeje dhe vetmie.
Në një shoqëri ku kapitalizmi ka fituar luftën ideologjike, por ka krijuar një boshësi ekzistenciale, njeriu zbulohet sërish i vetëm. Protagonisti, i zvetënuar, apatik, pa erotizëm, është simbol i njeriut të humbur në konsumerizmin seksual dhe emocional, ku edhe dëshira është mall.
Sipas tij, revolucioni seksual nuk solli barazi, por një treg të pabarabartë ku disa konsumojnë dhe të tjerët mbeten “me gisht në gojë”. Në këtë “luftë të re klasore” në fushën e seksit, njeriu i zakonshëm është i përjashtuar. Kështu, Houellebecq shkruan elegjinë e njeriut të shekullit XXI -të zhveshur nga kuptimi, dëshira dhe komunikimi. Në thelb, romani është një akt akuze ndaj shoqërisë moderne: një botë që flet për “komunikim”, por krijon vetmi masive; që flet për “dashuri”, por prodhon tregje erotike ku fiton më i forti; që flet për “lumturi individuale”, por përfundon në alienim sistemik.
—
Pra, siç e shikoni lexues të nderuar, rekomandova tre romane nga tre epoka të ndryshme por që kanë si fill të përbashkët të njëjtat dhimbje: problemin e lirisë së njeriut dhe fatin e individit që mbetet pa strehë në botën e ideve të mëdha.
Nga nëntoka e Dostojevskit, tek rrugët e lirisë intime dhe totalitarizmit shtypës të Kunderës dhe deri tek seksualiteti rrjedhshëm në shoqërinë konsumeriste postmoderne të Houellebecq-ut, njeriu endet i humbur midis sistemesh që i premtojnë lirinë, por ia përpijnë jetën me iluzione dhe shtërngesa robëruese.
Tre romane – tre rrëfime – një elegji e përbashkët për fatin e individit modern dhe postmodern.
ObserverKult
Lexo edhe:






